Krasniqi për Qeverinë Kurti: Kjo qeveri depresive ka bërë që të krijojmë një alternativë të qeverisjes së mirë

Aktuale

Krasniqi për Qeverinë Kurti: Kjo qeveri depresive ka bërë që të krijojmë një alternativë të qeverisjes së mirë

Më: 17 maj 2022 Në ora: 21:31
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se krijimi i Krijimi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë erdhi si shkak i mos punës së qeverisë aktuale.

Krasniqi, në Rubikon, tha pas më shumë se një vit qeverisje të plogësht dhe depresive ishte e domosdoshme që të krijojnë një alternativë të asaj se si duhet të jetë qeverisja e mirë.

“Krijimi i një qeverisje në hije, krijimi i Kabinetit të Qeverisjes së Mirë përkundër të tjerave është obligim statusor që ne si parti e kemi obligim në momentin që jemi opozitë. Pas më shumë se një vit të kësaj qeverisje të plogësht dhe depresive siç edhe e kam thënë është bërë e domosdoshme që ne të ndërtojmë edhe një platformë alternative të asaj se si duhet të duket qeverisja, por edhe se si duhet të jetë e strukturuar qeveria e ardhshme”.

“Si udhëheqëse e opozitës Partia Demokratike e Kosovës në më shumë se dy vjet është munduar që përkundër limitimeve në periudha të caktuara siç ishte pandemia që të ndërtojë vizion dhe të ofrojë këtë alternativë, që të ofrojë këtë dallueshmëri tonën në raport me qeverinë aktuale. Por, që tashmë përmes Kabinetit për Qeverisje të Mirë ne do të ofrojmë edhe alternativën konkrete për të gjitha fushat dhe të gjitha dikasteret dhe politika për të cilat vërtetë konsiderojmë që janë të domosdoshme dhe të munguara në Kosovë”, tha Krasniqi.

Krasniqi bën të ditur se i gjithë krijimi i kësaj nisme erdhi pas reflektimit të brendshëm në PDK dhe finalizimit të një diskutimi të gjerë me njerëz të jashtëm.

“Gjatë periudhës kur kemi qenë opozitë për më shumë se dy vjet kemi pas një momentum për reflektim të brendshëm, ajo që ne na dallon besoj se është ne kemi menduar për të ardhmen. Kjo nismë vjen pas një përmbushjeje dhe finalizimi të një diskutimi të gjerë jo vetëm brenda PDK-së po edhe me njerëzit e jashtëm që e kemi diskutuar gjithë këtë proces. Brenda potencialeve tona që kemi diskutuar do të ketë figura dhe zyrtarë të PDK-së që do të merren me udhëheqjen e këtyre departamenteve, por se do të ketë edhe njerëz të tjerë të zotë për të udhëhequr me departamente përkatëse”.

Megjithatë, jo të gjitha departamentet kanë udhëheqës, prandaj mbledhja e parë e këtij kabineti pritet që të mbahet në fund të muajit të ardhshëm.

“Shumë shpejt do të dalin edhe emërimet konkrete. Shumica e emrave dhe departamenteve dihet se kush do t’i udhëheq, ndërsa për dy-tri departamente ka emra që jemi duke diskutuar dhe do të kisha dëshirë që ata t’i udhëheqin ato. Por, që për shkak të angazhimeve mbetet që brenda dy apo tri javëve të finalizohen edhe këto emërime”.

“KQM mund të nis mbledhjet që sot, por ata njerëz që janë pjesë mendoj që kanë nevojë për një prezantim gradual. Në momentin që do t’i përfundojmë këto emërime dhe të zbulohen emrat e gjithë departamenteve, i bie që kah fundi i muajit të ardhshëm do të mbahet mbledhja e parë” u shpreh Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat