​Kosova dhe Izraeli marrëveshje në fushën e arkivave

Aktuale

​Kosova dhe Izraeli marrëveshje në fushën e arkivave

Më: 16 maj 2022 Në ora: 13:26
Hajrullah Çeku

Qeveria e Kosovës ka votuar për negocimin e një marrëveshjeje me shtetin e Izraelit në fushën e arkivave. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka thënë se ky veprim është tregues i fuqizimit të bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e arkivave ndërmjet Agjencisë shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem, Autoritetit për Përkujtim të Martirëve dhe heronjve të Holokaustit.

Çeku ka thënë se kjo është vazhdimësi e marrëveshjeve që tashmë janë arritur me Izraelin në fushën e kulturës.

Çeku: Do të thellojmë bashkëpunimin me Izraelin

Ky është një moment i rëndësishëm i fuqizimit të bashkëpunimit tonë bilateral me shtetin e Izraelit dhe konkretisht në fushën e kulturës dhe është vazhdimësi e marrëveshjeve që tashmë janë arritur, ne para disa ditësh kemi nënshkruar marrëveshje edhe në fushën e bashkëprodhimit kinematografik me Qeverinë e Izraelit dhe do të kemi angazhim edhe për të thelluar më tutje bashkëpunimin tonë në kulturë dhe në sferat e tjera”, ka thënë Çeku.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në fund të kësaj jave do të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Francën.

Çeku: Marrëveshje me Francën për bashkëprodhim kinematografik

Këtë të shtunë, në fundjavë do të nënshkruajmë marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me Qeverinë e Republikës së Francës, pra në kuadër të Festivalit të Kanës që fillon këto ditë. Ne do të jemi atje për të nënshkruar edhe një marrëveshje shumë të rëndësishme që hap mundësi të reja për filmbërësit e Kosovës, pra marrëveshjen e bashkëprodhimit filmik me Qeverinë e Republikës së Francës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tani e tutje do të ketë vizita dhe marrëveshje bashkëpunimi edhe me shtete të tjera ndër të cilat edhe me Austrinë, Katarin, Holandën dhe Kroacinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat