Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetit për Qeverisje të Mirë

Aktuale

Krasniqi emëron një “ministre” të Mbrojtjes në Kabinetit për Qeverisje të Mirë

Më: 25 maj 2022 Në ora: 17:30
Besa Kabashi-Ramaj dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka prezantuar sot Koordinatoren e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Besa Kabashi-Ramaj.

Nëpërmjet një video prezantimi, kreu i PDK-së u shpreh i lumtur se një eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje, siç është Besa Kabashi-Ramaj, do ta udhëheq njërin prej departamenteve më të rëndësishme të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK.

Besa Kabashi-Ramaj është edhe anëtare e Kryesisë së PDK-së.

“Besa ka mbi 10 vjet përvojë në fushën e sigurisë dhe çështjeve ndërkombëtare, sigurisë kombëtare, politikave publike, sektorit të sigurisë dhe reformave në fushën e mbrojtjes. Përveç në Kosovë, Besa ka studiuar dhe ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare dhe ndërkulturore, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, si dhe mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore. Me përvojën e saj, bashkë me një ekip shembullor brenda Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa do të udhëheqë punën në ofrimin e alternativës sonë për fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, që do të jenë ndër fushat prioritare të KQM-së.”, theksoi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare, Besa Kabashi-Ramaj u shpreh mirënjohëse për besimin e dhënë në këtë detyrë, duke thënë se siguria kombëtare duhet të jetë baza e shtetit të Kosovës, të ndërtuar me mund e sakrificë.

“Vetëm së bashku mund të krijojmë një të ardhme të sigurt, një të ardhme që fëmijët tanë ta konsiderojnë ta kenë këtu, në Kosovë, e jo diku larg saj. Prandaj, në ndërtimin e Platformës së Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, ftojmë dhe presim bashkëpunim të ngushtë, që nga partitë tjera e deri tek shoqëria civile, ekspertët e fushës, partnerët ndërkombëtarë, e mbarë qytetarët e Republikës së Kosovës, shqetësimet e sigurisë të të cilëve do t’i dëgjojmë me vëmendje.”, tha Kabashi-Ramaj.

Besa Kabashi-Ramaj është koordinatorja e dytë e prezantuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, disa ditë pas prezantimit të vizionit të KQM-së, që do t’i ketë 15 departamente.

Besa Kabashi-Ramaj është eksperte për siguri kombëtare dhe mbrojtje. Ajo mbanë titullin Magjistre e Marrëdhënieve Publike dhe Ndërkombëtare, me theks në Studimet e Sigurisë dhe Inteligjencës, nga Pittsburgh University dhe Baçelor në Shkenca Politike nga Ouachita Baptist University. Po ashtu, ajo ka diplomuar në Programin Ekzekutiv të Harvard Kennedy School of Government dhe ka studiuar në Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë/Qendrën Marshall.

Besa ka punuar në SHBA dhe Evropë, me ekipe ndërkombëtare, në fushat e sigurisë kombëtare, reformës në sektorin e sigurisë, mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore. Ajo është themeluese dhe udhëheqëse e agjencisë për konsulencë në fushën e sigurisë B.K.R. & Associates.

Ndër vite, Kabashi-Ramaj ka mbajtur pozita kyçe shtetërore në ofrimin e ekspertizës së saj në fushën e sigurisë kombëtare për Qeverinë e Kosovës.

Ajo ka përvojë kërkimore lidhur me çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe sigurisë njerëzore në Republikën e Kosovës dhe jashtë saj, duke botuar edhe punime në këto tema.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat