Ngjarje e tmerrshme, vrasje në seri të ndodhura pas luftës, ende mbajnë në alarm ndërgjegjen e atyre që e përjetuan dhe mbijetuan. Jehona e saj ende është rrëqethëse. Më shumë se 20 vjet pas luftës, ajo kërret si një trokth! Ankthi saj, ende lë pa gjumë njerëz!
Rrethi vicioz i vrasjeve është në si thoshte një mik i imi “në trekëndëshin e Bermudeve”!
Trekëndëshi i Bermudeve, ende konsiderohet si një vend misterioz. Shkencërisht ende i pashpejgueshëm. Sipas përvojës njerëzore, që nga Lufta e Dytë Botërore apo edhe më parë, aty humbnin pa gjurmë aeroplan, anije, sapo f, uteshin mbi atë territor. Një anomali natyrore, që ka prodhuar teori të panumërta konspiracioni!
Këtë shprehje, jo rrallë e përdorte ky koleg pune, kur flisnim për vrasjet politike dhe situatën e rrezikshme.
“Andej nuk bën të udhëtohet natën. Mos të zëntë nata aty pari”, thoshte me një nënqeshje ironike.
Pra, mund të ishe i rrezikuar, me pakënaqësinë më të vogël, që mund të kishte ndaj jush, dikush nga ata që ‘administronin’ me atë territor.
Thirrja e paparaljmëruar për vrasje
Një ditë i kishin thirrur banorët e fshatit Grabanicë, të takoheshim në hotelin “Thana”. Aty filluan me një fjalim, dhe menjëherë dolën në çështje.
“Thanë duhet të vriten disa, veta. Dhe e shpërndanë një listë me emrat e atyre që duhej të vriteshin në fshatin tonë”, tregon ky burim për “Bota sot”.
Reagoi ish-luftëtari, Suka, shumë i vendosur dhe me këmbëngulje: “kurrë më nuk do të vritet askush. Ne jemi shqiptarë e vëllezër. Vetëm mbi trupin tim mund të vritet dikush, ta dini mirë”, kështu foli me sa mundi. Nuk u ndal së foluri, jo vetëm aty, por edhe më vonë, e ditëve të tjera.
Por, fatkeqësisht ishte jetë e rëndë, e pabesueshme.
“Një ditë kisha shkuar herët në punë, dhe pak kohë pasi mbërriva më mori në telefon një i afërm i imi. Po më thotë: a ke dëgjuar? Shkoj …, cili more, çfarë e gjeti? Jo, e vranë Sykin”, më tha.
O Zot, thashë, a do të ndalen ndonjëherë këta?”, rrëfen ky burim.
Nuk u mbyll me të. Vazhduan vrasjet, përmbushja e listës, dhe më pas ndodhi batërdia e dytë, lëmshi i konflikteve mes fqinjëve.
“10 veta u vranë nga lista”. Ky tmerr ndodhi sepse nuk pat drejtësi, nuk pati hetime serioze, dhe nuk pati ndëshkim për autorët, vlerësohet sot.
Një nga viktimat e përhershme, për vite të tëra kërcënimesh të kësaj dhune, por që fatmirësisht kanë mbijetuar gjallë, është familja Fazliu. I pari që ishte arrestuar nga kjo familje ishte Fadil Fazliu, kryetar i nëndegës së LDK-së në fshat. Kur banorët e këtij fshati u detyruan të ikin në fshatin Gllogjan të Gjakovës, atje filluan sulmet e reja, për gjithë familjen thuaja, nga njerëz të UÇK-së. Ata detyroheshin t’i mbanin edhe dritaret të mbuluara, në mënyrë që askush të mos shihej nga jashtë.
Një ditë, në fshatin Zhabel ndërhyjnë forcat e UÇK-së, dhe arrestojnë Fadil Fazliun. Për rastin e tij, dhe të tjera si për Skender Kuqin, dhe Pal Krasniqin, janë rigjykuar në Hagë Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj. Që të gjithë pas rishikimit të katërt të aktakuzës dhe procesit gjyqësor, u shpallën të pafajshëm në mungesë të vërtetimit të dëshmive se këta tre kishin lidhje me mbytjet dhe vrasjet, e Skender Kuqit, Pal Krasniqit dhe të tjerëve.
Ajo që kishte përjetuar kjo familje, përshkruhet edhe në aktakuzën e përmendur, ku ai dhe persona të tjerë ishin arrestuar vetëm pse ishin mbështetës të Rugovës, përkatësisht të partisë që ai e udhëhiqte.
“Më 23 maj 1998 ose rreth kësaj date, shqiptarët kosovarë, Naser Lika dhe Fadil Fazlija (Fazliu), të dy nga Grabanica, u rrëmbyen në fshatin Zhabel prej ushtarëve të UÇK-së, të dyshuar si tradhtarë për shkak se thuhej që kishin përkrahur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Ushtarët e UÇK-së i çuan në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë. Atje, Lahi Brahimaj, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së i kërcënuan Naser Likën, Fadil Fazlinë (Fazliun) dhe afërsisht njëzet persona nga fshati Grabanicë, duke i informuar se ata nuk mund të jetonin në Kosovë në qoftë se nuk e çlironin fshatin e tyre prej serbëve. UÇK-ja liroi Naser Likën dhe Fadil Fazlinë (Fazliun) pasi një anëtar i familjes ndërhyri dhe kërcënoi me “gjakmarrje””, thuhet në aktakuzën e ndryshuar katër herë.
Krimi i pandëshkuar
Ndërsa, në pikën 5 të aktakuzës për rastin e rëndë të Skender Kuqit, përshkruhet gjendja e tmerrshme e tij. Sipas provave të siguruar nga prokuroria, atij me sy mund t’i shihej njëra veshkë, nga plaga e hapur, prej rrahjes me hunjë!
“Më 11 korrik 1998 ose rreth kësaj date, Skënder Kuqi, shqiptar kosovar, u rrëmbye nga ushtarët e UÇK-së prej dyqanit të tij në Zahaq dhe u çua në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë ku ushtarë të UÇK-së e rrahën keqas me shkopinj dhe shufra metalike.
59. Më 16 korrik 1998 ose rreth kësaj date, Skënder Kuqi, i pavetëdijshëm dhe i plagosur rëndë si pasojë e rrahjeve të pësuara gjatë burgimit prej UÇK-së, u transferua në objektin mjekësor të UÇK-së në Irzniq për mjekim, ku vdiq. Veshka e tij shihej prej një plage të hapur si pasojë e rrahjeve. Ai u varros prej ushtarëve të UÇK-së në Jabllanicë. Më vonë kufoma e tij u zhvarros dhe iu dha familjes së tij në bazë të udhëzimeve të Ramush Haradinajt”, thuhet në aktakuzë.
Skender Kuqi ishte nga fshati Lutogllavë, jo i largët me familjen e politikanit të PDK-së Hajredin Kuqit, i cili besohet se ndihmoi në rehabilitimin e kësaj familje pas luftës.