Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqri Haxha sërish mohon akuzat se kompanisë i shkaktoi dëm mbi 9 milionë euro

Aktuale

Ish-kryeshefi i PTK-së, Shyqri Haxha sërish mohon akuzat se kompanisë i shkaktoi dëm mbi 9 milionë euro

Më: 27 maj 2022 Në ora: 21:45
Shyqri Haxha

Pas konfirmimit të aktakuzës nga Themelorja dhe Apeli dhe nisjes së shqyrtimit gjyqësor, të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqri Haxha, është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzat për lidhje të kontratës së dëmshme.

I pyetur nga ana e gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj lidhr me fajësinë, Haxha tha se ndihet i pafajshëm për veprën me të cilën e ka ngarkuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Lamih Balaj, i cili në kohën për të cilën po akuzohet Haxha kishte qenë udhëheqës i inspektorëve të kontrollit të përgjithshëm në PTK.

Dëshmitari Balaj ka thënë se në atë kohë nuk kishte pasur njohuri për kontratën e lidhur mes PTK-së dhe kompanisë ‘Amdocs Development Limited’, mirëpo kishte marrë vesh për të njëjtën pasi që rasti kishte përfunduar në arbitrazh.

“Në rast se një kontratë është nënshkruar dhe asnjëherë s’u impementu e për të kemi paguar milionat në arbitrazh, sigurisht që ka pasur dëm, kjo nuk do koment”, deklaroi Balaj.

I pyetur nga prokurori Bashkim Zeqaj nëse është në dijeni kush ishte nënshkrues i kësaj kontrate, Balaj tha se nuk e kishte parë asnjëherë nënshkrimin, por në vazhdimësi ishte thënë që kjo kontratë ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi ekzekutiv, Shyqri Haxha.

“Ne si sindikatë për këtë kontratë kemi dëgju më shumë pasi jemi dënu në Arbitrazh ndërkombëtar dhe atëherë jemi interesu pse ka ardhë deri te ky Arbitrazh”, shtoi ai.

Dëshmitari tutje theksoi disa herë se sipas tij kishte pasur lojë mes Qeverisë së Kosovës dhe PTK-së në atë kohë rreth shkëputjes së kontratës.

“Fundi i kësaj është që Telekomi është dënu me ato mjete që nuk është dashtë m’u dënu dhe janë njerëzit që edhe në atë kohë e kanë nënshkru dhe kanë urdhëru me shkëput. Unë besoj që ata që e kanë bërë këtë, ata është dashtë me dhanë përgjegjësi ma të madhe pse është dëmtu Telekomi”, deklaroi dëshmitari.

Sipas tij, dëmi është bërë kur janë dënuar në Arbitrazh ndërkombëtar.

“A është ndërpre nga Qeveria, a nga kush nuk e dimë, me rëndësi dëmi u shkaktu”, deklaroi Balaj.

I pyetur se përse në prokurori kishte deklaruar se kjo kontratë ishte bërë në mënyrë të fshehur, dëshmitari u përgjigj se nuk i kujtohet saktë se çfarë ka thënë në prokurori, por një gjë e di se të gjitha kontratat është obligim të protokollohen dhe dorëzohen në arkiv me kohë.

“Unë i qëndroj parimit tim që kjo kontratë e ka dëmtu Telekomin”, u shpreh Balaj.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Haxha, avokati Xhevdet Smakiqi, dëshmitari tha se nuk ka rëndësi nga kush ishte shkëputur kontrata, por sipas tij rëndësi ka që dëmi ishte shkaktuar.

Balaj deklaroi që sipas tij, Qeveria kishte luajtur ‘ping-pong’ me Telekomin dhe i njëjti tha se si dëshmitar do duhet të ishte edhe ish-ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala sepse në atë kohë ka pasur përgjegjësi sa i përket menaxhimit të Telekomit si aksionar.

Në fund, i akuzuari Haxha parashtroi disa pyetje për dëshmitarin, ku ndër tjerash e pyeti si kishte qenë kjo kontratë e fshehur sipas tij, kur kishte pasur prokurim publik.

Dëshmitari tha se nuk e kishte parë kontratën dhe nuk ishte një dijeni se a ishte e vërtetë apo e fshehur dhe se i vjen keq të thotë por ata si sindikatë e kishin pasur vështirë të qasen në kontrata të Telekomit.

Tutje theksoi se thuhej se në atë kohë në Telekom nuk ishin respektuar procedurat në rastin e lidhjes dhe shkëputjes së kontratës.

Në fund, Balaj tha se ai kontratën nuk e kishte parë, por në bazë të njerëzve që kishin punuar aty kishte dëgjuar se Haxha e kishte nënshkruar.

Sipas dëshmitarit, Bordi ishte ai që vendoste lidhur me nënshkrimin dhe shkëputjen e kontratës e po ashtu ishte përfaqësuesi i qeverisë në Telekom dhe shtoi se vendimet e projektet e mëdha kapitale i vendos Bordi.

Paraprakisht, në këtë seancë u dhanë fjalët hyrëse nga ana e palëve.

Prokurori Zeqaj tha se do vërtetohet aktakuza e prokurorisë se e njëjta është e bazuar në ligj dhe në prova konkrete materiale.

Sipas tij, aktakuza e ushtruar kundër të pandehurit Haxha është argumentuar me prova të cilat janë siguruar gjatë fazës së hetimit dhe nga ato prova dhe dëshmi tjera do të argumentohen fakte me rëndësi, që në veprimet e të pandehurit manifestohen të gjitha elementet esenciale të veprës penale me të cilën i pandehuri ngarkohet.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Haxha, avokati Xhevdet Smakiqi ka deklaruar se do të vërtetohet se ndaj të akuzuarit është bërë shkelja e të drejtave themelore njerëzore sepse prokuroria ka dështuar t’i përmbahet nenit 159, ku hetimi nuk duhet të zgjasë më shumë se 24 muaj.

Avokati Smakiqi tutje shtoi se ndaj Haxhës është zhvilluar një përndjekje mbi 12 vjeçare, duke i dëmtuar kështu integritetin personal e profesional.

I pranishëm në seancë ishte edhe përfaqësuesi i PTK-së, Naser Bujupi, në cilësinë e të dëmtuarit, i cili ka deklaruar se nuk ka pranuar asnjë shkresë të lëndës dhe nuk kanë qenë në dijeni për çka janë ftuar nga gjykata.

Për këtë, gjyqtari Sadikaj e këshilloi atë të bëjë kërkesë në prokurori për t’i siguruar shkresat.

Me kërkesë të prokurorit, seanca e radhës u caktua më 20 qershor, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët Burim Sadiku dhe Fatmir Xhonbalaj.

Seancën e radhës, i akuzuari Haxha do ta ndjek përmes video-linkut, për shkak se i njëjti nuk ka adresë të përhershme më në Kosovë dhe tani më jeton në Londër, ku si shkak i punës dhe shpenzimeve financiare është vlerësuar si e arsyeshme kërkesa e tij për qasje përmes video-linkut.

Ndryshe, aktakuza e ngritur më 21 tetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Shyqri Haxhën se ka kryer veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”, nga neni 237, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2010, i akuzuari Haxha, në cilësinë e personit përgjegjës–kryeshefit ekzekutiv të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK), me dashje dhe me qëllim që të shkaktojë dëm material, duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore, duke mos marrë aprovim nga aksionari- Qeveria e Republikës së Kosovës, më 8 mars 2010, PTK i dërgon planin e biznesit për vitin 2010, së bashku me projektin “PTK Building Platforme Lot 1 dhe Lot 2”, dhe në ndërkohë derisa plani i biznesit ka qenë duke u shqyrtuar nga Qeveria, i akuzuari ka lidhur kontratë për faturim të ri dhe atë të VALA dhe Telekomit të Kosovës “PTK Building Platforme-Lot 1 dhe Lot 2” me kompaninë “Amdocs Development Limited”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më 20 maj 2010, Qeveria-aksionari, i dërgon PTK-së listën me projektet e aprovuara dhe në këtë listë mungon aprovimi i projektit “Platforma e Faturimit të PTK-së”, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të statutit të PTK-së, ku shprehimisht thuhet se “Kompania (PTK) duhet të sigurojë aksionarit planin e saj të biznesit për secilin vit fiskal të kompanisë dhe se shqyrtimi dhe aprovimi i aksionarit do të kërkohet para se kompania të implementojë planin e tillë biznesor”, si dhe në kundërshtim me nenin 30 të ligjit për Ndërmarrjet Publike

Siç thuhet në aktakuzë, me këtë i ka shkaktuar humbje në shkallë të madhe PTK-së, ngase e njëjta me kërkesë të aksionarit, më 14 maj 2010 e ka shkëputur njëanshëm kontratën e lartcekur dhe pas kësaj “Amdocs Development Limited”, ka iniciuar procedurën për kompensimin e dëmit pranë Tribunalit të Arbitrazhit në Londër me padi ndaj PTK-së dhe si pagesë, kësaj kompanie i është paguar nga PTK-ja shuma prej 9,000,000.00 euro si dhe shpenzimet e tjera të bëra lidhur me shkëputjen e kësaj kontrate në vlerën prej 891,022.81 euro, apo në shumën e përgjithshme në vlerë prej 9,891,022.81 euro, me çka të dëmtuarës, PTK-së i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat