Fatmir Limaj, i pranon vrasjet e aktivistëve të LDK-së si anti-shqiptare / Fatmir rrëfe se kush i porosiste, cilat ishin motivet

Aktuale

Fatmir Limaj, i pranon vrasjet e aktivistëve të LDK-së si anti-shqiptare / Fatmir rrëfe se kush i porosiste, cilat ishin motivet

Nga: Idriz Morina Më: 27 maj 2022 Në ora: 12:00
Fatmir Limaj me Hashim Thaçin dhe të tjerë

Fatmir Limaj, i njohur për ndryshime qëndrimesh, duket se kësaj here i është afruar paksa katarsisit, por ende është larg kërkimfaljes, dhe guximit, që t’i shpallë publikisht emrat e atyre që porositnin vrasjet politike.

Po ashtu Fatmir Limaj, për të fjetur i qetë duhet, që të dëshmojë për motivet e atyre vrasjeve, që siç e pohon vet, u bën shumë më shumë pas luftës se sa gjatë luftës.

Deklarimi i tij, jo i plotë i vrasjeve politike, nuk e relakson ambientin, deri sa, nuk dëshmon në gjykatë se kush i porosiste, dhe cilat ishin motivet e grupit.

Të analizojmë deklaratën e tij.

Demantimi i Limajt

Ai tha se padiskutueshëm, ekzistojnë vrasjet e veprimtarëve të LDK-së: “Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë”. E qartë kjo gjë nuk mund të mohohej kurrë nga askush, përveç nga propaganda e mbështetur në shërbimin serb, që krijonte një narracion, se LDK-ja po i vriste njerëzit e saj.

Më tej ai, flet, se moszbulimi i vrasjeve e favorizonte dikë, dhe që ato të mbeteshin objekt debati.

“Por, dikush qëllimisht nuk ka dashur t’i hetojë ato raste në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore”, thotë ai. Në esencë kjo deklaratë e dytë, prapë lidhet me narracionin e mësipërm, por jo në mënyrë denotative, por konotative. Pra, duke thënë se vrasjet nuk zbardheshin qëllimisht, që të mbeteshin temë diskutimesh, ai sërish po e mbështet idenë, se kjo ishte në interes të LDK-së, sepse ajo i fitonte zgjedhjet vazhdimisht, sa ishte në udhëheqje të Rugovës.

Image
Xhemail Mustafa i vrarë, këshilltar i Presidentit Rugova

Njëkohësisht, ai po e hedh, mosbardhjen e vrasjeve, tek LDK-ja, sikur thuaja të kishte qenë në dorën e saj, çështja e hetimeve dhe ndriçimit të vrasjeve.

Por, kjo demantohet, jo nga deklarimet, se pushteti real, ishin komandantët, sepse kishin dominim në polici, dhe kompromitonin hetues dhe gjykatës të UNMIK-ut, por nga faktet e pakundërshtueshme, se pas kryerjes së vrasjeve të njerëzve të LDK-së, vriteshin edhe ekzekutorët, edhe dëshmitarët, që mund të flisnin apo nuk kishin heshtur me kohë.

Nëse sipas Limajt, deri atëherë paska qenë interes i LDK-së, që i fitonte zgjedhjet, atëherë pse nuk u zbardhën ato, kur fitonte PDK-ja dhe qeveriste ajo (nga 2007-ta) e në Pavarësi, kur tashmë e dominonte edhe EULEX-in, dhe pas shkuarjes së tij, të gjithë sistemin?!

Kjo argumenton, se porositësit, ishin ata që po i fshihnin vrasjet politike, sepse përveç tjerash nuk donin të përfundonin në burgun e gjykatave vendore, dhe donin një burg më të sigurtë siç është Haga.

Më pas Limaj thotë se vrasjet u bën të krijuar dëme në botëkuptime dhe sjellje. “Pastaj qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj”, kjo thuajse është krejtësisht e saktë. Por, sërish mungon nga kush? A ishte projekt, dhe kush favorizohej nga kjo ndasi? Kosova apo Serbia? Kush fuqizohej, grupi kriminal apo grupi paqësor? A e rriti inkriminimin në shoqëri?

Dhe më pas vjen goditja interesante e Fatmir Limajt, që sipas analizës sime të bërë kohë më parë në deklarimet e Rugovës për vrasjet politike, ka përputhshmëri, gati se të fjalëpërfjalshme. Më e rëndësishmja është se mesazhet janë të qarta, dhe këto shpjegojnë strukturën e të menduarit, të atij, grupi, që aktakuza po i referohet si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.

“Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet...”, thotë Limaj.

Rugova thoshte: “...Të gjithë ata që bëjnë akte të tilla vrastare janë kundër pavarësisë së Kosovës, e cila është përcaktim i popullit të Kosovës”.

Rugova këtë e kishte thënë në disa raste dhe në prill të vitit 2001 me rastin e vrasjes së Ismet Rracit, i ekzekutuar vetëm pak muaj pas vrasjes së Xhemail Mustafës.

Pra, Limaj sot me të drejtë i kualifikon si vrasje anti-shtet, ndërsa Rugova thoshte, se ishin anti-pavarësisë, sepse ende nuk e kishim të njohur ndërkombëtarisht. Pra, edhe sipas Limajt edhe sipas Rugovës, vrasjet u bën për të mos lejuar ndërtimin e shtetit. Në interes të kujt ishte mosbërja e shtetit apo shkatërrimi edhe i asaj që ishte arritur!?

A ishin vrasje politike? Pse Limaj e mohon vetveten

Por, këtu më pas ai bën një rrëshqitje të madhe në deklarim. Në kundërshtim të plotë, jo vetëm me analizën, por me vetë pohimet e tij, denotuese, se vrasjet ishin anti-shqiptare dhe anti-shtet.

Limaj thotë në intervistën televizive se nuk ka logjikë që vrasjet e aktivistëve politikë të konsiderohen me motive politike.

Po, si mund të mos jenë vrasje politike, vrasjet që janë kundër vetë një populli, si thoni ju z.Limaj: “Vrasje anti-shqiptare”!

Si nuk mund të jenë vrasje politike, vrasjet që bëheshin kundër shtetit, si thua ti: “Vrasje anti-shtet”!

Çka ka më politike, se sa vënia në rrezik e një kombi e race, pra veprimet kundër interesave të tyre. Asgjë!

Dhe çka ka më politike se sa vrasjet në interes të prishjes së shtetit, apo të pengimit të shtetbërjes së Kosovës, që e thoni ju, vrasje kundër shtetit, të Kosovës!

Pra, akuza juaj është se ata, që i porositnin këto vrasje politike ishin kundërshqiptarëve dhe kundër shtetit. “Më me rëndësi është kur i ka urdhëruar vrasjet se kush ka ngehur gishtin”, thotë Limaj.

Dhe definitivisht është më se e rëndësishme për t’i zbuluar këta porositës, sepse zbulimi i tyre dëshmon se kush ishte kundër shqiptarëve dhe kundër shtetit të Kosovës.

Kush i ka urdhëruar vrasjet – Tregonte edhe Rugova

Nëpërmjet zbulimit të urdhërdhënësve, padyshim që qartësohet e gjithë çështja, dhe vendi mund të shkojë drejt paqes së vërtetë, pasi nuk do të ketë më nëna, baballarë, vëllezër e motra, bashkëshorte dhe më e rëndësishmja, jetima, që do të drejtojnë akuza ndaj politikanëve dhe të dyshuarve të vërtetë apo të gabuar.

“Më me rëndësi është kush i ka urdhëruar vrasjet se kush e ka ngrehur gishtin”, thotë Limaj.

Image
Presidenti Rugova me Ukë Bytyçin, në fushatë zgjedhore në Suharekë

Por, përgjigjen për këtë “dilemë” të Limajt e jepte, presidenti Ibrahim Rugova. Pas vrasjes së Ukë Bytyçit u kërkonte udhëheqësve të dy partive politike shqiptare, që të ndikonin tek “anëtarësitë e tyre” e të silleshin në mënyrë demokratike.

“Kërkojmë nga disa parti politike, t’i qetësojnë anëtarësitë e tyre dhe t’i mësojnë me jetën demokratike të Kosovës”, kështu ka deklaruar Rugova me 28 tetor 2002, një ditë pas vrasjes së Ukë Bytyçit, kryetar i rizgjedhur atëherë i Suharekës.

Fakte me shkrim - Komunikatat e Shtabit

Në një letër dorëshkrim, që i ishte lënë sipër trupit të Ramiz Hoxhës më 2 tetor 1998., thuhej se ata po ekzekutoheshin edhe për shkak të mbjelljes së urrejtjes, përveç se si bashkëpunëtor të Serbisë, forcave të saj okupuese.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletëekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në letrën, që është provë e rëndësishme gjyqësore.

Kjo letër zbulon, pra propagandën që përdorte atëherë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, për të arsyetuar ekzekutimet.

Pra, vrasja është ajo që bëhet për të mbjellë frikë, panikë, dhe jo e kundërta.

Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, ata u vranë, pasi njëri prej viktimave ju tha të maskuarve, unë ju njoh se kush jeni!

Vetëm pak ditë më vonë ishte dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm, urdhëri për arrestimin e dy aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarit të Degës së Malishevës Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, dhe njëkohësisht konfirmoheshin arrestimet dhe vrasjet e Hoxhës dhe Binishit.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege.
Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”,
thuhet në komunikatën që mban numrin 4, të Shtabit të UÇK-së.

Pra, vetëm këto dy raste e bëjnë të qartë, se kush ishin porositësit, dhe cilat ishin qëllimet e tyre.

Ata nuk mund të ankohen, se vrasjet i bëri dikush i kamufluar, ndërkohë, që thuajse në të gjitha rastet e arrestimeve dhe vrasjeve morën pjesë njerëz të uniformuar, dhe që po asokohe sqaroheshin, se ishin njerëz të UÇK-së.

Siç konstaton gjykata speciale, në aktakuzën e plotësuar së fundi, vrasjet, arrestimet, dhuna, torturat, plagosjet, edhe të njerëzve të LDK-së, e kishin një qëllim të përbashkët: sigurimin dhe ushtrimin e kontrollit në të gjithë Kosovën.

Edhe vrasja e Binishit, Hoxhës, arrestimet e Kastratit dhe Deskut, ishin në funksion, të ushtrimit të kontrollit të detyrueshëm, dhe askujt asokohe, nga ata, nuk i interesonte e vërteta, përkundrazi nuk zgjidheshin mjete, dhe se fillimisht, ata shpalleshin ‘bashkëpunëtorë të okupatorit’ - Serbisë!

Pra, nuk iu interesonin dëmet, urrejtja apo pakënaqësia që po mbillnin tek qytetarët. Kjo pakënaqësi u shpreh menjëherë pas luftës, në zgjedhjet e para lokale, ku pavarësisht manipulimit të votave në dëm të LDK-së, Rugova dhe partia e tij, fituan 56%, që është rezultati i paarritshëm i një force të vetme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat