A ishte një sulm terrorist, vrasja e dy adoleshentëve? / Si i mbronte SHIK-u nga dënimet ekzekutorët?! A i ndihmuan Zharku, Reçica...

Aktuale

A ishte një sulm terrorist, vrasja e dy adoleshentëve? / Si i mbronte SHIK-u nga dënimet ekzekutorët?! A i ndihmuan Zharku, Reçica...

Nga: Idriz Morina Më: 23 maj 2022 Në ora: 11:49
Pamje nga seanca e rigjykimit të "Grupit të Kaçanikut"

Një gjykim që pritet të zbulojë një strukturë të krimit të organizuar në Kosovë. Ai ka hyrë në dekadën e dytë, dhe ende nuk duket fundi i tij. Disa të dënuar e kanë kryer tashmë një të tretën e dënimit të përcaktuar.

Procesi po zbulon se si është shmangur drejtësia dhe se si padiktueshëm organizatorët e krimit ia dalin t’i fshehin disa fakte dhe ta manipulojnë rrjedhën e ngjarjeve të drejtësisë.

Sipas procesit të deritashëm për një vrasje të trefishtë në Kaçanik, në vitin 2007, dorasi kryesor lirohet në fillim të procesit.

Ngjarja kishte ndodhur në shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë, Ferizaj, ku në pritë në errësirë persona të maskuar dhe të armatosur mirë, sulmojnë me kallashnikov veturën e cakut të tyre “Xhoksit”, duke e vrarë atë dhe dy të tjerë, dhe duke mbetur i plagosur personi i katërt, ndërsa i pesti kishte shpëtuar pa u plagosur.

Ndërsa, ai është rikthyer në burg, pasi një proces i ri hetimi, nuk mund t’i shmangte provat.

Dy persona të inkriminuar mjaft shumë në ‘lagjen e krimit’, janë dënuar thuajse maksimalisht nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, me aktgjykimin e 7 shkurtit 2011 të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Soponicë, me nga 33 vjet burg, e cila ende sipas gjykatës nuk i ka autorët përfundimtar.

Image
Veterani Nysret Cena

Dyshimet e gjykatës dhe prokurorisë, me motive të jashtme

Në këtë krim të trefishtë ishin përfshirë edhe dy policë elitar të Kosovës, Besnik Hasani e Shpend Qerimi.

Të premten është mbajtur seanca e fundit nga dhjetëra seanca të mbajtura, dhe se sa të tjera do të mbahen nuk dihet. Por, e radhës është caktuar të mbahet në muajin korrik.

Ish polici, Besnik Hasani edhe në seancën e fundit, në dëshminë e tij ka thënë se Nysret Cena bashkë me Agron Dalloshin janë vrasësit e tri viktimave.

“Unë e kam thënë edhe më herët dhe e them prapë, Nysret Cena bashkë me Agron Dalloshin janë ekzekutues, janë vrasës. Edhe këto i them me plot përgjegjësi dhe e argumentoj qysh është bërë përgatitja, qysh ka shku ngjarja krejt, madje ktu në sallë përveç Agron e Afet Dalloshit dhe Nysret Cenes mungon edhe Arsim Kolshi zanafilla e problemit”, tha ai, sipas raportit të “Betimi për Drejtësi”.

Është interesant se gjykata dhe prokuroria, asnjëherë nuk iu kanë besuar deklaratave të dy policive të Njësisë elite të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa pikërisht siç duket kanë mbetur pa u dënuar apo marrë dënimin meritor, autorët e vërtetë të vrasjeve.

Dëshmitari Hasani ka thënë se Shpend Qerimi nuk ka të bëjë fare me këtë rast dhe se ndjen keqardhje që një person i pafajshëm të vuajë dënim.

“Asnjëherë vetja nuk më është dhimbsur të jeni të bindur, veç me ja dhanë 33 vjet burg një njeriut si Shpend Qerimit pa pas lidhje, duke qenë i kërcënum, i shantazhum, se s’jam duke e përjashtu vetën unë, asnjëherë se kam hek fajin nga vetja. Është shumë e rëndë për me pa një njeri pa bërë send, ndërsa Nysret Cena që është vrasësi kryesor të mbetet i lirë. Kurrë në jetë nuk kisha pas qejf me i than këto fjalë as para tyre, por kështu është realiteti”, ka thënë ai.

Ai tha Nysreti i kishte premtuar se nëse ndodh diçka për vrasjen e trefishtë, do të dilte publikisht për ta pranuar vrasjen që e kishte kryer.

Hasani ka pranuar se vrasja ishte kryer me plan ose marrëveshje.

Është interesante se prokurori i rastit, në procesin e parë, Reshat Millaku kishte refuzuar të bënte një hetim për mbledhje të provave sipas të dënuarit Shpend Qerimit, i cili kishte treguar se armët ishin hedhur në Lepencë, sipas kërkesës së Nysret Cenës.

I dënuari Qerimi, para trupit gjykues i kishte thënë viktimës së mbijetuar Arben Baftiut, duke iu betuar se nuk ka të bëjë me këtë punë.

“... betohem në fëmijë se vrasësit që ta kanë vrarë vëllain janë Nysret Cena dhe Agron Dalloshi, janë ekzekutues. Ndërsa Afeti dhe Arsim Kolshi janë bashkëpunëtor që i kanë dërguar me veturë...”, ka thënë Qerimi para trupit gjykues, sipas të njëjtit raportim.

Lidhjet e grupit me SHIK-un

Në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje të rënda, SHIK-u ende edhe zyrtarisht ishte aktiv. Nga rrëfimet e dëshmitarëve, tashmë po atakohen udhëheqësit e SHIK-ut të zonës së Ferizajit, që ishin edhe në strukturën më të lartë të kësaj organizate.

Image
Nysret Cena i pari nga e djathta me Ilmi Reçicen

“I dëmtuari Arben Baftiu ka parashtruar pyetjen e njëjtë për Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin duke i pyetur se a kishte njohuri nëse personat Xhabir Zharku, Fatmir Xhelili dhe Ilmi Reçica kishin ndërmarr veprime për ta mbrojtur Nysret Cenen.

Hasani lidhur me këtë ka thënë se shokët e tij dhe të Nysretit i kishin thënë se Nysret Cenen e mbrojnë Zhabir Zharku, Fatmir Xhelili dhe Ilmi Reqica.

Ndërsa Qerimi tha se e kishte dëgjuar Nysret Cenen duke i thënë Xhabir Zharkut që të intervenonte që ta nxirrte nga aty”, raportohet nga Betimi për Drejtësi.

Pra, është e qartë se kriminelët kanë apo kishin mbrojtje të padiskutueshme nga SHIK-u, drejtues të tij të dikurshëm.

Nuk është i vetmi rast ku vihen në dukje raportet e Nysret Cenës, me Ilmi Reçicën.

Nysret Cena, duket se është mbështetës i hapur i PDK-së, Kadri Veselit, dhe të tjerëve, ndërsa më së shpeshti shihet në foto me Elmi Reçicën dhe Bajrush Xhemailin dhe të tjerë, përfshirë Nasim Haradinajn.

Në një fushatë të zhvilluar para pesë viteve, zyrtari i lartë i PDK-së, deputeti Elmi Reçica në fushatën në fshatin Doganaj të Kaçanikut, ai e kishte përkrah Nysret Cenën.

Po ashtu afërsi e Cenës me Xhabir Zharku, një eksponentë tepër i rrezikshëm i PDK-së, në luftë dhe pas lufte, argumentohet nga një proces gjyqësor, kur në vitin 2011 u dënu me 13 muaj burg, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale të zhvatjes dhe mbajtjes së paligjshëm të armës, në një proces.

Në këtë proces qe dënuar edhe ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, por, ai për të shmangur vuajtjen e dënimit u arratis në Suedi, dhe zyrtarisht nuk u kthye në Kosovë, derisa u vjetërsua dënimi.

Nusret Cena, përkrahësi i Elmi Reçicës dhe bashkëpunëtori i Xhabir Zharkut, ka qenë i përfshirë në shpërthimin apo në sulmin terrorist, që ndodhi në vitin 2007, në lagjen Dardania në Prishtinë.

Pyetja është se si ai ia doli sërish të shfajësohet, dhe në vitin 2013 të lirohet nga akuzat.

Në këtë shpërthimi, ku cak ishte lokali “Sekiraqa” më 27 shtator 2007 u vranë dy qytetarë të pafajshëm Naim Murati dhe Pleurat Sllamniku, dhe u plagosën 11 të tjerë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurorja Fikrije Krasniqi, i ngarkon Agron e Afet Dalloshin, Nysret Cenën, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, se më 28 dhe 29 shtator 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit”, afër fshatit Soponicë, Ferizaj, në marrëveshje kanë privuar nga jeta Neshat, Sylejman dhe Urim Baftiun, dhe kanë lënë të plagosur Bujar Baftiun, ndërsa pa lëndime kishte shpëtuar Sadik Baftiu.

Rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit ndërsa në një gjykim të mëhershëm, janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa i akuzuari Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm. / Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat