Kush është Xhelil Bekteshi, i emëruari në tri pozita

Aktuale

Kush është Xhelil Bekteshi, i emëruari në tri pozita

Më: 26 maj 2022 Në ora: 16:40
Xhelil Bekteshi

Derisa ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës po qeveriste me pushtetin ekzekutiv në nivel qendor dhe në nivel lokal në Prishtinë, ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi, i arrestuar sot për rastin “Brezovica”, ka kaluar në tri pozita publike.

Gjatë qeverisjes së LDK-së, Bekteshi ka ushtruar funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm në MI, Drejtorit të Financave në komunën e Prishtinës dhe zv.drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Aviacionit Publik.

Sot, ai është prangosur nën dyshimet për vepra të rënda penale që ndërlidhen me ndërtimet në Parkun Kombëtar të Sharrit.

Prokuroria e Ferizajt njoftoi të martën se Bekteshi dhe tre të dyshuar të tjerë janë ndaluar për 48 orë lidhur me dyshimet që rëndojnë ndaj tyre për rastin “Brezovica”.

Tri vite më parë, Bekteshi ishte dënuar me nga tri vjet burgim efektiv për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, aktgjykim ky që u shpall nga Gjykatësja Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku.

Përveç i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohë prej dy vitesh pas mbajtjes së dënimit me burg, Bekteshi ishte obliguar gjithashtu që Ministrisë së Infrastrukturës t’i paguante dëm në vlerë mbi 10 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Bekteshi për një kohë të gjatë ishte edhe Drejtor i Financave në komunën e Prishtinës, derisa me kryeqytetin drejtonte Isa Mustafa.

Ai ushtroi edhe një tjetër detyrë gjatë kohës sa LDK ishte në qeverisje.

Përveç këtyre pozitave, Bekteshi ishte emëruar edhe zëvendësdrejtor i Aviacionit Publik më 27 janar të vitit 2017 – propozim të cilin e kishte dhënë Zharku si ministër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat