Nesër shpallet aktgjykimi i parë në Speciale, Gucati e Haradinaj në pritje të vendimit

Aktuale

Nesër shpallet aktgjykimi i parë në Speciale, Gucati e Haradinaj në pritje të vendimit

Më: 17 maj 2022 Në ora: 15:45
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Gjykata Speciale nesër do të shpallë aktgjykimin e parë që prej kur është themeluar gjashtë vjet më parë. Vendimi do të merret për ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020. Njohës të çështjeve të drejtësisë gjejnë joefikasitet të kjo gjykatë ndërsa drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së presin vendim lirues për bashkëpunëtorët e tyre.

Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ngarkon me akuza ish-krerët e OVL-UÇK, ka kërkuar që të njëjtit të dënohen me nga 6 vjet burgim dhe nga 100 euro gjobë. 

Dy ish-krerët e OVL-UÇK-së në fillim të procesit gjyqësor janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërsa aty kishte folur edhe Prokurori i Specializuar, Jack Smith i cili kishte thënë se provat do të dëshmojnë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj vepruan me synim kriminal duke publikuar dokumentet konfidenciale me qëllim të dëmtimit të Dhomave të Specializuara.

Por për bashkëpunëtorët e Gucatit dhe Haradinajt në Prishtinë, ato veprime nuk ishin shkelje por vetëm informim i publikut për disa dosje të cilat kishin arritur në zyrat e organizatës.

Faton Klinaku, i cili po e drejton Organizatën së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thotë se Gucati e Haradinaj do të duhej të shpalleshin të pafajshëm.

Klinaku: Po të kishte drejtësi, Gucati e Haradinaj do të duhej të shpallen të pafajshëm 

“Po të kishte drejtësi, natyrisht që ata do të duhej të shpalleshin të pafajshëm sepse ne konsiderojmë se nuk ka pasur nevojë që të dërgohen në Hagë fare apo të mbahen atje, po bëhen gati 20 muaj, për diçka që si organizatë e veteranëve i kemi paraqitur disa dokumentacione që ju kanë dolën atyre si skandale nga zyrat e tyre, i kemi paraqitur para mediave, dhe kurrfarë shkelje nuk kemi bërë në këtë drejtim sepse edhe ne si qytetarë i kemi të drejtat tona kushtetuese për të shpreh mendimin tonë lirshëm”, thotë Klinaku.

Procedura paraprake në rastin ndaj Gucatit dhe Haradinajt kishte zgjatur një vit ndërsa më 7 tetor të vitit 2021 kishte nisur gjykimi.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjykatën Speciale e vlerëson joefikase.

Zekaj: Gjykata Speciale joefikase 

“Nesër do ta kemi edhe aktgjykimin e parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës e cila pas gjashtë viteve po arrin të nxjerrë një aktgjykim e kjo mund të përkthehet vetëm në një joefikasitet të kësaj gjykate. Jo efikasitet them për faktin sepse nëse krahasohet me tribunalet e tjera siç ka qenë Tribunali i ish-Jugosllavisë apo tribunalet e Pasluftës së Dytës Botërore, kjo është dukshëm më joefikase. Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi ka arritur që pas një viti të themelimit të saj të ngrit aktakuzat e para kurse pas tetë viteve të përfundojë 32 lëndë duke përfshirë edhe ato që janë kthyer në rigjykim”, thotë Zekaj.

Sipas tij, Gjykata Speciale e ka më të lehtë veprimin e saj meqë është e themeluare prej vet Kuvendit të Kosovës.

Zekaj: ZPS është dashur të merret me shkaktarin e rrjedhjeve të dokumenteve 

“Në rastin nesër që do të publikohet në aktgjykimin ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, do të shihet si do ta arsyetojë Dhomat Specilizuara këtë aktgjykim qoftë lirues apo dënues duke pasur parasysh faktin e pasojave që kanë lindur si rezultat i rrjedhjes së informacionit nga vet gjykata, nga vet Prokuroria e Specializuar e që deri tani nuk e kemi asnjë te hetuar, të paktën në publik, për rrjedhjen e këtij informacioni. Zyra e Prokurorit të Specializuar është dashur që fillimisht të merret me prioritet për shkaktarin e këtyre rrjedhjeve pastaj të merret me pasojat apo ata që kanë ndikuar në pasojat e publikimit të tyre”, thotë ai.

Në procesin gjyqësor ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ZPS kishte sjellë në sallën e gjyqit katër dëshmitarë të cilët ishin punonjës të këtij institucioni ndërsa nga mbrojtja janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë.

Si dëshmitarë të mbrojtjes ishin edhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe një eksperte e sinjalizimit.Gjithashtu, mbrojtja e të akuzuarve kishte paraqitur edhe dhjetëra dëshmi me shkrim të dëshmitarëve.

Ndërsa Klinaku nga OVL-UÇK thotë se kundërshtimi i tyre për Gjykatën Speciale vazhdon, meqë sipas tij, e njëjta do të duhej të ndjek krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Klinaku: Vazhdojmë të mos e njohim Gjykatën Speciale 

“Çfarëdo vendimi që merret ne si organizatë nuk e kemi njohur dhe as nuk e njohim këtë Gjykatë Speciale për shkak se nuk është gjykatë që do të sjellë drejtësi, është gjykatë politike dhe është gjykatë që është mbi bazën e shpifjeve dhe akuzave të Serbisë pushtuese me ata dëshmitarë të përgatitur që i akuzon pjesëtarët e UÇK-së për një gjë që nuk ka ndodhur, ndërsa konsiderojmë se edhe pse është gjykatë politike ne konsiderojmë që këtu në Kosovë është dashur të ndjekin krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese dhe serbët, gjë që drejtësia jonë vendore është duke bërë pak në këtë drejtim. Marrë për bazë që edhe UNMIK-u edhe EULEX-i nuk janë marrë fare me serbët natyrisht që ne nuk mund të pajtohemi me këtë lloj gjykate”, thotë ai. 

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej ku janë dërguar në paraburgim në Hagë.

Arrestimi i tyre dhe hapja e procesit gjyqësor ishte bërë pasi disa dokumente kishin arritur në zyrat e OVL-UÇK, nga persona ende të panjohur, ndërsa krejt këto ishin bërë publike nga Gucati dhe Haradinaj. ZPS nuk ka hetime të hapura se si kanë rrjedhë këto dokumente nga gjykata.

Të mërkurën në orën 10:00 në Dhomat e Specializuara në Hagë trupi gjykues në krye me Charles L. Smith, III do të shpallë aktgjykimin ndaj tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat