Më në fund policia e Kosovës e ka arrestuar një serb për krime lufte.
Pa dyshim, që ky është një hap i rëndësishëm, jo thjesht për arrestimin e tij, por të një zyrtari policor.
Por, e keqja e këtij akti është se e provon katërçipërisht mosveprimin institucional për ndjekjen e kriminelëve serbë.
Pse nuk arrestohej?
Pyetja e parë është, se si ishte e mundur që policia të mos e zbulonte se në Kosovë po hynte e po dilte vazhdimisht një kriminel serb?!
Si është e mundur që asnjë institucion i sigurisë të mos e hetonte dhe zbulonte?
Pra, si u bë që një kriminel për 23 vjet, hyri dhe doli sa herë që deshi dhe nuk u arrestua!?
E para dilemë, përpos mosveprimit të pafalshëm, në shkelje të plotë ligjore, është se lihej i lirë një kriminel dhe që nëpërmjet tij mund të ishte kapur një zinxhirë kriminelësh serbë.
Përtej kësaj, familjarët e viktimave, të mbijetuarit dhe të tjerët, mund të kishin ndier një satisfaksion, se më në fund ligji po i dënon edhe serbët kriminelë.
Por, pse pas 23 vitesh ky arrestim, dhe dhjetëra të tjera, që janë kryer kohëve të fundit!
Serbë të cilët e vizitonin Kosovën, në vitet e para të pasluftës, vinin me përcjellje të UNMIK-ut, në mënyrë që të shmangeshin arrestimet e të dyshuarve.
Por, pas pavarësisë Kosovës, kur u shua misioni i UNMIK-ut, me përjashtim të zyrës në veri të vendit, është pyetja thelbësore se pse nuk u arrestua thuajse askush!
Shqiptarët kanë kujtesë të fortë, sepse zakonisht nuk mbajnë shënime, dhe tregimin e tyre e reprodukojnë duke e ndarë me të tjerët!
Kjo në aspektin, e mbamendjes së figurës, tonalitetit, veshjeve etj, krijon një qëndrueshmëri në kujtesë, e cila duhet të jetë sa me qartë në proceset gjyqësore.
Derisa ukrainasit, duke pasur rreth 80 % të territorit nën kontroll, pasi i larguan forcat ruse nga Kievi dhe i dëbuan drejt lindjes, edhe pse janë në luftë, po vazhdojnë t’i arrestojnë dhe dënojnë ata ushtarë rus për të cilët ka prova se kanë kryer krime lufte.
Në Kosovë, asnjëherë nuk ndodhi kjo. As që kishim mundësi, para se të çliroheshim. Por, bie në sy se ish-pushtetarët e pas Pavarësisë, kishin objektiva të tjera.
Përpjekjet e Thaçit&co
Ata nuk donin t’ hynin fare arrestimeve. Se cili ka qenë motivi i politikave të tyre, tani për tani mund të supozohet. Objektivisht, fajtori kryesor mund të shihet dhe besohet se ishte Hashim Thaçi.
Ai e dinte apo dyshonte shumë, se pas një kohe do të përfundonte në burg në Hagë. Kështu që duket i logjikshëm hamendësimi, se duke dënuar serbët, duke i kërkuar të dyshuarit për krime, mund të ishte më i cenueshëm nga serbët, pasi në Hagë, po akuzohet ai dhe të tjerët edhe për dyshimin se janë ekzekutuar serbë të pafajshëm, përveç mbështetës të Rugovës dhe LDK-së.
Një arsye tjetër për të besuar se Hashim Thaçi ishte pengesa kryesore për arrestimin e serbëve, është se ai pat bërë një përpjekje direkte, për ta kaluar një ligj në Kuvend, me të cilin amnistoheshin krimet e serbëve në Kosovës.
Por, Kuvendi i Kosovës, e pat hedhur poshtë Projektligjin për Amnistinë të qeverisë Thaçi në vitin 2013, pasi për kalimin e tij duheshin 2/3 e votave. Edhe disa deputetë të PDK-së, nuk iu patën bindur Thaçit për votimin e një ligji të pamoralshëm dhe antishqiptar madje.
Në emër të arritjes së pajtimit, ai synonte, të krijonte një mbështetje për lirinë e vet, me shpresën se serbët do ta falnin, dhe do t’i tërhiqnin akuzat ndaj tij.
Një argument tjetër është se ai pat filluar një praktikë negative, jo pse takonte serbët, por vizitonte monumentet më fyese për shqiptarët.
Argumenti i tretë është, se pas dështimeve me ligjin, ai filloi një fushatë mediale, së cilës i printe Baton Haxhiu, i cili thoshte “se ka kaluar shumë kohë krimet janë vjetruar dhe duhet pajtim”.
Një ide e marrë në aspektin ligjor, sepse krimet e tilla penale, të luftës nuk vjetrohen kurrë, por edhe asnjëlloj vrasje! Apo si thotë fjala e urtë shqipe, “gjaku nuk humb” apo “gjaku nuk bëhet ujë”!
Thirrjet e Haxhiut nuk e kishin hallin tek marrëveshja, por se si ta shpëtonte Hashim Thaçin nga arrestimi prej gjykatës speciale. Dhe për të qenë e sigurt mosndjekja e Thaçit, ai e kërkonte, sigurisht në marrëveshje me të, faljen e krimeve, si pjesë të marrëveshje ndështetërore dhe përfundimtare!
“Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të përfshijë faljen e krimeve të luftës”, thoshte Haxhiu, vetëm pak muaj para se të konfirmohej aktakuza për Thaçin dhe të ndodhte arrestimi.
Tezën për përfshirje të amnistisë së dyanshme, Haxhiu e kishte rimarrë nga vetë Presidenca Thaçi, e cila në vitin 2018 thoshte se ajo do të ishte pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Pra, atë që kishte dështuar Thaçi ta bënte si kryeministër nëpërmjet një ligji, nga viti 2018 deri më 2020, tentonte ta bënte nëpërmjet një marrëveshje politike, dhe propagandës mediale, që ia udhëhiqte Baton Haxhiu.
Pse arrestohen sot?!
Këto veprime të qeverisë dhe Presidencës Thaçi, duhet të shpjegojnë se pse për 23 vjet endej nëpër Kosovë një kriminel serb, sikurse qindra apo mijëra të tjerë!
Prandaj, kriminelët serbë sot mund të arrestohen, sepse nuk po ka më kush t’i mbrojë!
Edhe Isa Mustafa, edhe këtë rast mund t’i qortojë institucionet se nuk po i presin me lula, kriminelët!
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës serbi arrestuar për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1998-1999 në fshatin Gurakoc të Istogut.
Identitetin e tij e ka zbuluar Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, sipas së cilës krimineli është 54 vjeçari Çasllav Jolliq.
Është pikërisht kjo zyre që e ka konfirmuar se ai i arrestuari është banor i Serbisë, i cili për 23 vjet rregullisht kishte udhëtuar për në Kosovë dhe nuk ka pasur probleme.
Ai nuk ka pasur probleme me udhëtimet, por ka probleme me të kaluarën e tij kriminale, me ligjet e Kosovës dhe ligjet ndërkombëtare, të cilat nuk është dashur t’i thyente kur ishte lufta!