Heroi i Baballoqit, Trimi i Betejës titanike të 11 Majit të Koshares, heroi i Kombit Izet Beqiraj!

Aktuale

Heroi i Baballoqit, Trimi i Betejës titanike të 11 Majit të Koshares, heroi i Kombit Izet Beqiraj!

Nga: Besnik Kada Më: 16 maj 2022 Në ora: 16:18
Izet Beqiraj, ulur, përballë tij Florim Rushiti nga Medvegja, që të dëshmorë, Izeti në Koshare e Florimi në Pashtrik

Një ditë prilli 1999, Gazmend Beqiraj erdhi në Komandë nga fronti i Rrasës së Koshares me një letër që ia kishte dhënë komandant “Bjeshka” Fadil Hadërgjonaj dhe e kishte urdhëruar që letrën personalisht t’ia jap komandant Rrustem Berishës! Gazmendi ashtu veproj, letrën e hapi komandant Rrustemi dhe e lexoi propozimin e dhënë nga Fadil Hadergjonaj “Bjeshka”, aty thuhej se ishin tre vëllezër të së njëjtës familje në front dhe për të evituar rrezikun e madh që mbretëronte në front i propozon Komandantit që Gazmendi të vendoset në ndonjë repart në prapavijë më larg frontit, Gazit t'i thuhet me ba një kontrollë mjekësore në Tiranë, të lajmërohet në Ministri në Tiranë!

Propozimi i Bjeshkës ishte me vend dhe i qëlluar, u pranua rekomandimi nga Komandant Rrustemi dhe vëllai i vogël i Izetit ashtu veproi sipas rekomandimit! Ndërkohë në ditët në vijim luftimet zgjeroheshin dhe intensiteti i luftimeve ishte i madh dhe kulmi i Betejës do të jetë 11 maji ku në mesin e luftëtarëve që do bëjnë një luftë Titanike deri në flijim do të jetë edhe djaloshi i buzëqeshur nga Baballoqi Izet Beqiraj, komandant i Togut!

Image
Njësiti "Cobra" në krye me Naser Vllasin, djathtas, në mesin e tyre edhe Izet Beqiraj

Izeti do të bie në fushë të nderit ashtu siç bien trimat! Do t’i mbyllë sytë përgjithmonë në moshën 21 vjeçare!

I përjetshëm kujtimi për Ty Hero i Kosovës dhe i Kombit tim Izet Beqiraj luftëtarë i orëve të para e i shumë fushëbeteja të Dukagjinit! Edhe pse kanë kaluar 23 vite nga ikja e Juaj në amshim do të të kujtojmë për jetë e mot!

Pusho i qetë në tokën e Kosovës, Trim!

Lavdi të gjithë të rënëve me 11 Majin përballjen më titanike të UÇK-së me forcat dhe ushtrinë serbe jo vetëm në Koshare, por në gjithë Kosovën!

Image
Autori Besnik Kada, djathtas, në prill 1999 me komandantin Hisen Berisha '327' dhe dr. Vesel Nezirin!

Gjeneral Rrustem Berisha e përshkruan me pak fjalë ditën e 11 majit 1999!

Ishte një nga ditët më të tmerrshme të Betejës së Koshares. Armiku kishte mobilizuar forca të mëdha, duke përfshirë njësitë e veta më elitare, për t'i ripushtuar pozicionet e çliruara nga ushtarët tanë.

Luftimet ishin të rrepta - përplasje artilerish dhe këmbësorish. Armiku na bombardoi edhe me avionë luftarakë, gjuajti edhe helme kimike, të ndaluara me ligjet e luftës. Në Koshare u ngjitën edhe tanket serbe. Kishin mobilizuar me mijëra forca në ofensivë.

Kot e kishin, sepse shpirti i pamposhtur i luftëtarëve tanë ishte më i fortë se fuqia e tyre e zjarrit. Trimat e Koshares pas mbrojtjes me gjak të çdo pëllëmbe toke të çliruar, mësynë në kundërofensive. Armiku ia dha vrapit, i tmerruar nga qëndresa që nuk e kishin imagjinuar. Prapa lanë shumë pajisje ushtarake dhe edhe më shumë gjurmë që dëshmonin se kishin pasur shumë viktima. Njësitë tona të përgjimit na njoftonin se kishte kaos, frikë dhe thirrje paniku nga serbët për ekipet e tyre mjekësore.

Këtë ditë ranë në betejë dhjetë bashkëluftëtarë, e Kosovës iu shtuan dhjetë heronj:

Ali (Miftar) Hasi nga Cërmjani i Gjakovës,

Besim (Ismail) Nuka nga Mitrovica,

Emin (Ruzhdi) Kryeziu nga Rogoçica e Kamenicës,

Fatos (Muhamet) Ademaj nga Katundi i Ri i Pejës,

Izet (Ali) Beqiraj nga Baballoçi i Deçanit,

Kreshnik (Avdi) Ademaj Katundi i Ri nga Peja,

Naim (Shefket) Orllati nga Brestovci i Rahovecit,

Nikollë (Mëhill) Doda nga Dujaka e Gjakovës,

Urim (Gani) Mehmeti nga Cërnica e Gjilanit,

Xhevdet (Rrustem) Loshaj nga Carrabregu i Deçanit.

Lavdi dhe respekt i përjetshëm për Heronjtë tanë që gjithmonë janë në zemrat tona: Aliu, Besimi, Emini, Fatosi, Izeti, Kreshniku, Naimi, Nikolla, Urimi dhe Xhevdeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat