​Kurti: Serbia po e shndërron veten në Bjellorusi të Ballkanit

Aktuale

​Kurti: Serbia po e shndërron veten në Bjellorusi të Ballkanit

Më: 19 maj 2022 Në ora: 18:45
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dëshiron normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por se nuk do të ketë asociacion në baza etnike ashtu sikurse po kërkon Beogradi.

Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se dëshiron që procesi i dialogut të përfundojë me njohje reciproke.

“Nuk ka hapa pas, por Serbia ka mbetur pas, pasi që nuk i pranon krimet që i ka kryer në Kosovë dhe refuzon ta njohë Kosovën. Biden ka thënë duhet të ketë normalizim të plotë e cila në qendër ka njohje reciproke. Unë jam i gatshëm për njohje reciproke, por Serbia nuk është. Ne duam dialog për marrëveshje, jo dialog për dialog. Neve na duhen marrëdhënie normale me Serbinë, por për këtë duhet të ndryshojë Serbia. Kosova është në rregull. Ata që nuk janë në rregull duhet të ndryshojnë. Tash është koha që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE, por e kemi problem rreshtimin e Serbisë krahas Rusisë, pasi Serbia po e shndërron veten si një Bjellorusi të Ballkanit. Këtu SHBA e kanë rolin vendimtar për ta ndryshuar situatën për më të mirë”, ka thënë Kurti i cili ndodhet për vizitë disaditore në SHBA.

Ai ka thënë se vizita e tij kishte për qëllim që të ketë sa më shumë investime dhe siguri për Kosovën.

“Kosova është një storie suksesi dhe e ndihmës së NATO-s e SHBA-së dhe ky rrëfim i suksesit duhet të mbrohet. Asociacioni i komunave nuk e kaluar testin e Kushtetueses në Kosovë, pasi bie në kundërshtim me 23 nene. Mund të ketë asociacion, por jo në baza etnike”, u shpreh Kurti.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se themelimi i asociacionit nuk është në qendër të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe se një gjë të tillë nuk e ka kërkuar askush nga SHBA.

Kurti ka folur edhe për raportet me SHBA-në për të cilat tha se janë të përhershme.

“SHBA e njohin mirë Kosovën dhe e kuptojnë se nuk mund të kenë asnjë shtet tjetër sa i përket vlerave të përbashkëta që ndajmë”, tha ai duke shtuar se Kosova dëshiron anëtarësimin e saj në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat