​Selimi: Nuk kam të bëjë asgjë me krimet dhe akuzat e pretenduara

Aktuale

​Selimi: Nuk kam të bëjë asgjë me krimet dhe akuzat e pretenduara

Më: 10 maj 2022 Në ora: 17:01
Rexhep Selimi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm për akuzat e reja me të cilat e rëndon Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Para gjykatësit të procedurës paraprake, Selimi ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me krimet dhe akuzat e pretenduara nga prokuroria.

Selimi ka dalë edhe njëherë para gjykatësit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pasi më 29 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Prokuroria po pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë kryer krime lufte në Gjilan dhe Suharekë.

Rexhep Selimi ka deklaruar se nuk ka të bëjë asgjë me këto pretendime.

Selimi: Nuk kam të bëjë asgjë me krimet dhe akuzat e pretenduara në aktakuzë

“Natyrisht që i kam lexuar dhe i kam kuptuar dhe pohoj edhe njëherë q nuk kam të bëjë asgjë me krimet dhe as me akuzat e pretenduara në këtë aktakuzë”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka thënë se e ka lexuar në tërësi aktakuzën ndërsa në deklarimin e tij zyrtar ai ka thënë se është i pafajshëm.

Selimi: Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës

“I nderuar gjykatës më lejoni të deklarohem i pafajshëm siç edhe në të gjitha pikat e tjera të aktakuzës”, ka thënë ai.

Me Rexhep Selimin ka përfunduar paraqitja e parë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para gjykatësit të procedurës paraprake në Hagë, lidhur me akuzat e reja të prokurorisë.

Përveç Rexhep Selimit, në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 po mbahen edhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa edhe në paraqitjet e tyre të para Dhomave të Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa më 29 prill 2022 ZPS ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër këtyre katër të akuzuarve.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat