Rusia po paralajmëron goditje të reja në Ukrainë. Pra, më shumë sulme, më të rënda dhe më të rrezikshme.
Në ndërkohë, Serbia po e pret ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrovin, dorën e djathtë të despotit rus, Vladimir Putinit, për t’ia përcjellë mesazhet e tij, dhe për të bërë marrëveshje të reja.
Ndërsa, eksperti amerikan Daniel Server paralajmëron se Serbia mund të vendos që ta imitojë Rusinë, dhe të nisë një invazion në veri të Kosovës.
Në ndërkohë, ende shumë shtete perëndimore, po shpresojnë që Serbia të ndërrojë anë, madje pasi ta krijojë qeverinë e re.
Shumë pak e besueshme, përveç nëse Rusia vërtetë humb nga Ukraina, përmbyset pushteti në Moskë, apo diçka që do të përbënte një rrethanë të re fatale për rusët, dhe që Serbia të kthehet kah Perëndimi.
Kosova nuk pati potencial, as dijen dhe mundësitë e nevojshme, që t’i shfrytëzonte këto 100 e sa ditë të luftës në Ukrainë, që ta bënte Perëndimin për vete dhe t’ia paraqiste diplomacisë botërore, Serbinë, me fytyrën e vërtetë prej gogoli e satanike.
Shqipëria me Edi Ramën, mori plotësisht anën e Serbisë dhe nuk bëri asgjë për Kosovën, për ta ndihmuar çështjen shqiptare. Me atë rast edhe Shqipëria do të merrte një rol të ri, përkatësisht me më shumë ndikim në Ballkan, se sa duke qëndruar përkrah Serbisë dhe Vuçiqit, siç bëri Edi Rama. Ky poltronizëm i tij, kjo ‘obediencë’ e shtetit shqiptar ndaj Serbisë është e trishtë.
Për herë të parë, shqiptarët mund të merrnin një rol udhëheqës në këtë pjesë të Ballkanit, duke e diskredituar besimin europian për Serbinë, por Rama duke kryer detyrat e ‘kalorësit të madh ortodoks’, i shiti interesat e shqiptarëve.
Kërcënimi rus dhe rreziku serb
Rusia po përpiqet të përshpejtojë konfliktet në rajone të ndryshme jashtë saj, dhe njëkohësisht ka kërcënuar se do të godasë më pamëshirshëm Ukrainën, për t’i dëshmuar Perëndimit se nuk duhet ta armatosë me raketa me rreze veprimi, që mund ta godasin Rusinë në brendësi.
Vetë autokrati Vladimir Putin ka kërcënuar se do të “godasë ato objektiva që ende nuk i ka goditur” deri më tash në Ukrainë, nëse Perëndimi i siguron Kievit armatim me rreze më të gjatë veprimi se sa ato aktuale.
Ukraina ka kërkuar sisteme të avancuara të lëshimit me shumë raketa si M270 dhe M142 HIMARS në mënyrë që të jetë në gjendje të godasë në pjesën e pasme të forcave ruse.
Deri më tash raketat me rrezen më të gjatë të veprimit janë ato të ofruara nga Britania e Madhe, sistemet raketore M270, të cilat mund të lëshojnë raketa me saktësi deri në 80 kilometra.
Ndërsa, SHBA-ja do ta furnizojë me raketa me rreze veprimi deri në 70 km, ndërsa vetë sistemet që do t’i dërgohen Ukrainës mund të lëshojnë raketa me rreze të gjatë veprimi, por, që kjo e drejtë nuk do t’i jepet asaj.
Ukrainës do ti jepet sistemi artilerik me lëvizshmëri të lartë apo HIMARS, i cili mund të vendoset edhe në kamion dhe mund të mbajë deri në gjashtë raketa.
Ukraina ka filluar të marrë edhe raketa anti-anije Harpoon nga Danimarka. Ndërkohë, edhe Spanja i ka premtuar sisteme raketore dhe tanke “Leopard”.
Pra, këto armatime dhe të tjera që po i dërgohen në vazhdimësi Ukrainës, pritet që ta ndryshojnë rrjedhën e luftës dhe që forcat ruse të marrin një goditje të re. Qëllimi i rritjes së forcës ushtarake ukrainase është që Rusinë ta kthejë në pozicionet e para 24 shkurtit të këtij viti, dhe pastaj do të mbetet çështja e Krimesë së pushtuar.
Prandaj edhe diktatori Putin ka bërë një paralajmërim të ri kërcënues, për të frikësuar Perëndimin, dhe për të parandaluar humbjen e pashmangshme të ushtrisë ruse. Por, njëkohësisht, Rusia tashmë po i kërkon Serbisë, që të vë në plan projektet e marrëveshjeve të fshehta me Rusinë, sigurisht ndaj Republikës Serbe, por edhe ndaj Kosovës!
Në këtë kontekst duhet të shihet edhe kërcënimi serb i paralajmëruar nga Daniel Server, sipas të cilit ajo mund ta bëjë një kauzë të rrejshme, sikurse Rusia, që të dislokojë forcat e saj në veri të vendit, edhe pse NATO-ja është duke i përcjellur lëvizjet e Serbisë!
Por, këtë gjë duhet ta bëjë edhe Kosova, duke vazhduar investimin serioz në armatimet efikase, përveç atyre që ka siguruar prej kohësh në një sasi, si raketat “Javelin”, por të insistojë edhe për sigurimin e dronëve të mjaftueshëm dhe për armatime të tjera ta avancuara të lehta, por efikase për mbrojtje.
E fundit – Zgjedhja e presidentit të Shqipërisë
Sipas raportimeve dhe shpërndarësve të informacionit, disa prej tyre edhe duke e interpretuar shkruanin pak orë para zgjedhjes së presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt, se ai është zyrtarisht i paditur “për keqpërdorim detyre”.
Bajram Begaj, deri dje ish-Shef i Shtabit të Ushtrisë së Shqipërisë, prof. As. në Fakultetin e Mjekësisë, është numri i parë në mesin e disa të paditurve, me dyshimin për vendime të gabuara për pronat e ushtrisë, të ushtruar nga ish-numri dy i ushtrisë, Artur Meçollari, për bazat e Sarandës dhe Shëngjinit.
Nuk e dimë se si do të zgjidhet ky proces, dhe as nuk duam ta paragjykojmë. Por, bazuar nga përvoja qeverisëse e drejtuesve të lartë në Kosovë, është shumë e pashëndetshme për institucionet që në krye të shtetit të jetë një i dyshuar për vepra penale të rënda.
E para, kjo gjithmonë e bën një figurë të cenueshme dhe të pabesueshme mjaftueshëm nga shumica shqiptare, dhe e dyta edhe më e rrezikshme, kjo dosje e tij mund të përdoret në çdo kohë apo në vazhdimësi, që ai t’i shërbej me dëgjueshmëri, njerëzve që nuk i ka epror, në këtë rast kryeministrin Edi Rama dhe të tjerët, që mund ta shantazhojnë.
Pra, në këtë situatë nuk pritet një ndryshim thelbësor as i kursit në raport me Serbinë, dhe as me Greqinë!