Situatë dramatike me çmimet e ushqimeve, nëse Rusia nuk i jep fund pushtimit të Ukrainës

Aktuale

Situatë dramatike me çmimet e ushqimeve, nëse Rusia nuk i jep fund pushtimit të Ukrainës

Nga: Idriz Morina Më: 19 maj 2022 Në ora: 20:45
Johnson dhe Zelenski bisedojnë si ta zgjidhin krizën e ushqimeve

Kuvendi i Kosovës debatoi për sigurinë në vend dhe pjesërisht edhe për rrezikun që të ballafaqohemi me një krizë ekonomike. Por, për sigurinë e ushqimeve ende s'kanë haber. Më saktë për pasigurinë qv po paralajmërohet, për rezervat e pamjaftueshme, rritjen dhe ruajtjen e tyre, pasi mungon aktualisht infrastruktura përkatëse.

Tashmë shteti është regjistruar falimentimi i parë i në shteti në botë.

Bota Perëndimore është nën trysni për shkak se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe mungesa e drithërave, metaleve dhe produkteve të tjera, që i importonte nga Ukraina dhe Rusia, kanë prishur rrjetin e furnizimeve dhe po shkaktojnë mungesa të dukshme në tregje. Rritja e këtyre mungesave do të rrisë në mënyrë asimetrike, apo në mënyrë jo proporcionale çmimet.

Kjo zakonisht duket se ndodhë edhe në tregjet globale, siç ndodhte tek ne gjatë luftës, kur në mungesë të naftës, ata që kishin më shumë para ofronin edhe 6 marka e më shumë për një litër.

Image
Refugjatë ukrainas të ikur nga pushtimi rus

Shtrenjtimi i miellit në tregje botërore

Duket se psikologjia e tregjeve është e njëjtë. Sipas informacioneve që sjellë ekonomisti, eksperti i tregjeve ndërkombëtare, Emanuel Bajra, vetëm për 48 orë, e hënë e mërkurë, çmimi i miellit në bursa ishte rritur për 350 %.

Por, në blerje të rezervave, pra të porosive të parakohshme, nëse mund të themi, “një ton kub miell, është blerë deri në një milion dollarë”, thonë burimet. Ngjashëm po ndodhë edhe me shtrenjtime të disa komoditeteve të tjera, si të vajit, sheqerit etj.

Ndërsa, dy ditë më parë kreu i sistemit bankar të Anglisë Andrew Bailey, paralajmëroi se nëse kriza vazhdon zinxhiri ushqimor, do të mund të krijojë një lloj situate apokaliptike për zinxhirin ushqimor, duke paralajmëruar shtrenjtime të reja të prodhimeve apo figurativisht një shpërthim për gjërat elementare ushqimore.

“Ekziston një shqetësim i madh edhe për botën në zhvillim. Më falni që jam apokaliptik për një moment, por ky është një shqetësim i madh”, ka deklaruar para mediave guvernatori Andrew Bailey.

Në këtë aspekt, një paralajmërim erdhi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka thënë mbrëmë se lufta në Ukrainë nga pushtimit rus, ka krijuar pasiguri ushqimore në vendet më të varfra nga rritja e çmimeve.

Situata do të jetë edhe më dramatike nëse lufta në Ukrainë nuk përfundon më shpejt, dhe nuk përmirësohen eksportet nga Ukraina. Ndërsa, kur i shtohet edhe kriza e shkaktuar nga COVID 19 dhe faktorë të tjerë, situata pritet të jetë edhe më e rëndë.

“Lufta ruse në Ukrainë po amplifikon dhe po përshpejton të gjithë këta faktorë: ndryshimet klimatike, Covid-19 dhe pabarazinë. Ajo kërcënon të lërë miliona njerëz në prag të pasigurisë ushqimore, ndjekur nga kequshqyerja dhe uria masive në një krizë që mund të zgjasë me vite”, tha Guterres.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme ka vazhduar debati në Këshillin e Sigurimit, ku ka qenë i pranishëm edhe Sekretari amerikan i shtetit Blinken, ku është kërkuar nga OKB-ja, që të zbatohet Rezoluta 2417.

Në këtë sesion, ministërja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka, tha po ashtu se pushtimi rus po e çon botën drejt përkeqësimit me ushqime, duke nxitur konflikte ose duke i thelluar ato ekzistuese. Përveç luftës, që po e rrit krizën, ajo po përkeqësohet për shkak se Rusia po e mban të bllokuar importin dhe eksportin detar drejt Ukrainës.

Image
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka

“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës po përkeqëson më tej sigurinë globale ushqimore e cila po prek gjithë botën. Bllokada, shkatërrimi i porteve dhe infrastrukturës të saj në Detin të Zi, po prish furnizimin jetik me mallra ushqimore dhe produkte kryesore bujqësore, që janë thelbësore për sigurinë globale ushqimore. Në Ukrainë ka ushqim, por nuk lejohet të dalë jashtë vendit.

Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet. Ndërprerja e madhe e prodhimit, tregtisë dhe rritja e çmimeve globale të karburantit, ushqimit dhe energjisë si pasojë e luftës, po përkeqësojnë pabarazitë ekzistuese në rajonet e prekura, duke rrezikuar sigurinë ushqimore, përkeqësuar krizat ekzistuese humanitare dhe duke shtyrë më shumë njerëz në varfëri. Lufta në Ukrainë mund të çojë deri në 40 milionë njerëz të tjerë në varfëri dhe uri dhe po kërcënon sigurinë e ardhshme globale të ushqimit. Ky është realiteti i trishtë; kjo është e vërteta”, deklaroi ajo.

Edhe ajo iu referua raportimeve se këtë vit, 2022, parashikohet të kemi pasiguri ushqimore. “Ne nuk duhet të lejojmë të shohim njerëz, që vdesin nga uria në shekullin e 21-të”, tha ajo.

Britania po kërkon rrugë reja eksporti për drithërat e Ukrainës

Edhe kryeministri britanik Boris Johnos ka biseduar sot me presidentin ukrainas Zelenskin, që të gjejnë rrugë të tjera të transportit të drithërave dhe produkteve të tjera nga Ukraina, pasi Rusia, po vazhdon t’i mbajë të mbyllura rrugë detare nëpërmjet bllokimit të porteve kryesore të Ukrainës.

Kryeministri Johnson këtë e ka shprehur nëpërmjet një postimi në Tvitter, i cili e fajësoi diktatorin Putin për siç tha ai: “bllokimin e pamatur të porteve të Detit të Zi”, me qëllim të shkaktimit të dëmeve ekonomike në nivel botëror.

Presidenti Zelenski e ka konfirmuar se veç tjerash kanë biseduar për” “mënyrat për të eksportuar produkte bujqësore” dhe që Ukrainë të importojë karburante.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha gjithashtu se ai foli me homologen e tij britanike, Liz Truss, rreth mënyrës sesi “të mbajë Rusinë përgjegjëse për agresionin e saj dhe të zhbllokojë eksportet e ushqimit të Ukrainës”.

“Rusia mban përgjegjësi të plotë jo vetëm për vrasjen, torturimin dhe përdhunimin e ukrainasve, por edhe për njerëzit e uritur në mbarë botën, duke përfshirë Afrikën”, tha Kuleba në një postim në Tvitter.

Ditë më parë edhe vendet e G7 morën vendim që të sigurojnë shmangien e një krize të zinxhirit ushqimor, por edhe të produkteve teknologjike.

Falimentimi i Bangladeshit

Tashmë besohet se një vend në botë, si pasojë e krizës ka falimentuar si qeveri dhe shtet, dhe se duhet që të kalojë nën administrim ndërkombëtar financiar. Bëhet fjalë për Bangladeshin, që bëhet viktima e parë në botë e krizës financiare që po e përfshin botën.

“Vendi futet në proces të falimentimit të administruar që do të thotë se FMN-ja do të ndërtojë arkitekturë të re të ripagimit të borxheve të jashtme, me anë të kredive të reja me normë më të lartë kthimi. Dritarja për investime në atë vend mbyllet dhe investitorët e huaj nuk i prekin bonot për një kohë të gjatë deri në kohën kur financat e shtetit stabilizohen”, deklaron bankieri Bajra, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat