Abdixhiku, qeverisë: Kthejani paratë qytetarëve, shkarkojeni bordin e ZRrE-së

Aktuale

Abdixhiku, qeverisë: Kthejani paratë qytetarëve, shkarkojeni bordin e ZRrE-së

Më: 21 maj 2022 Në ora: 13:01
Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit mori vendim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE-së për tarifat e rritura.

Ai ka thënë se qeveria e Kosovës, të cilën e ka cilësuar si të paaftë, duhet t’ua kthejë qytetarëve paratë që thotë se ju janë plaçkitur kundërligjshëm.

“Nga sot, faturat tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%. Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq”, ka shkruar ai në Facebook.

Madje, ai kërkon edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së për të cilin thotë se s’ka më asnjë kredibilitet.

Abdixhiku thotë se LDK-ja do të nisë edhe procedurat e nevojshme parlamentare për të shkarkuar bordin e ZRrE-së.

“Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet. Nga e hëna, LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë”.

“Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!”.

Kujtojmë që Zyra e Rregullatorit të Energjisë e ka pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat