Ngritet aktakuzë kundër ish-ministres, Dhurata Hoxha- Akuzohet për korrupsion

Aktuale

Ngritet aktakuzë kundër ish-ministres, Dhurata Hoxha- Akuzohet për korrupsion

Më: 12 maj 2022 Në ora: 13:09
Dhurata Hoxha

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Përveç ministres, për korrupsion po akuzohet edhe Fitim Mustafa, ish-drejtor i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Integrimeve Evropiane (MIE) dhe Gëzim Dushi, ish-zyrtar i MIE.

Pjesë e aktakuzës është edhe ish-zyrtari shtetëror, E.T, i cili sipas prokurorisë ka ndihmuar në kryerjen e veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

“Prokurori Speciale njofton se tre të pandehurit me inicialet F.M., Dh.H dhe G.D, në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së. Ndërkaq i pandehuri E.T. dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Theksojmë se kjo është hera e dytë që ngritët aktakuzë ndaj ish-ministres, Dhurata Hoxha dhe Fitim Mustafës.

Në të kaluarën, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj ish-ministres, Dhurata Hoxha, sekretarit të asaj kohe në këtë ministri, Demush Shasha, si dhe ndaj zyrtarëve të tjerë, Nuhi Osmani, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Uka.

Të pestë akuzoheshin për “keqpërdorim të autoritetit zyrtar”, shkruan Insajderi.

“Në vitin 2019, taksapaguesit e Kosovës kanë alokuar shumën prej 168,000 eurosh për një kompani mardhëniesh me publikun të quajtur ‘Majorelle PR & Events’ me seli në Paris përmes Ministrisë së Integrimeve Evropiane”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Kontrata me ‘Majorelle’ u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha.

Por, çka thuhej në aktakuzën e ngritur ndaj ish-ministres dhe katër zyrtarëve të tjerë?

Në këtë aktakuzë, thuhej se Hoxha, më 11 maj 2018, sa ishte ministre e Integrimit Evropian, kishte bërë kërkesë te sekretari i përgjithshëm i ministrisë, që kjo ministri të lidhë kontratë me kompaninë “OE Majorelle PR & Events”, në vlerë të 180 mijë euro.

Pastaj, më 21 shkurt të vitit 2019, ajo akuzohet se kishte kërkuar nga sekretari i përgjithshëm, që të vazhdojë kontratën me këtë kompani, në vlerë të 168 mijë eurove.

Ndërkaq, më 24 prill 2019, Hoxha kishte bërë kërkesë te sekretari që MIE të lidhë kontratë me kompaninë “Madison Global Strategies LLC”, në vlerë të 152 mijë e 232 eurove.

Më 11 maj të vitit 2018, sa ishte në pozitën e ministres, kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore personit tjetër, respektivisht Operatorit Ekonomik – “OE Majorelle PR & Events”, në mënyrë që përmes një kërkesë të bërë më 11 maj, te i pandehuri sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, i pandehuri, Demush Shala, nisjen e procedurave të prokurimit për aktivitetin “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke e përcaktuar procedurën e prokurimit që duhej aplikuar (procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë një burimore) dhe emrin e OE “Majorelle PR & Events”, me të cilën duhet të lidhur kontrata nga MIE, edhe pse e kishte ditur se në bazë të ligjeve në fuqi, nuk ishte në kompetencën e ministres që 1) të inicionte procedurën e prokurimit, 2) të përcaktonte se cila procedurë e prokurimit duhet aplikuar dhe 3) të përcaktoj emrin e OE me të cilin duhej lidhur kontrata, në këtë mënyrë ia mundësoi OE “ Majorelle PR & Events”, që me datë 17 gusht të vitit 2018 të lidhë kontratë me MIE, në vlerë 180 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Ndërkaq, më datë 21 shkurt të viti 2019, në Prishtinë, Hoxha, sa ishte ende në pozitën e ministres, akuzohet se kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë e njëjtë, kishte bërë sërish kërkesë te sekretari i përgjithshëm i MIE, Kushtim Cukaj, vazhdimin e kontratës në bazë të procedurës së njëjtë, edhe pse e kishte ditur se në bazë të ligjeve në fuqi, ajo si ministre nuk kishte kompetencë që të paraqiste kërkesë për vazhdimin e kontratës, në mënyrë që t’ia mundësojë kompanisë “Majorelle PR & Events”, që me datë 28 mars të vitit 2019 të vazhdojë kontratën me Ministrinë e Integrimit Evropian, në vlerë prej 168 mijë euro dhe si rrjedhojë edhe përfitimin e dobisë pasurore në këtë vlerë.

Po ashtu, më datë 24 prill të vitit 2019, e pandehura Dhurata Hoxha, në cilësi të ministres, kishte tejkaluar kompetencat e saj, me qëllim të mundësimit të dobisë pasurore personit tjetër “Madison Global Strategies LLC”, kishte dërguar kërkesë te sekretari i ministrisë, Kushtrim Cukaj, për nisjen e procedurave të prokurimit për “Shërbime të konsulencës për nevojat e MIE-së”, duke e përcaktuar procedurën e prokurimit, që duhej aplikuar (procedurë e negociuar pa publik të njoftimit për kontratë një burimore), dhe emrin e kompanisë me të cilën do të duhej të lidhej kontrata në vlerë të 152 mijë e 232 euro, ani pse kishte qenë në dijeni se këto veprime të saj si ministri janë në kundërshtim me ligjin.

Ky rast është ende në gjykim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat