Pas dy muajsh kthehet në punë kryetarja e suspenduar e Gjykatës në Mitrovicë

Aktuale

Pas dy muajsh kthehet në punë kryetarja e suspenduar e Gjykatës në Mitrovicë

Më: 12 maj 2022 Në ora: 16:08
Ljiljana Stevanovic

Pas dy muajsh suspendimi, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanovic është kthyer në punë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se Stevanoviq ka arritur marrëveshje për pranimin e përgjegjësisë disiplinore me Panelin Hetimor, marrëveshje kjo e cila është aprovuar edhe nga KGJK-ja.

“Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanović, është revokuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pasi që Këshilli e ka miratuar marrëveshjen e arritur në mes të Kryetares Stevanović dhe Panelit Hetimor, me të cilën është mbyllur çështja disiplinore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Sipas njoftimit, ende nuk dihet se çfarë mase disiplinore është shqiptuar ndaj saj për shkak se nuk është përfunduar ende ky proces.

“Lidhur me masën disiplinore që është arritur sipas marrëveshjes, KGJK nuk mund të deklarohet pasi që ende nuk kanë përfunduar afatet për njoftim”, shtoi tutje KGJK-ja.

Ndryshe, suspendimi i Stevanoviq kishte ardhur pasi e njëjta ishte pjesëmarrëse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku kishin marrë pjesë edhe disa zyrtarë tjerë serbë që punojnë në institucionet e Kosovës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 281-të, kishte marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat