Një delegacion nga Kolegji Mbretëror vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Aktuale

Një delegacion nga Kolegji Mbretëror vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Më: 24 maj 2022 Në ora: 21:58
Një delegacion nga Kolegji Mbretëror vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Në kuadër të turneut tre javor në pjesë të ndryshme të botës, delegacioni nga Kolegji Mbretëror i Studimeve të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar (RCDS) sot vizituan Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

Delegacioni, i shoqëruar edhe nga ambasadori britanik në Prishtinë Nicholas Abbott, u pritën në takim nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Drejtorisë së Inteligjencës dhe Sigurisë, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli dhe shefja e kabinetit të ministrit, Agime Gashaj.

Me këtë rast, zëvendësministri Syla diskutoi mbi aspektin politik dhe mjedisin e sigurisë në kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.

Ai trajtoi reflektimin direkt dhe indirekt të agresionit rus në Ukrainë, në mjedisin politik dhe sigurisë në rajon dhe Kosovë, me theks të veçantë të qasjes destabilizuese të Serbisë.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe format e kërcënimeve dhe rreziqeve që aplikon Serbia në funksion të mbajtjes në tension të pasigurisë së Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, për çka vlerësoi të domosdoshme veprime të qarta parandaluese nga qendrat politikë-bërëse dhe vendimmarrëse të bllokut euroatlantik.

Për politikat qeveritare të mbrojtjes dhe objektivat strategjik të ministrit të Mbrojtjes, prezantoi shefja e kabinetit të ministrit, Agime Gashaj, ndërsa për të arriturat dhe objektivat për të ardhmen, prezantoi gjeneral Cikaqi, i cili bashkë me gjeneral Hazrolli, kanë studiuar dhe diplomuar në RCDS.

Pas prezantimeve, pjesëmarrësit nga RCDS, për temat e ngritura, bënë komentet e tyre dhe pyetje të cilave u përgjigjën zëvendësministri Syla, gjeneral Cikaqi dhe gjeneral Hazrolli.

Ndryshe, Kolegji Mbretëror i Mbrojtjes në Londër është institucioni më i lartë i Akademisë Ushtarake të Britanisë së Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat