Kryeministri Kurti viziton dhe përgëzon shoqatën “Vatra” në 110-vjetorin e themelimit

Aktuale

Kryeministri Kurti viziton dhe përgëzon shoqatën “Vatra” në 110-vjetorin e themelimit

Më: 22 maj 2022 Në ora: 22:22
Foto ilustrim

Në 110-vjetorin e themelimit të Pan Federatës Shqiptare “Vatra”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka takuar në New York dhe e ka përshëndetur me një fjalë rasti anëtarësinë e shoqatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga 'Dielli' e 'Kombi' i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi, ka thënë kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.

Veçanërisht në 10–15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar, “Vatra”, sipas kryeministrit, e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar.

“’Vatra’ e miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politikë e përfaqësuesve diplomatikë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Teksa ka thënë se në arkivin e kësaj shoqate dallohet më së miri se ç'do të thotë organizimi dhe ndihma rrëzellonjëse për ta forcuar Shqipërinë ndërkombëtarisht, kryeministri Kurti ka kërkuar nga drejtuesit e “Vatrës” organizim e bashkërendim të këtillë edhe për forcimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

Ai e ka vlerësuar rolin e organizatave shqiptare si të pazëvendësueshëm, për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve.

Gjithashtu, ka thënë se, organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti ia ka uruar “Vatrës” 110-vjetorin e themelimit, duke i dëshiruar, siç është shprehur ai, jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë. 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar Kryetar Berisha,

Të dashur vatranë,

I nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Ilir Dugolli,

I nderuari  Ministër i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi,

E nderuara Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi,

I nderuari Shef i Stafit tim, z. Luan Dalipi,

Zonja dhe Zotërinj, motra dhe vëllezër,

Të nderuar të pranishëm,


Këtu është shtëpia ku ruhet harta e rrugës që hapi rilindasi i madh, më i riu prej tyre Noli, bashkë me Faik Konicën e i ndihmuar nga Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili bashkë me të gjitha organizatat e shqiptarëve që vepronin këtu.


Tani e 110 vjet Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga 'Dielli' e 'Kombi' i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre vrullin dhe organizimin për liri, deri në pavarësi.


E njëjta, si rrallë ndonjë organizim tjetër jehon ende nga arritjet madhështore që janë mbërritur nga ky organizim. Këtë e kemi edhe 113 vjetorin e Diellit, Gazetës tonë më të parë, ku si në ditar e kemi të shkruar të gjithë historinë politike të para pavarësisë së '12-tës, organizimin deri tek arka e shtetit të ri.


Veçanërisht në 10 deri 15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar Vatra e shpëtoi, e ndërtoi dhe e anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabartë dhe ia siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje popullit shqiptar. Vatra është në themel të deklaratës monumentale të Presidentit amerikan Woodrow Wilson.


E miqësoi përjetësisht shqiptarinë me Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politik e përfaqësuesve diplomatik.


Sot, Republika e pavarur e Kosovës, e ka pak a shumë moshën e Shqipërisë së asaj kohe. Në arkivin tuaj të vyer dallohet më së miri se çka do të thotë organizimi i këtij lloji dhe ndihma rrëzellonjëse për ta forcuar Shqipërinë ndërkombëtarisht.


Sot në këtë vit jubilar të 110 vjetorit të Vatrës kushdo prej nesh, kudo që ndodhet, ia uron ditën e themelimit dhe jetë të gjatë sa të jetë kombi ynë.


Dekada e fundit mbi këtë shekull përvojë, ka vërtetuar se Vatra jonë këtu është e domosdoshme të jetë Vatra e të gjithë shqiptarëve, për hir të historisë, për hir të nevojave të mëdha për organizim e bashkërendim, për hir të shqiptarëve dhe veçanërisht për hir të Kosovës aktualisht.


Natyrshëm jo vetëm unë, por kushdo që e njeh veprimtarinë, shpreson dhe beson në forcën, aftësinë dhe bujarinë tuaj, vatranë të nderuar, trashëgimtarë të këtij emri dhe misioni të madh.


Andaj edhe unë po ju kërkoj atë që kushdo e pret dhe beson prej dhe në ju: organizim e bashkërendim deri sa ta vendosim edhe Kosovën aty ku e ka vendin - të barabartë mes të barabartëve.


Edhe pse sot pjesa më e madhe kombit shqiptar, që jeton në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gëzon një shkallë të lartë të lirisë dhe këta shtete ndodhen në një aleancë të ngushtë me Perëndimin dhe ShBA-të, prapëseprapë kontributi i diasporës mbetet po aq i rëndësishëm sa edhe më parë.


Roli i organizatave shqiptare është i pazëvendësueshëm për të ruajtur dhe fuqizuar identitetin shqiptar në kushtet e sotme të globalizimit dhe të lëvizjes së madhe të njerëzve. Në një kuptim, shumë popuj sot janë kthyer në kombe diasporike dhe kombi shqiptar është i tillë.


Gjithashtu, organizatat e diasporës shqiptare duhet të vijojnë lobimin pranë shteteve demokratike për respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Për shembull, shqiptarët që jetojnë në Serbi sot po ndodhen nën një trysni të madhe për t’u larguar nga trojet e tyre. Edhe një zë të fuqishëm opozitar që ata e kishin në parlament duan t’jua mohojnë. Diaspora shqiptare këtu duhet t’ia thotë pareshtur administratës amerikane të vërtetën për Serbinë, se mosnjohja prej saj e Republikës së Kosovës rrjedh nga e njëjta mendësi antishqiptare dhe antidemokratike e politikës serbe që mohon të drejtat qytetare dhe njerëzore të komunitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.


Çdo ndihmë është e vyeshme dhe, në këto momente, e paçmueshme. Le ta urojmë fillimin e  dekadës së dytë të 100 vjeçarit të dytë të Vatrës me zemrën plot se në arkivin tuaj, arkivin e të gjithë shqiptarisë, do të jenë të shënuara edhe gjurmët e punës së Vatranëve për avancimin e Kosovës në dekadën e dytë të saj si e pavarur.


Me 12 qershor ju do ta shënoni këtë përvjetor, në datën që përkon me datën e çlirimit të Kosovës. Ju uroj prej tani me gjithë zemër,  Urime Vatrës, Urime vatranëve për jetë e mot! Jeni krenaria e pasosur e të gjithë shqiptarëve!


Gjej rastin që t'ju ftoj të vini të vizitoni Kosovën në një delegacion të zgjeruar me vatranë nga të gjitha degët dhe fushat. Për të parë mundësitë për të investuar, bashkëpunuar, kontribuuar dhe veçanërisht për të takuar të rinjtë e të rejat anekënd Kosovës. Dhe t'u tregoni atyre se Vatra, vatranët janë të fortë e të gjallë - siç kanë lexuar në librin e historisë, janë ende sot.


Ejani, ju presim në shtëpinë tonë dhe tuaj.


Ju falemnderit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat