Kërcënimi apokaliptik me zinxhirin ushqimor / Skenarë të lartë të paparashikueshmërisë në muajt në vazhdim

Aktuale

Kërcënimi apokaliptik me zinxhirin ushqimor / Skenarë të lartë të paparashikueshmërisë në muajt në vazhdim

Nga: Idriz Morina Më: 17 maj 2022 Në ora: 12:14
Lufta tragjike në Ukrainë, shkumb, hi...

Çfarë po ndodhë? Një alarm të rëndë e ka dhënë Banka qendrore e Anglisë, sipas së cilës do të hyjmë në një krizë të re ushqimore botërore për shkak të rritjes enorme të çmimeve. Përshkrimi i saj, është tepër i rëndë: Mungesë apokaliptike e ushqimit!

Nëse është kështu, atëherë njerëzimi ndodhet vërtetë i kërcënuar rëndë dhe tmerrësisht, aq sa duket sikur ndodhet para një tragjedie të pamatshme botërore.

E para gjë që të shkon në mend, është nëse anglezët kur deklarojnë kështu e kanë në mendje skenarin më të keq të mundshëm, që Rusia dhe Putini të godasin perëndimin, ndonjë shtet me armë bërthamore!?

Image
Krimet ruse me efekte negative për gjithë botën, ndërsa ukrainasit varrosin viktimat ruse

Goditje e të ardhurave, dhe papunësi

Nuk është spekulim apo senzacion, lajmi është dhënë edhe nga BBC me titullin: “Guvernatori i bankës me një paralajmërim 'apokaliptik' për rritjen e çmimeve të ushqimeve”!

Guvernatori i bankës Angleze, Andrew Bailey ka folur në emër të Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera, që sipas tij, rritja e mëtejshme e çmimeve ushqimore, është "shqetësim i madh" për ato vende.

Madje guvernatori Bailey, ka kërkuar falje për imazhin “apokaliptik” të paralajmërimit të dhënë, por ai ka thënë se këtë po e shkakton lufta në Ukrainë.

Po ashtu ia ka paralajmëruar një “goditje shumë të madhe të të ardhurave”, nga rritja e çmimeve globale të mallrave, që do të godasë ekonominë, dhe do të rriste papunësinë, transmeton BBC.

Image
Guvernatori anglez Andrew Bailey: Më falni që jam apokaliptik për një moment

Por, sipas guvernatorit rreziku kryesor është për dy produkte të zinxhirit ushqimor, grurit dhe vajit për gatim, pasi nuk mund të nxirren nga Ukraina, bregdeti i së cilës, dhe një pjesë e depove po mbahen të bllokuara nga Rusia.

"Dhe ky është një shqetësim i madh, i madh dhe nuk jam vetëm, unë duhet t'ju them një shqetësim të madh për këtë vend. Ekziston një shqetësim i madh edhe për botën në zhvillim. Më falni që jam apokaliptik për një moment, por ky është një shqetësim i madh”, ka deklaruar para mediave guvernatori Bailey. Po ashtu sipas tij në ngritjen e çmimeve do të ndikojë edhe përhapja e Covid 19 në Kinë.

Këtij shqetësimi i ka dhënë jehonë edhe ish-bankieri shqiptar Emanuel Bajra, i cili aktualisht punon si ekspert i tregjeve globale.

“Banka e Anglisë thotë se një valë apokaliptike e mungesës së ushqimit do ta godasë ekonominë globale këtë vit”, shkruan i shqetësuar ekonomisti Bajra.

Kjo e ka nxitur z.Bajra, që të bëjë në shpejtësi disa propozime për Qeverinë e Kosovës, ndërsa i ka bërë thirrje që këtë paralajmërim të Bankës së Anglisë ta merrë shumë seriozisht dhe të ndërmerrë masa të duhura.

“Ky është një paralajmërim shumë serioz dhe i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë strategji të qartë, efektive dhe proaktive operacionale për tu marrë me këtë krizë të ardhshme globale”, thotë Bajra.

Image
Kryeministri Albin Kurti para sfidave të reja

Bajra ka propozuar disa masa, fillimisht që në partneritet me sektorin privat të nisë mbushjen e rezervave private dhe shtetërore, ndërsa vendet ku vendosen rezervat të ruhen nga FSK-ja.

“Të krijohen 7 qendra diskrete të rezervave të ushqimit me mbrojtje fizike nga ushtria e Kosovës në qytetet më të mëdha të Kosovës dhe ku të kalkulohet ushqim bazik, por edhe ai i nevojshëm për 5 vitet e ardhshme për krejt Kosovën. Rezervat të menaxhohen nga MeFPT por me përfshirjen e kryeministrit në përditshmëri të situatës”, shkruan ai.

Bajraj, kërkon që të blihet masivisht, grurë, vaj, sheqer, dhe të krijohen rezerva të naftës dhe drurit.

Ndërsa, ai parashikon edhe zgjidhjen pas përfundimit të krizës. “Të ndërtohet një strategji operacionale-forenzike në mënyrë që kur të arrihet akumulimi maksimal i rezervave dhe situata globale të qetësohet, atëherë të furnizohet tregu i Kosovës me ushqim të tepricave të rezervave me qëllim të stabilizimit të çmimores së “aftershock”, thotë ai.

Ai paralajmëron edhe rrezikun e panikut social, duke bërë thirrje që “Ministria e Brendshme ta shtojë numrin e personelit për kokë banori proporcionalisht në ndonjë eventualitet të përhapjes së krizës si pasojë e panikut në masë”.

Rreziku për kaos në tregje

Bajra bën edhe një vlerësim parashikimesh bazuar në përvojën e tij, informacionet dhe analizat e përgjithshme.

“FAO - Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës e OKB-së thotë se indeksi i saj i ushqimit ndodhet në metriksin 158.5 pikë gjatë muajit prill. (Mos harroni po e kapi shifrën 200 p/s- fillon kaosi në tregje). Krejt në rregull, por megjithatë çka kjo organizatë nuk mund të bëj është të parashikojë rrjedhën e zhvillimeve të ardhshme - e këtë e bënë më mirë tregu financiar dhe në këtë aspekt po ju them unë se çka po shoh në inventarin e furnizimit, çmimores së ardhshme në stoqe, në ri-vlerësimin e ‘book value’ që për shumë kompani të komoditeteve të listuara dhe jo të listuara në bursa - lajmet nuk janë të mira”, thotë Bajra.

Në këtë mënyrë ai arrin në përfundimin se Kosova duhet të përgatitet për skenarët më negativ. “Prandaj ne duhet të përgatitemi për një skenarë të lartë të paparashikueshmërisë në muajt dhe potencialisht vitet në vazhdim”, thotë Bajra.

Përpjekjet amerikano-europiane për shmangien e kaosit në furnizim dhe prodhim

Në ndërkohë janë takuar për herë të dytë, kësaj here në takim dyditor në Paris, Këshilli dypalësh i Tregtisë dhe Teknologjisë BE-SHBA (TTC), të dielën dhe të hënën, në përpjekje për të evituar një krizë të re ushqimore, nga rritja e madhe e çmimeve, të cilën strategji si duket po e synon Putini!

Po ashtu takimi i ka kushtuar rëndësi, rrezikut nga përçarja e Perëndimit, nëpërmjet krizës së ushqimeve dhe të energjisë.

“Është e qartë se agresioni rus kundër Ukrainës po krijon përçarje të mëdha. Ka të bëjë me shumë mallra përtej kufijve. Para së gjithash, ka të bëjë me energjinë, ku tashmë kemi bashkëpunim të prekshëm”, ka thënë Komisionari Evropian për Tregtinë Valdis Dombrovskis.

Po ashtu, ky Këshill po i kushton rëndësi zinxhirit të furnizimit dhe teknologjisë digjitale, për ta mbrojtur dhe avancuar këtë sistem. “Bashkëpunimi transatlantik në zinxhirët e furnizimit dhe teknologjitë digjitale është thelbësor për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona të përbashkëta,” tha të hënën Thierry Breton, Komisionari Evropian për Tregun e Brendshëm.

Image
Gruri, rreziku nga shtrenjtimi i tij

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat