Ekskluzive – nafta ruse e Lukoil, Prokuroria nis hetimet për tenderin e dhënë nga Qeveria e Albin Kurtit

Aktuale

Ekskluzive – nafta ruse e Lukoil, Prokuroria nis hetimet për tenderin e dhënë nga Qeveria e Albin Kurtit

Më: 26 maj 2022 Në ora: 17:21
Arkiv

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj tenderit të naftës ruse – pas hulumtimit të medias – për shpalljen fitues nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Prishtinë pas analizimit dhe shqyrtimit, sot e ka regjistruar dhe ndaj të njëjtës çështje do të merren veprimet procedurale-ligjore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelores për media.

Më 24 maj, media ka raportuar ekskluzivisht, se si në kohën kur tërë bota perëndimore është mobilizuar që t’ia mbyllë dyert produkteve me origjinë ruse, ministria e Punëve të Brendshme e ka shpërblyer “Inter Trading”, një kompani vendore që furnizohet me naftë nga Rusia.

Kontratën publike që ka të bëjë me “furnizimin me vaj, antifriz dhe glykol për ndërtesat Qeveritare dhe Pallatin e Drejtësisë”, kap vlerën e 70 mijë eurove.

Media ka raportuar të martën ekskluzivisht për tenderin në fjalë për të cilin zyrtarët e prokurimit të MPB-së janë vënë në dijeni nga një operator ekonomik që ishte pjesë e tenderit. 

Kompania që humbi tenderin ka njoftuar zyrtarisht zyrën e prokurimit të MPB-së për faktin që kompania ruse “Lukoil”, është e sanksionuar nga autoritetet kosovare dhe se në të kaluarën përjashtoheshin nga tenderët publik kompanitë që bashkëpunon me këtë firmë ruse të naftës, shkruan Gazeta Insajderi.

Zyrtarët e MPB-së kanë shpërfillur këtë njoftim. Kanë proceduar tutje me shpalljen fitues të tenderit kompaninë “Inter Trading”, që furnizohet nga Lukoil.

E shpërfillur nga MPB-ja e Sveçlës, kompania që ka humbur tenderin ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Media i ka shkruar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçlës, mbi këtë aktivitet të prokurimit publik, por asnjëri deri tash nuk kanë kthyer përgjigje.

Nafta ruse e Lukoil shpallet fitues në tenderin e ministrisë së Brendshme, heshtin Kurti dhe Sveçla

“Fituesi i tenderit furnizohet nga Lukoil”

Kompania “Ballkan Petrol”, për të njëjtën informatë e ka njoftuar edhe Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Po ashtu pas qasjes në dokumente në AK dhe pas marrjes së ofertës së OE të rekomanduar për kontratë, “Inter Trading” shpk, kemi vërejtur se i njëjti ka ofruar disa nga produktet me prodhuesin LUKOIL, i cili bazën e themelimit e ka në Rusi”, thuhet në shkresë.

“Gjithashtu ju njoftojmë se prodhuesi LUKOIL është në listën e subjekteve nën sanksione që nga viti 2014 me Vendim të Qeverisë së Kosovës”, sqaron Ballkan Petrol në letrën drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Për të gjitha këto “Ballkan Petrol” e ka njoftuar edhe autoritetin kontraktues, në këtë rast Ministrinë Punëve të Brendshme.

“Për këto fakte ne e kemi informuar AK me kërkesat për rishqyrtim dhe përsëri e cekim se mbetet nën përgjegjësin e Autoritet Kontraktues, por tani edhe të OSHP-së që ta verifikon nëse Qeveria si organ kompetent lejon që malli i prodhuesit LUKOIL, i cili bazën e themelimit e ka në Rusi të pranohet dhe shfrytëzohet nga institucionet publike të Republikës së Kosovës”, vazhdon shkresa.

“Njashtu ju bëjmë me dije se AK ka rekomanduar për shpërblim me kontratë një OE, i cili ka ofruar çmim pothuajse dyfish më të lartë se oferta jonë (69,785.20€ kundrejt me 38,693.38€), me që rast i ka shkatuar dëm buxhetit të Kosovës dhe interesit shoqëror në këtë krizë financiare në vlerë prej 31,091.82 €”.

Arsyetimi i kompanisë fituese për naftën ruse: E blejmë nga Lukoil Romania

Kompani “Inter Trading” që tash është shpallur fitues nga ministria e Sveçlës kishte humbur radhazi disa tenderë publikë.

Ishte eliminuar nga gara me arsyetimin se kompania ruse Lukoil nga ku furnizohet është e sanksionuar nga Qeveria e Kosovës, më 2014.

Bazuar në vendimin e atij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimit, i njohur si gjykata e tenderëve publikë, kishte nxjerrë edhe më herët disa vendime, ku operatorin ekonomik “Inter Trading”, e kishte shpallur të papërgjegjshëm pikërisht për ofrimin e produkteve të kompanisë ruse, LUKOIL.

Pavarësisht këtyre, “Inter Trading” e ka fituar kontratën nga ministria e Xhelal Sveçlës.

Por, në një ankesë që kompania ka çuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit, “Inter Trading” thotë se produktin e blejnë nga Lukoil Romania, dhe jo nga baza në Rusi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat