Shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë fitoren në betejën me sllavomaqedonasit. Jo pse kjo është e pamundur, por kryesisht për fajin e politikanëve të komprometuar dhe të kontrolluar nga shërbimet antishqiptare, dhe të tjera. Pra, vend kryesor në politikën shqiptare në Maqedoninë Veriore, vazhdojnë të kenë figurat, që interesin parësor e kanë kryerjen e shërbimeve joshqiptare!
Në regjistrimin e fundit, pas shumë dekadash zyrtarisht shqiptarët dolën afër 30% e popullsisë. Sipas burimeve perëndimore të dëshmuara edhe nga publicistë shqiptarët në Maqedoni janë rreth 45%. Presidenti Ibrahim Rugova, në dëshmitë e tij për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, deklaronte se 40% janë shqiptarë.
Edhe në regjistrimin e fundit, sipas analizës sonë, rezulton se rreth 40% është numri minimal i shqiptarëve në Maqedoni, pasi grupe të tëra u lan edhe pa u regjistruar. Shto këtu edhe faktin, se shqiptarët ortodoks vazhdojnë të shtypen dhe të mos konsiderohen shqiptarë, duke ua mohuar identitetin, shkollat shqipe dhe të drejtat etnike.
Pra, shqiptarët në rastin kur e kalojnë 40% si popullatë ata janë shumica e parë në Maqedoni, pasi pakicat tjera, dhe veçanërisht regjistrimi i saktë i pakicës së mohuar bullgare, e ulin në mënyrë drastike numrin e popullsisë që deklarohet si maqedone.
Këtë parashtrim e bëmë, për të parë gjendjen si pasojë e krizës së thellë e shkaktuar nga shtypja sllavomaqedonase ndaj identitetit të shqiptarëve në Maqedoni, dhe në një mënyrë edhe përbuzjen e tyre, tashmë nga dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, të cilat nuk do të duhej të kishin lejuar margjinalizimin e vazhdueshëm të shqiptarëve, përkundër një ndryshimi të vogël të disa të drejtave, por që realisht në shumë aspekte, si gjuhësore, janë të reduktuara në krahasim, me ato që i gëzonin me Kushtetutën maqedonase gjatë komunizmit, edhe pse ato nuk respektoheshin.
Lufta
Lufta u bë, pavarësisht sakrificës, edhe ajo dëshmoi se nuk kishte menaxhim të mirë as në luftë dhe as në paqe. Sidoqoftë, më mirë se në Kosovë rrodhi, por kjo kryesisht për shkak të pafuqisë së Republikës së Maqedonisë për të kryer gjenocid dhe krime masive, e cila as nuk kishte ushtri të mirëfilltë dhe as armatim, prandaj edhe mund të shpartallohej, madje lehtë.
Por, në vend të shpartallimit të saj, ndodhi dorëzimi, dhe Marrëveshja e Ohrit, më pas. Kjo Marrëveshje duhej ta kishte pikënisje, Kushtetutën e kohës së komunizmit në të cilën shqiptarët kishin shumë më shumë të drejta se me Kushtetutën e Maqedonisë të periudhës së saj të Pavarësisë, dhe nga aty të avancoheshin shumë më shumë, së paku në një barazi të plotë në raport me sllavomaqedonasit.
Që nga viti 2001 kur u nënshkrua ajo Marrëveshje, çështja shqiptare fare pak është avancuar, por edhe vetë ajo Marrëveshje është kufizuese dhe penguese për të pasur barazi të plotë shqiptarët me sllavo-maqedonasit, pasi mbi të gjitha nuk ia njeh barazinë e shtetformimit!
Por, tregimi nuk përfundon këtu, me Marrëveshjen e Ohrit.
Dhuna dhe terrori shtetëror
Një sistem i paparë dhune shtetërore, në emër të vendosjes së rendit dhe ligjit, pa zbatuar fare as Marrëveshjen e Ohrit, do të orientohet kundër luftëtarëve shqiptarë.
Nuk është e sigurt për mënyrën se si u vranë, por pushteti në tërësi, përfshirë edhe shqiptarët, fajësohet për vrasjen e 100 deri në 200 ish-luftëtarëve shqiptarë.
Të dhënat, janë nga Murat Jashari, i cili kërkonte llogari nga Musa Xhaferit, që aso kohe, në vitin 2012 mbante pozitën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë.
“Mbi 200 djem të UÇK-së janë vrarë nga shërbimi i “Makedonska Republika” (me shumë se në luftë) a po?”, dëshmonte Jashari, tashmë i ndjerë.
Çështja nuk është thjesht se kishin ndodhur disa vrasje, por edhe se kush ishte në pushtet, dhe a lejoi apo ndihmoi e bashkëpunoi në eliminimin e tyre!
BDI-ja në Maqedoni është partia shqiptare, që konsiderohet se u krijua nga strukturat e dala nga organizimi i luftës në Maqedoni.
Si e tillë, meqë ajo ishte në pushtet, nëse ajo nuk kishte dorë në organizimin e vrasjeve, nëse ajo nuk i ndihmoi ato, ajo së paku duke qenë në pushtet duhej të dinte, mësonte se nga kush ishin kryer ato krime.
“56. BDI a ishte në pushtet kur janë bërë vrasjet? 57. A ishte zëvendës i policisë i BDI-së?”, pyeste Murati me të drejtë, sepse nëse shqiptarët nuk ishin në krye të qeverisë kishin zëvendësin, nëse nuk ishin në krye të policisë së shtetit e kishin zëvendësinë, nëse nuk ishin në krye të Shërbimit Inteligjent e kishin zëvendësin në DBK: “58. A ishte zëvendës i DBK i BDI (Nazim Bushi)?”.
“59. A ishte zëvendësministër i Punëve të Brendshme Fatmir Dehari? 60. A ishe zëvendëskryeministër ti Musa Xhaferri?”, shkruante Jashari.
Më pas vjen tek pyetja thelbësore e tij, se kush ishin porositësit e vrasjeve të luftëtarëve të UÇK-së.
“Kur janë marrë vendimet për likuidim të djemve të UÇK-së, a i keni kundërshtuar maqedonët sllav, apo keni vendosur bashkërisht? 63. A e keni përdorë të DREJTEN E VETOS për të ndaluar vrasjen e djemve të UÇK-së nga bashkëqeveritarët e tu, o Musa Xhaferi??? 64. Pse jo ???????”, shkruante Murati, por për këto as ai dhe as publiku shqiptarë nuk mori kurrë asnjë përgjigje.
Murati shprehte dyshime serioze se Xhaferi mund të ishte në dijeni për krimet që po ndodhnin. Ai niset nga premisa se nëse nuk ka bërë asgjë për t’i bllokuar ato vrasje (në Qeveri), atëherë ai mund të kishte dorë në përgatitjen apo lejimin e tyre.
“65. Nëse nuk i ke bllokuar vendimet për likuidime të ushtarëve të UÇK-së, a mund të mendohet se je bashkëprojektues i vrasjeve?”
Jashari po ashtu e përdorte për argument edhe faktin se nuk e kishte kundërshtuar publikisht Qeverinë asnjëherë për përgjegjësinë që kishte në vrasje.
“66. Ke mundësi të thuash që nuk ke qenë në ngjarje Musë, por a ke dalë publikisht për të kundërshtuar qeverinë tënde ku ishe dhe je pjesëmarrës???
67. A ke dalë ndonjëherë publikisht për të denoncuar vrasjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga shërbimi i «Makedonska Republika»???”, pyeste Jashari.
Atentate dhe spiunime
Por, përveç Jasharit thuaj se askush tjetër nuk është marrë për të sensibilizuar opinionin, në mënyrë që të kërkohej llogari dhe të zbardheshin vrasjet, dhe të hiqeshin dilemat për njerëzit përgjegjës!
Ngjashëm dyshonte edhe për Ali Ahmetin, që prej themelimit të kësaj partie në vitin 2001 është kryetar i saj. Pra, prej më se 21 vitesh, ai asnjëherë nuk është larguar nga kreu i saj.
Sipas Murat Jasharit, Ali Ahmeti mban përgjegjësinë për jetën e humbur të 105 ushtarëve.
“224. Për ta bërë IRJM-në Republika Makedonia i keni spiunuar e vrarë atdhetarët, 105 djem nënash e baballarësh dhe shumë djemve të tjerë ende gjymtyrët iu kullojnë gjak, a është kështu?”, pohonte Jashari, pa e kontestuar si fakt.
Po ashtu Jashari e vë në dyshim Ali Ahmetin, nëse ai është përgjegjës që dikush ia dha një CD Shërbimit Inteligjent të Maqedonisë
“227. Kush ia dha UDB-së, CD-në me të dhënat e Brigadës 113, “Ismet Jashari”?”, pyeste Murat Jashari.
Një situatë tjetër duket të ketë qenë më dramatike.
“228. Më 7 gusht 2001, mbas 16 viteve në mërgim, po kthehesha në Vendlindje, thellë në pyll ishim duke zbritur për Brezë, kush i kishte qitë ushtarët me më vra mua e shoqëruesit?
229. Një dëshmitar e keni vrarë, apo?
230. Një është gjallë dhe nuk vdes, jo,....!”, e akuzonte Jashari, Ahmetin.
Vrasjet më të njohura mbeten rasti në Gazibabë, pastaj në Tanushë të Rekës, Brodec, Sopot, vrasja e komandant “Ilirit” - Isa Likës, Harun Aliut-“Kushtrimit, e Arif Seferit, Naser Hanit etj.
Harun Aliu është vrarë me 12 maj 2010 në një pritë, së bashku me shokët e tij, Xhafer Shalën, Qemal Fejzullahun dhe Shaban Zenunin, në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit në një pritë të organizuar nga Forcat e Armatosura të Maqedonisë.
Më 12 qershor 2001 u vra nga Forcat e Sigurimit maqedonas intelektuali dhe atdhetari, Naser Hani, i lindur në Veleshtë të Strugës me 15 gusht 1958.
Skandali i ‘bombave’ që shpaloste krimet shtetërore dikur i nisur nga Zaevi, duket se duhet të vazhdohet nga shqiptarët. E vështirë të gjendet ndonjë rrugë tjetër për të zbardhur krimet e shumëfishta dhe të përsëritura.