​Mbahet konferenca e parë mes Gjykatës Kushtetuese e Supreme të Kosovës dhe Shqipërisë

Aktuale

​Mbahet konferenca e parë mes Gjykatës Kushtetuese e Supreme të Kosovës dhe Shqipërisë

Më: 17 maj 2022 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Ka nisur konferenca e parë e përbashkët profesionale ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë të Shqipërisë. Në këtë konferencë dyditore do të bëhet trajtimi krahasimor dhe gjithëpërfshirës i rolit dhe kompetencave të të dy juridiksioneve, duke iu referuar kuadrit ligjor gjerman e evropian. Tema e kësaj konference është “Ndërveprimi ndërmjet juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues në interes të shtetit të se drejtës: Përvoja nga Kosova, Shqipëria dhe Gjermania”.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka-Nimani tha se raportet me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë janë konsoliduar ndër vite në aspektin profesional e personal.

Caka-Nimani: Mirëpres mundësinë e jashtëzakonshme të shkëmbimit tonë profesional

Mirëpres mundësinë e jashtëzakonshme të shkëmbimit tonë profesional, posaçërisht në dritën e përvojës së Republikës së Shqipërisë, marrë parasysh që ajo është disa dekada më e pasur se ajo e Republikës tonë. Në të cilën, ndërveprimi, përkatësisht ndërtimi dhe konsolidimi i traditës së definimit të kufijve juridiksional kushtetues e gjyqësor i përket vetëm dekadës së fundit. Sigurisht që përgjatë kësaj dekade me kolegët e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës kemi pasur debate të shumta profesionale, duke përfshirë edhe pikat prerëse mes vlerësimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë ajo.

E para e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë përmendi edhe tri parimet themelore që përcaktojnë raportin e juridiksioneve.

Caka-Nimani: Parimi i çlirimit, subsidiaritetit dhe doktrinës së shkallës së katërt

Parimi i çlirimit të mjeteve juridike si në aspektin substancial edhe në aspektin procedural. Parimi i subsidiaritetit, doktrina e shkallës së katërt sipërfaqësisht në mënyrë të përgjithësuar saktësojnë që kontrolli i kushtetueses individual vihet në lëvizje vetëm pasi të kenë thënë fjalën e tyre përfundimtare gjykatat e rregullta. Dhe, bazuar në praktikat që burojnë nga jurispudenca e gjykatave kushtetuese të konsoliduara përfshirë Gjykatën Kushtetuese Gjermane, por edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kufizohet vetëm në vlerësimin nëse vendimi i kontestuar i gjykatës përkatëse, nëse është nxjerrë në shkelje të dispozitave kushtetuese”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, debati në këto dy ditë do të jetë i rëndësishëm në ato fusha ku juridiksioni kushtetues dhe gjyqësor pik-prehen më së shumti.

Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha tha se komunikimi mes Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë është i rëndësishëm për të evidentuar problematika.

Tusha: Kufijtë duhet të jenë të qartë dhe të aplikohen si të tillë

Duke qenë që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë edhe ajo e Kosovës nuk bëjnë pjesë në sistemin gjyqësor, wshtw me rëndësi të veçantë ruajtja e pavarësisë së dy juridiksioneve, si e pavarësisë së juridiksionit kushtetues ashtu edhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Pra, në këtë kuptim kufijtë duhet të jenë të qartë dhe të aplikohen si të tillë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duke iu referuar parimit themelor të ndarjes së pushteteve, koncepteve madje kushtetuese mbi funksionet dhe kufijtë e pushteteve të secilit organ nuk ka lejuar përmes vendimmarrjes së saj dhe nuk lejon asnjë organ kushtetues që të tejkalojë kompetencat e veta. Por, as vet ajo vetvetes nuk ia lejon që këta kufij t’i kapërcejë”, ka shtuar Tusha.

Në Kosovë e Shqipëri, gjykatat kushtetuese janë shkalla e fundit për interpretimin dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat