Dy të vdekur të pafajshëm, 156 vjet burg / Pse nuk paditet Ali Ahmeti për rastin “Sopoti”?!

Aktuale

Dy të vdekur të pafajshëm, 156 vjet burg / Pse nuk paditet Ali Ahmeti për rastin “Sopoti”?!

Nga: Idriz Morina Më: 5 qershor 2022 Në ora: 19:24
Procesi gjyqësor në rastin e kurdisur "Sopoti"

Një nga të burgosurit e pafajshëm të rastit Sopoti, ndërroi jetë. Fatmirësisht plaku ia arriti ta shijonte shpalljen e vendimit të pafajshëm, drejtësinë e munguar, por jo mjaftueshëm lirinë.

Shqiptarët e rastit “Sopoti”, qenë dënuar padrejtësisht me 156 vjet burg. Rihapja e çështjes u bë e mundur vetëm pasi ish-kryeministri Zoran Zaev, i hapi dosjet e fshehta publikisht, sa ishte udhëheqës i opozitës, duke i paralajmëruar shpalljet e përgjimeve si “shpërthime” të kurdisura.

Rënia e Qeverisë së Gruevskit, pas vrasjes së 10 shqiptarëve në Betejën e Kumanovës, dhe protestat pas atyre ngjarjeve e hapën procesin e zbardhjes të së vërtetës.

U vërtetua, siç thoshin edhe përgjimet e dy njerëzve e kryesore të sigurisë, shefit të Shërbimit Inteligjent, Sasha Mijalkovit dhe Ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, se ata ishin dënuar pafaj.

Me vendim të Gjykatës me 19 mars të 2018-s, të akuzuarit e rastit Sopoti u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga burgu.

Dhe më pas, Qeveria e Maqedonisë së Veriut u detyrua të dëmshpërblente gjashtë ish-të dënuarit në rastin “Sopot”, në vlerë prej 73 milionë denarë, apo rreth 1.3 milion euro, të cilat u ndanë proporcionalisht sipas dënimeve. Ndërsa, si shifër referente qe caktuar shuma prej 5.500 denarë apo rreth 90 euro për një ditë qëndrimi në paraburgim, burg shtëpiak apo në burg.

Image
Pamje pas seancës ku u arrit marrëveshja për dëmshpërblimin e viktimave

Rasti “Sopoti” ishte një proces i montuar ndaj shqiptarëve, pas shpërthimit të një mine në fshatin Sopot në mars të vitit 2003, ku la të vdekur dy ushtarë polak të NATO-s dhe një maqedonas. Për rastin qenë dënuar 11 banorë, me 156 vjet burg.

Por, vetëm gjashtë prej tyre pushteti sllavomaqedonas ia doli t’i fuste në burg. Ndërsa, pesë të tjerë u dënuan në mungesë, sepse nuk pranuan t’i dorëzoheshin gjyqësorit të kontrolluar nga sllavomaqedonasit dhe klikat antishqiptare.

Por, tashmë njëri prej tyre, i plakur, shumë, pas 19 vitesh nga rasti e 15 vitesh burg, i lodhur nga jeta, vdiq! Ai ishte Sulejman Sulejmani, i arrestuar në maj të vitit 2003 me akuzë të rrejshme se së bashku me disa bashkëfshatarë të tjerë kishte vendosur një minë shpërthyese në dalje të fshatit të tyre, ku kishin humbur jetën dy ushtarë polak të misionit të NATO-s.

Syljelmani ishte ndër 11 të dënuarit e fshatit, dhe ai vuajti afër 7 vite burg, për të cilat ka mund të dëmshpërblehet me rreth 220 mijë euro.

Ndërsa, një rast tjetër shumë prekës ishte edhe ai i Samet Limanit, që doli të ishte një njeri shumë fatkeq, i cili përveç se u dënua pafaj, nuk arriti ta shihte ditën e rigjykimit. Ai qe akuzuar për vendosjen e minës nga e cila vdiqën tre shtetas të huaj. Por, ai nuk kishte pranuar t’i dorëzohej asnjëherë autoriteteve. Pasiguria nga jeta e gjatë në arrati, stresi, dhe situata të tjera të rënduara jetësore, si pasojë e jetës në ilegalitet, bën që në moshë të re, 43 vjeçare, Limani të vdiste nga një sulm në zemër, shtatë vite më parë.

Dëmshpërblimi

Për shkak se u zbulua se rasti “Sopoti” ishte një komplot, të vuajturit, në rrugë gjyqësore fituan dëmshpërblim. Por, duket se deri më tash atë ia dolën ta marrin vetëm ish të dënuarit për terrorizëm: Samet Lutfiu, Hasan Klaiqi, Sulejman Sulejmani, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani dhe Zenel Klaiqi.

Ndërsa, Isa Klaiqi, Afrim Ukshini, Selman Jahiu dhe Bashkim Ukshini nuk qenë të përfshirë në marrëveshjen e dëmshpërblimit për shkak se të njëjtit ishin dënuar në arrati, dhe duhej një procedurë tjetër.

Në vitin 2019 Kuvendi i Maqedonisë kishte miratuar Rezolutën me të cilën iu kërkohej falje të gjithë qytetarëve ndaj të cilëve ishte bërë padrejtësi.

Image
Sulejman Sulejmani, i cili ndërroi jetë sot, pak kohë pas marrjes së dëmshpërblimit

Pritja e gjatë e pajustifikuar

Por, pse u deshtë të pritej aq gjatë, publikimi i përgjimeve ‘bomba’ që shteti të ndërmerrte një hap minimal, rihetimin e çështjes, ndërsa prej përfundimit të luftës në Maqedoni, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është fuqizuar shumë atje.

Për komplotin në rastin Sopoti, kishte dëshmuar nëpërmjet letrave të tij “Letra e Shenjtë Nr. 4", aktivisti nga Orizarja e Kumanovës Murat Jashari, vëllai i komandant “Kumanovës” – Ismet Jasharit, që ndërroi jetë në Kosovë, ndërsa po vazhdonte procesi gjyqësor ndaj tij.

Pra, që në vitin 2012 Jashari e fajësonte Ali Ahmetin për një seri komplotesh, në mesin e të cilëve edhe rasti Sopoti.

“32. Pse nuk u prononcove për vrasjet në Gazibabë, Tanushës së Rekës, Brodecit, Sopotit dhe për vrasjen e Komandant Ilirit, Harun Aliut-“Kushtrimit?”, thuhet në pyetjen e 32 të Jasharit.

Në pyetjen tjetër, 33, Murati e akuzon se ai është i përzier 100% në komplotin e Sopotit dhe të tjerë. “33. Nuk je prononcuar se edhe ti në mënyrë konspirative je i përzier,100%, a po?”, thuhet sipas informacioneve të Jasharit.

Por, organizimi i forcave shqiptare në Maqedoni kishte resurse në njerëz dhe para, por ato u shpërdoruan. Natyrisht sikurse të kishte humanizëm dhe atdhedashuri, paratë që tepruan nga lufta mund të përdoreshin edhe për të hetuar rastet e kurdisura, sikur ai i Sopotit.

Në letrën dërguar Musa Xhaferit, Murat Jashari, i kërkonte llogari se ku kishin shkuar 8 milionë franga të grumbulluara në Zvicër.

“28. Në Zvicër mbi 14 milion CHF janë grumbulluar, a është kështu?

29. Raportin e shpenzimeve të luftës së vitit 2001 e ka bërë nji ekspert i kësaj lamie, a është kështu?

30. Shpenzimet e luftës kanë qenë gjithsejtë DM 6 milionë, a është kështu?

31. Ku i çuat tjerat para?”, e pyeste po në vitin 2012 Murat Jashari, Musa Xhaferin drejtues I BDI-së dhe zyrtar i lartë shtetëror në Maqedoni.

Ndërkohë, sot, Ali Ahmeti e ka mbajtur fjalën kryesore duke dhënë mesazhe se BDI-ja, ishte krijuar nga çlirimtarë, atdhetarë dhe intelektualë, 20 vjet më parëm, ndërsa është munduat ta jap kinse një imazh të shqiptarëve në Maqedoni se jetojnë thuajse në lumturi.

Image
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

 

“Dy dekadave tona dje dhe pardje iu gëzuan me dhjetëra mijëra qytetarë në sheshet e Shkupit dhe të Tetovës, edhe atë me arsye të fortë e të shëndosh sepse kanë se për çfarë të gëzohen e të festojnë.

Së bashku i gëzohen: paqes, pajtimit, zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, barazisë dhe drejtësisë, demokracisë konsensuale, integrimit të brendshëm, rajonal dhe euro-amerikan dhe të ardhmes, agjendës së gjelbër”, tha Ahmeti, por duke harruar se viktimat e dështimeve politike të tij dhe të BDI-së, po vdesin duke pritur drejtësi.

Zyra e Avokatit të Shtetit, në bazë të detyrës zyrtare, që në 2018 ka paralajmëruar të ngrejë padi kundër gjykatësve, prokurorit, si dhe agjentëve të DSK-së për të cilët dyshohet se janë të përfshirë në inskenimin e rastit “Sopoti”.

Por, me shumë gjasë Murat Jashari kishte të drejtë në informacionet e tij, duke parashikuar 6 vite para rigjykimit të procesit, se “Sopoti” ishte rast i kurdisur, por sipas tij ishte i përfshirë edhe Ali Ahmeti, ndaj të cilit duhet të zhvillohen hetimet për të parë nëse ai ishte pjesë e skandalit!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat