Vrasje të pazbardhura! Si u vra heroi Remzi Ademaj?! / Kush i dërgonte në pritë luftëtarët

Aktuale

Vrasje të pazbardhura! Si u vra heroi Remzi Ademaj?! / Kush i dërgonte në pritë luftëtarët

Nga: Idriz Morina Më: 24 maj 2022 Në ora: 12:21
Remzi Ademaj i vrarë në pritë

Gjatë luftës shumë shqiptarë, përveç se heroikisht ranë edhe viktima të mungesës së përvojës së luftës, mungesës së menaxhimit të drejtë dhe efikas konform situatave. Por, në disa raste disa individë, por e madje edhe grupe luftëtarësh ranë në pritë, ku u vranë pamëshirshëm nga forcat serbe.

Ata që ranë viktima të tilla, kryesisht ishin rezultat i grupimit, që udhëhiqte në luftë nëpërmjet komandës së Shtabit të Përgjithshëm, ku anëtarë e udhëheqës ishin Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi etj., i cili organizim e refuzonte bashkëpunimin dhe udhëheqjen në vijë institucionale të luftës, por që kishte frikë paranojake, se ushtarakët, mund t’i dilnin nga kontrolli nëse ata merrnin pozitat e rëndësishme. Kështu që u kujdesen vetëm për role simbolike të tyre.

Pritat, çmimet e armëve, tradhtitë

Në shumë raste, kur ushtarakët kishin shprehur gatishmëri të luftonin përkrah këtij grupimi dhe jo të vijës institucionale, që e udhëhiqte luftën Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, ata i detyronin, si në disa raste të hapnin kanale bashkë me ushtarët e thjeshtë, dhe t’i lënin pa role komanduese, e në varësi të plotë të vullnetarëve, që nuk kishin dituri dhe shkollim ushtarak.

Kjo është një rrethanë tjetër që e ka karakterizuar një pjesë të luftës, por, e cila ndërlidhet me rezultatin e përgjithshëm, dhe me humbjen e jetëve, të vetë bashkëpunëtorëve të këtij grupimi.

Njëri nga viktimat e tilla, që u vra në pritë është Remzi Ademaj, i lindur në vitin 1952 në fshatin Zhur të Prizrenit. Ish i burgosur politik në vitet e ’80-ta, por siç rezulton përshkrimi i tij nga ata që e kanë njohur dhe të dhënat që ia atribuojnë, ishte një majtist për nga formimi ideologjik, por që të gjitha informacionet çojnë në përfundimin se ishte një patriot idealist.

Ai kishte qenë mik dhe bashkëpunëtor i Jusuf Gërvallës.

Në këtë pikë, për këta njerëz, nuk ka më dallime ideologjike, kur atdheu është në rrezik, apo ata që bënin sikur luftonin për atdhe nuk mund t’i merrnin në konsideratë udhëzimet apo vendimet e tyre.

Image
Heroi Ilir Konusheci, në mes i vrarë pabesisht, në pritë

E tillë më shumë gjasë duket vrasja e Ilir Konushecit. Ai i takonte po organizimit të përmendur, por nuk mund t’i refuzonte dhe injoronte krahun tjetër, që po luftonte me një organizim institucional, dhe që përpiqej ta bënte një luftë profesionale, duke stërvitur paraprakisht ushtarët nga njerëz kompetentë, pastaj duke i udhëhequr në luftë, ku me përparësi është jeta e ushtarit dhe suksesi në fushëbetejë. Iliri u vra, për shkak se nuk pajtohej me tregtimin e armëve, nuk arrinte ta kuptonte ose nuk mund të pajtohej aspak, që ata që quheshin ‘organizator’ të fitonin nga tregtia me armë. Aq më tepër, që dikush po paguante 2-3 fish më shtrenjtë armët e njëjta që shiteshin në Shqipëri, apo edhe deri në 10-fish më shtrenjtë. Ky mospajtim, ia mori jetën një natë të trishtë, derisa po i transportonte armët bashkë me mjekun tropojan Hazir Shala, ku u vranë në një pritë, pavarësisht se shoqëroheshin nga një agjent i SHIK-ut të Shqipërisë.

Në një pritë kaatastrofike, u vranë rreth 40 veta, me 14 dhjetor 1998 kur teksa po hynin në Shqipëri, dikush i spiunoi dhe u vra edhe njëri nga luftëtarët më popullor, Mujë Krasniqi. Sipas disave raportohen 38 viktima, të tjerët i deklarojnë 41 viktima, nuk dihet nëse ka të bëjë me të plagosurit, që mund të kenë vdekur pastaj.

Gazetari i luftës nga Shqipëria, Rexhep Shahu, i ka përshkruar skenat e këtij tmerri me një dramacitet autentik. Ai thotë se kishte parë deri atëherë gjithçka, trupa të vrarë e të gjymtuar, por si në Pashtrik: “...por ato pamje që kam parë në Vlahën, në godinat e strehimit të UÇK-së, mëngjesin e 16 dhjetorit 1998, kur kam mbërri atje me Naser Kukën, nuk më shlyhen kurrë dhe më drithërojnë gjithmonë kur i kujtoj.

Kam parë me sy shputa këmbësh pa mish, kockën e bardhë pak të përgjakur të shputës së këmbës pa mish se mishi kishte mbetë në borën e ngrirë duke ikë i gjallë prej pritës serbe ku mbetën 38 të tjerë në shpatet e Pashtrikut.

Kam parë shuplakë dore pa mish dhe jam dridhë, më është errë shikimi.

Kam parë ushtarë në dhomat e akullta dyerhapura, gjysmë shtrirë në sustat e ndryshkura, me armë në duar dhe nuk kisha fuqi e nuk dija me i lehtësue me një fjalë, nuk dija, nuk mundja dhe veç me sy lutesha e përgjërohesha.

...shihja e lexoja në ankthin e përhumbjen e tyre, u dhimbte më shumë se plaga, pabesia, ankthi, frika, pasiguria për herë tjetër, frika nga tradhtia, nga prita e radhës, nga mosbesimi…”, shkruante Shahu.

Image
Komandant "Kapuçi", i vrarë vet i 40-ti, në pritë

Vrasja në pritë e Remzi Ademajt

Një pritë të atillë dramatike, por brenda territorit të Kosovës, thuhet ta ketë pritur edhe Remzi Ademajn.

Sipas njohësve të jetës së Ademajt, në një publikim të faqes, Trimat.al, thuhet se: “Në kohën kur UÇK-ja ishte duke u përballur me ofensivën që kishte organizuar armiku në verën e vitit 1998, Remziu kishte ardhur për konsultime në SHP të UÇK-së. Pasi kishte marrë detyrat e caktuara për veprim, ai do të kthehet”.

Sipas Reshat Badallajt, komandant "Petrit Kodra", kur po kthehej nga Kleçka, që ishte me një detyrë të rëndësishme, me 15 gusht 1998, në ora 23 e 10 minuta, bie në prit nga falangat serbe. Nuk dorëzohet se ishte betuar që kurrë mos me ra në dorë të armikut, lufton si lua”, ka shkruar ai vite më parë.

Indikacioni i parë është nga ky informacion, nëse është i saktë, se Ademaj, kishte marrë ‘detyra të rëndësishme’. Nëse kishte marrë detyra të rëndësishme, ai nuk duhej të udhëtonte pa siguri të plotë.

Për pritat zakonisht parashtrohen disa pyetje si: Nëse ishte vetëm, pse u vra vetëm ai, çfarë ndodhi me shoqëruesit? Ku janë ata sot? Çfarë dinë ata? Nëse ishte vetëm, si mund të ketë rënë në pritë? Pra, ajo lëvizje e tij do të ishte gabuar, shtegu dhe rruga që kishte zgjedhur, dhe nuk bëhej fjalë për pritë? Kush e ka cilësuar pritë? Prita nuk bëhet pa pasur informacion, se kush është, nga shkoi, nga vjen, kur dhe cilës rrugë apo anë i bie?

Por, në rastin e Remziu janë plagosur edhe dy ushtarë, njëri quhet Shukri Quni, dhe një ushtar tjetër. Shukriu aktualisht është asamblist në Kuvendin e Prizrenit përfaqësues i partisë NISMA.

Dyshimet e ngritura nga Murati

Këtë dilemë e ka çuar më përtej në letrat e tij Murat Jashari, tanimë i ndjerë.

Letra e Murat Jasharit drejtuar Fatmir Limajt që përmban 372 pyetje, fillon me pyetjen se, nëse ka pasur shërbim sekret aty, në Shtabin e tij, përkatësisht G2-sh.

Por, ai i kërkon llogari, se pse nuk është analizuar rënia në pritë e Ademajt. Por, ashtu ai pyet, se pse nuk u analizuan asnjëherë edhe ‘pritat’ tjera, si ajo e grupit të Mujë Krasniqit.

“87. A keni pasur G2-sh?

88. Anëtarët e SHP a e kanë analizuar si ra në pritë Remzi Ademi (Komandant Petriti) më 15 Gusht 1998?

89. Anëtarët e SHP të UÇK-së a e kanë analizuar si ra në pritë Mujë Krasniqi (KAPUÇI) me bashkëluftëtarët në kufirin Shqipëri-Kosovë, në dhjetor 1998? A bashkëveproi Azem Syla dhe Zeka me ata brenda se nisej kolona dhe a e dinit që përgjoheshit në telefon? Kur e dinit pse flisnit hapur?

90. Edhe sa të këtillë ngjarje-incidente ka pasur në frontet e luftës?

91. SHP i UÇK-së pse nuk i ka shqyrtuar e analizuar këto raste?

92. A keni patur evidentim të rregullt për çdo ngjarje, aksion dhe mosveprim? Nëse po, pse ende nuk janë bërë publike, për çka i ruani?”, shkruante me të drejtë Jashari.

Këto dilema të ngritura nga Murati, i japin të drejtë edhe zërave më dyshues. Si “dyshohet për tradhti”, po ashtu thuhet, se para se të vritej, rruga ishte vëzhguar!?

Por, nëse është vëzhguar rruga dhe ranë në pritë, sikur s’kanë vend!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat