Fatmir Limaj së fundi ka dhënë një dëshmi nga më të mirat, që mund të jepte ai, duke i quajtur vrasjet politike, se ishin antishqiptare dhe antishtet.
Si e kam analizuar unë, kjo është në një linjë me deklarimet dhe vlerësimet që i bënte në kohë, presidenti Rugova, se vrasjet politike ishin kundër Pavarësisë, pra kundër shtetbërjes dhe kundër demokracisë.
Por, nga zhvillimet e luftës, duket se ka nevojë edhe për një dëshmi krejt veçantë, përveç atyre, të cilat duhet t’i ndriçojë një drejtësi e konsoliduar.
Sipas dëshmive të dhëna nga “Dëshmitari X” i EULEX-it, prej vitesh i ndjerë, në një fshat të kontrolluar nga UÇK-ja, ishte krijuar një shtëpi publike. Dëshmitari X, meritën për mbylljen e saj ia le Fatmir Limajt, por, ky vetë nuk duket se ka folur ndonjëherë publikisht, qoftë duke e mohuar.
“Dëshmitari X” konsiderohej si një ‘trofe’ i EULEX-it, në procesin e mbledhjes së dëshmive për krime të rënda, gjatë luftës dhe pas saj. Por, vdekja e tij, edhe pse shumë e dyshimtë, derisa ishte dëshmitar i mbrojtur në Gjermani, sipas raporteve të atjeshme, thuhet se bëri ‘vetëvrasje’ në një park.
“Dëshmitari X”, siç u pranua edh zyrtarisht pas vdekjes së tij në vitin 2011, emrin e vërtetë e kishte Agim Zogaj, dhe ishte nga komuna e Malishevës, por, siç rezultoi nuk kishte pasur mbrojtje speciale nga EULEX-i. Ai po strehohej si thuhet në banesën e vëllait të tij.
Ai më pas u varros në Prizren në varrezat e qytetit në shtator të vitit 2011.
Burime për hetime
Rrëfimet e tij, edhe nëse nuk janë dëshmi 100% të sakta, paraqesin burime informacionesh, që duhen shqyrtuar seriozisht.
Ai para se të bëhej “Dëshmitari X”, pra të merrej në mbrojtjen e premtuar nga misioni i EULEX-it, kishte filluar të ndihej shumë i lodhur nga jeta, për shkak se tashmë, sipas tij po përcillej – monitorohej thuajse çdo hap nga shokë të tij të luftës, përkatësisht nga SHIK-u.
“Unë e ndieja se ai kishte dërguar Naserin që të më përcillte se çfarë bëja. E di se Naseri operonte nën ombrellën e SHIK-ut. E di këtë sepse unë vetë kam punuar për SHIK-un për tre muaj pas luftës. Mbase kam qëndruar edhe më gjatë, por më kujtohet se i kam marrë tri rroga”, rrëfente ai.
Madje nga informacionet e tij, e kuptojmë se një spiun i SHIK-ut, paguhej shumë lartë, me një çmim shumë të lartë, krahasuar me pagat që ishin në Kosovë, mos të flasim për ato në institucione, ku vështirë mund të merrje 250 DM.
“Rroga ime ishte 500 marka gjermane në muaj me para në dorë”, kishte thënë dëshmitari X.
Pra, siç dëshmon, ai SHIK-u bënte pagesa kesh. Dhe nuk kishte edhe si t’i bënte ndryshe një organizatë ilegale. Por, siç lë të kuptohet kjo dëshmi e tij, ai nuk merrte asnjë dëshmi, për marrjen e pagesës, por as nga ata që jepnin paratë. Pra, sigurisht se nuk donin të linin gjurmë, as në shpenzimin e parave, por, as për bashkëpunëtorët e tyre.
Sipas dëshmisë së tij, në zinxhirin komandues në SHIK, Zogaj, duhej t’i jepte llogari, Naser Krasniqit, të cilin thoshte se e kishte mbikëqyrës.
Gjithashtu ai e argumenton punën të cilën e kishte kryer: shkonte në Ferizaj ta spiunonte personin me emrin Emin nga fshati Carralevë.
Nuk ishte vetëm, kaq. Detyra ishte që pas spiunimit, të gjente rastin e përshtatshëm dhe ta mbyste, duke e shkelur me makinë. Por, sipas tij, ky ‘urdhër’ kishte dështuar, jo se nuk kishte treguar vullnet “Dëshmitari X”, por sepse bashkëpunëtorin, që ia kishin ofruar, S. Shalën, ‘nuk dëshironte që të vepronte’ me “Dëshmitarin X”.
“Hashimi më tha, kujdesu për gazetarët serbë”
“Dëshmitari X”, ka lënë edhe një rrëfim, se si Hashim Thaçi kujdesej për gazetarët serb të arrestuar, ndërsa po i përndiqte, zyrtarët e LDK-së, të paktën dy prej tyre asokohe të arrestuar Jakup Kastratin dhe Cen Deskun, të cilët po ashtu pas luftës kanë rrëfyer përvojën e tyre traumatike, ani pse shumë më vonë, janë munduar ta rirrëfejnë.
“Hashimi më tha që t’i trajtoja shumë mirë gazetarët ashtu siç duhej të trajtoheshin të burgosurit. Nuk kishim të drejtë që t’i torturonim apo rrihnim. Për diku një muaj gazetarët u mbajtën aty pastaj i dërgova në Shtabin Qendror të UÇK-së në Divjakë”, rrëfente ai, në botimet e bëra në media, aso kohe.
Pak kohë, pas këtij rasti, “Dëshmitari X” e kishte takuar Fatmir Limajn me disa veta, ndër ta edhe Musë Jasharin dhe Hashim Thaçin.
Këtë takim, ai e kishte shfrytëzuar që t’i ankohej Fatmir Limajt, për ekzistencën e një shtëpie publike, për të cilën e dinte Fatmir Limaj.
“Fatmiri më pyeti se si po shkonin punët në Shalë. I thashë se nuk kisha lajme për të, pasi që ai tashmë e dinte për shtëpinë publike dhe kështu me radhë. Të nesërmen arma i ishte marrë L. Shurdhës me urdhër të Fatmir Limajt dhe të nesërmen Shurdha u largua për në Itali”, dëshmonte “Dëshmitari X”.
Më tej, sipas rrëfimeve të botuara asokohe, Fatmir Limaj, për shkak të ‘shtëpisë publike’ ishte zënë me shokun e tij, L.Sh., pasi edhe fshatarët ishin ankuar, meqë kishin filluar t’i merrnin vajzat dhe t’i çonin në atë shtëpi.
Këto ankesa e kishin shtyrë Limajn që të vepronte, sepse po e rrezikonte besimin e krijuar. Sipas “Dëshmitarit X”, ajo shtëpi publike udhëhiqej nga disa ushtarë.
Për, ta bërë më të besueshëm rrëfimin e tij, “Dëshmitari X”, e përmend një rast, kur një vajzë e kishin kërcënuar që ta detyronin të punonte në atë shtëpi publike.
“Më kujtohet se aty ishte një vajzë nga fshati Shalë, M. Sh. që po ashtu ishte kërcënuar, por kjo nga ata të rangut të lartë sepse ajo nuk bashkëpunonte me UÇK-në. Mendoj se ata mundoheshin që ta bënin që të punonte në shtëpinë publike. E di që ajo ankohej në R. Q. dhe ushtarët e tij”, kishte rrëfyer para EULEX-it “Dëshmitari X”.
Pra, është e habitshme, se si në kohë lufte, kur si thuhet shqiptarët ‘nuk dinin ku e kishin kryet’, dikush kujtohej edhe për gjëra të tilla!
Mos u habisni, edhe pas luftës në Gjilan, një vend është përdorur për qëllime të ngjashme argëtimi.
Edhe atje, aso kohe ndodhnin edhe rrëmbime të nxënëseve dhe dërgoheshin si trofe për argëtim!
(Kjo analizë-interpretim bazohet tërësisht në dosjen e dëshmive të publikuara në media të "Dëshmitarit X” dhënë prokurorit special të EULEX-it)