"Çka do t'i japim Serbisë në kërkim të njohjes"?!

Aktuale

"Çka do t'i japim Serbisë në kërkim të njohjes"?!

Nga: Enver Bytyçi Më: 26 maj 2022 Në ora: 22:03

Kjo është pyetja më e rëndomtë, të cilën e përsërisin pa asnjë skuqje ose zverdhje në fytyrë më së shumti analistët shërbëtorë të politikave anti-Kosovë dhe ndër dhëmbë edhe ndonjë politikan sharlatan. "Ne duhet me i dhanë diçka Serbisë, sepse ajo ndryshe nuk na njeh"! Tjetri ia kthen "Po. Kurti është i detyruem me dhanë diçka"! Ndërsa një i tretë shkon edhe më tej në inatin e vet: "Albin Kurti i ka keq punët me Amerikën, sepse nuk e pranon asociacionin për Komunat Serbe"!

Të gjithë këta zbërthejnë tezën e Baton Haxhiut me tri pika: 1) Veriun e Kosovës t'ia japim Serbisë; 2) Krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë të mos i përmendim më e t'i harrojmë; 3) Me ndihmën e Serbisë ta shkrijmë Gjykatën e Kosovës në Hagë! Shkurt e shqip: Të falim territor! Të zhbëjmë shtetin! Sepse kështu do Serbia! Por ky është edhe interesi i disa politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar në Kosovë! Nëse falim territor dhe e zhbëjmë shtetin, atëherë çfarë shteti do të njohë Serbia?!

Për ta realizuar këtë skemë disa politikanë të zhytur në llumin e së shkuarës me nënshkrimin e marrëveshjeve anti-shqiptare, si Asociacioni e Demarkacioni, dalin e bërtasin me të madhe: - Pse kryeministri Kurti i bllokon bisedimet me Serbinë! Domethënë, pse nuk po e pranon kërkesën serbe të Asociacionit dhe mosrishikimin e demarkacionit. Presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviç, ua plasi bombën në dorë gjatë vizitës së tij në Prishtinë, kur shprehu gatishmërinë e vendit të tij për ta rishikuar Demarkacionin. Madje pak ditë pasi "shqiptari" i tretë kryeministër, Abazoviç, tha se "Demarkacioni është vendosur njëherë dhe nuk mund të rishihet"! Gjukanoviç u dha përgjigje shumë spekulantëve që brohorisnin kur Dritani u bë kryeministër, duke thirrur "Urra! Tre kryeministra shqiptarë"! Duket sikur këtyre naivëve ai u tha se "Shqiptar nuk të bën funksioni, por aktiviteti politik e atdhetar"!

Edhe pse kanë kaluar 15 muaj nga krijimi i qeverisë Kurti 2 analistët, opinionistët, djallistët, të cilët e duan Serbinë në Kosovë dhe janë penduar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës, janë në sulm kundër kryeministrit të vendit, pse nuk po i bën të njëjtat lëshime që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa e në ndonjë rast edhe Ramush Haradinaj. Isa Mustafa sidomos, disa herë është shprehur me ironinë e tij therëse me përmbajtje ligësie në këtë drejtim.

Tema e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjes reciproke është temë e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme. Kjo dihet. Është thënë dhe stërthënë! Por jo me çdo çmim! Çmimin për pavarësi Kosova e ka paguar tashmë, madje me shumë sakrilegje, si asnjë popull tjetër që ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë e vet. Të kërkosh nga qeveria e Kosovës që sërishmi të bëjë lëshime, në këmbim të njohjes nga Serbia është mohim i sakrificës së mijëra e dhjetëra mijë shqiptarëve.

A ka lidhje kjo kërkesë me harresën tonë? E di se ne shqiptarët harrojmë dhe madje falim gjithçka për pak përfitime e madje të çastit! Prandaj duhet kuptuar se edhe nëse qeveria e Kosovës do ta pranonte p.sh Asociacionin, Beogradi nuk do të ndalej te kjo. Do të kërkojë shumë më tepër për njohjen e Kosovës si shtet I lirë, i pavarur e demokratik. Ndërkohë Serbia nuk e pranon Kosovën shtet të pavarur jo vetëm për shkak të apetiteve të saj territoriale. Sepse ajo e di se në Kosovë do të ndërtohet një shoqëri demokratike, e cila do të shkatërronte autokracinë e Beogradit. Dhe Kisha, Akademia Serbe, superstruktura shtetërore e madje shoqëria civile në masë të madhe e Serbisë kanë si mjet të qëllimeve nacionaliste ndërtimin e funksionimin e një shteti autoritar. Vetëm autoritarizmi i shërben nacionalizmit!

Nëse Beogradi arrin e ndërton asociacione për serbët në Kosovë, politika serbe do të interferojë gjithë jetën në këtë vend. Kjo do të thotë se kjo politikë do të diktojë çështjet madhore të shtetit, sovranitetit dhe integritetit territorial. Prandaj ata që mendojnë dhe besojnë se "e largojnë" Serbinë nga Kosova me lëshime të tjera në favor të saj, në këmbim të njohjes, gabojnë rëndë. Nëse dikush është kaq naiv duhet të reflektojë. Nëse dikush tjetër nuk reflekton e thirret me lëshime të Kosovës në këmbim të njohjes nga Serbia, atëherë ky dikushi është tashmë në shërbim të politikave të Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat