“Asnjë lot mos e derdhni në vdeksha unë!” / Vrasësit e “Drinit” prapa grilave kur do të jenë?!

Aktuale

“Asnjë lot mos e derdhni në vdeksha unë!” / Vrasësit e “Drinit” prapa grilave kur do të jenë?!

Nga: Idriz Morina Më: 11 maj 2022 Në ora: 13:42
Komandant DRINI

“Asnjë lot mos e derdhni në vdeksha unë!” Kush mund ta thotë këtë, kush mund ta jap një mesazh të tillë, ta kanalizojë nga një dhimbje pa fund, kah një shpresë e pafund! Zbulimi i vrasësit për jetën e një nëne është baras me një jetë, por të nënës! Pra, ajo është e gatshme të vdesë për këtë zbulim!

Sa të tjerë janë të gatshëm të sakrifikohen për zbulimin e një vrasje politike, enigmatike. Enigmatike, sepse jo rrallë dorasit janë gjetur, mbase janë dënuar në ndonjë rast edhe më të rrallë, por më shumë janë ekzekutuar, me një porosi të re, të atyre që kishin porositur vrasjen politike.

Nëna të tjera do të kenë qarë e rënkuar dhe do të kenë kërkuar vrasësit e bijve të tyre vrasës!

Para se të shkoni në Hagë për vizitë, ose pas kthimit nga atje, si Enver Hoxha apo Edi Rama e të tjerë është mirë të shkojnë ta vizitojnë së paku njërën nga nënat e atyre heronjve që janë gjallë sepse shumica prej tyre tashmë kanë vdekur, apo fëmijët e tyre, si të Drinit, të Tahir Zemajt, të Imerit, të Manajt, të Rrecajt, të Dajakut, të Bardhylit e të Bekimi etj., e të ndoshta më shumë se 100 vrasjeve politike.

T’i shohin lotët e pa tharë, zemrat e mekura, gojët e thara, buzët e ngjitura, fjalët përplot dhimbje, dhe zemra e kallura flakë!

Amaneti i nënës

Nëna e komandant “Drinit”, Qamile Rexha, e ka lënë një amanet nëse kur të vdiste një ditë: “Unë them se nëse gjendet kush e vrau, ju lus asnjë lot për mua mos e derdhni ditën kur të vdes. Veç të gjendet kush e vrau birin tim”, është shprehur më parë nëna Qamile, e ushtarakut “Drini”, e cila ende shpreson të mos i mbyllë sytë, pa e parë prapa grilave atë, që ia shuajti jetën të birit të saj.

Image
Nëna e komandant "Drinit"
Image
Komandant "Drini" me ushtarë

Pra, nuk ka një dhembje më të madhe, që shpreh edhe mallkim, për ata që e fshehin vrasjen, një vrasje të planifikuar dhe pa asnjë faj.

Ditët për zbulimin e kësaj vrasje po afrojnë. Gjykata speciale po i afrohet këtyre porositësve.

Edhe vetë “Drini’, si duket nga jeta nën presion dhe kërcënime, për një kohë relativisht të gjatë, si duket ia kishte nxitur parandjenjën e një sulmi fatal.

Por, ende nuk mund ta besonte se kishte ardhur çasti.

“Atë ditë që e vranë e mori Drinin në krah dhe duke e përqafuar doli në ballkon. Më tha thirre Naimin (Naim Malokun) se rreth orës 10.00 duhet të shkojmë në Pejë, në tubimet përkujtimore të dëshmorëve të fshatit Radavc e Tërstenik. Duke e shikuar ftesën me fotografi të dëshmorëve, si në kujtim tha: “- kjo është hera e fundit që do të marr pjesë në tubimet përkujtimore. Nuk po mund t’i shikoj fëmijët e dëshmorëve, zemra po do të më plas", rrëfente Hajrie Millaku-Rexha gruaja e Drinit, që tashmë kishin dy djem.

Ekrem Rexha, ishte në përfundim të përgatitjeve për të shkuar për doktorim në Universitetin Shtetëror të Kanadasë. Ai po përgatitej të merrte atë rrugë, në orën 8 e 45 minuta të 8 majit 2000, një breshëri plumbash e shtriu për tokë, ndërsa po i vëzhgonte gomat e veturës, që dikush ia kishte prerë me thikë.

Kjo shkrehje armësh ndaj një heroi, këputi një shpresë dhe një fije lumturie. “U martuam dhe u kurorëzuam në flakët e luftës. Edhe në luftë jeta jonë vazhdoi, të bindur se nëse e mbijetojmë luftën, në liri do ta gëzojmë jetën me fëmijët tanë”, rrëfente zonja Rexha.

Image
"Drini" gjatë një fjalimi

Të dyshuarit

Për këto vrasje gjenerali shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, kishte një premtim, por për ta realizuar atë, i duhej dhënë besimi.

Ai është i bindur që vrasjet pas luftës kanë një autorësi të përbashkët, grupin e komandantëve të quajtur të “Rognerit”, BIA-n serbe dhe SHISH-in e Shqipërisë,

“Disa vrasje kanë ndodhur në trojet e Shqipërisë së sotshme, por shumica e vrasjeve kanë ndodhë në trojet e Kosovës (Dardanisë), por me dijeninë e plotë të personave si Xhavit Haliti, Klosi, Azem Syla, Hashim Thaçi dhe BIA (UDBA) e Serbisë (që ishte sunduese në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi) të gjithë ata që u eliminuan gjatë luftës viteve të ‘90-ta dhe deri gjatë ditëve të para të viteve 2000, vetëm pse ishin atdhetarë dhe armiq të Serbisë dhe të organizatës Klosjane”, pohon gjenerali Maralusha, duke i konfirmuar sërish ato që ka shkruar më parë.

Për të zbuluar këto vrasje ai kërkonte besimin e Kuvendit të Kosovës për të krijuar dhe udhëhequr një zyre përkatëse.

“Në qoftë se Kuvendi (Parlamenti i Kosovës është i sinqertë dhe më të vërtetë ia don të mirën kombit shqiptar unë jam më se i përgatitur me e udhëheqë një zyre që specifikisht do të merret për zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike/kriminale që ndodhën në trojet e shqiptare”.

Por, këtë e kishin injoruar udhëheqësit politik, sipas tij, Thaçi, Ramushi e Mustafa.

Image
Komandant "Drini" shumë i dashur e shumë popullor

Akuzat publike në Kuvend

Në vitin 2018 deputetja e Vetëvendosjes Drita Millaku, e kishte akuzuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për dhënie të urdhrit dhe bashkëpunim për ekzekutim të komandant “Drinit”: “kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë qe katër vite, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”.

Edhe këto akuza publike nuk morën përgjigje, përveç nga ata që nuk i përmendi askush.

Por, rreth dy vite më vonë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të gjendeshin në Hagë. Ata u arrestuan me 5 nëntor të vitit 2020, si pjesë e një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, sipas prokurorisë së gjykatës speciale. Bashkë me ta u arrestuan edhe Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në ndërkohë para pak ditësh, atyre u janë shtuar akuza të reja.

Por, ende nuk është kuptuar nëse po akuzohen edhe për ndonjërën prej më shumë se 100 vrasjeve politike.

Ndërsa, porositësit një ditë do të gjykohen e dënohen, të paktën tre nga pjesëmarrësit në vrasje nëna e “Drinit” kurrë nuk do t’i shoh prapa grilave.

Sipas burimeve tona, tre pjesëmarrës u ekzekutuan me të shpejtë, në një aksident të kurdisur.

Ende as motivet nuk janë zbardhur. Por, që kur u vra “Drini”, mediat si BBC shkruanin se ai kishte paralajmëruar botimin e një libri për luftën në Kosovë, për krimet.

“Ky shqiptar i moderuar kishte paralajmëruar botimin e një libri për krimet e luftës në Kosovë, përfshirë ato të UÇK-së. Disa orë pas vdekjes së Drinit, ‘udhëheqës’ të UÇK-së vizituan të venë e tij për të marrë “kompjuterin me shënime në librin e shpallur”, por policia ndërkombëtare përgjegjëse për krimet e pasluftës ishte më e shpejtë”, shkruanin mediat e huaja atë kohë.

Image
Foto nga varrimi i Komandant Drinit - Mijëra njerëz në varrimin e komandant DRINIT tregojnë më së miri se sa ishte i dashur nga populli.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat