​Pesë vjet nga rënia e qeverisë LDK- PDK, këto ishin prapaskenat - ja si u arrit mocioni

Aktuale

​Pesë vjet nga rënia e qeverisë LDK- PDK, këto ishin prapaskenat - ja si u arrit mocioni

Më: 10 maj 2022 Në ora: 07:24
Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi

Sot janë bërë pesë vjet nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës. PDK i ka dhënë mbështetje mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës. Për mocionin kanë votuar 78 deputetë, kundër ishin 34 dhe 3 deputetë abstenuan.

Ky votim ka rezultuar me rënien e qeverisë aktuale të Kosovës, të drejtuar nga Isa Mustafa.

Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Vendimin e saj, PDK e ka arsyetuar me faktin se qeveria aktuale e ka humbur fuqinë e vendimmarrjes, duke ia atribuuar sidomos dështimit të procedimit për ratifikim në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Përcaktimin e PDK-së për rrëzimin e qeverisë dhe prishjen e koalicionit, deputetët e LDK-së, gjatë fjalimeve, e kanë cilësuar si skenar të përgatitur më herët në bashkëpunim me opozitën.

Seanca ishte përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri atëherë, parti partnere në koalicionin qeverisës.

Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit. 

Pas votimit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shpërndarjen e legjislaturës së pestë”, thuhej në njoftim.

Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, ishte themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.

Ky koalicion ishte ndërtuar mbi parimet e ndarjes së posteve dhe pushtetit, që nënkuptonte që PDK të merrte nën udhëheqje postin e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa LDK postin e kryeministrit.

Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat