Sylë Hoxha: Lista Serbe duhet të merret në pyetje, me dhunë

Aktuale

Sylë Hoxha: Lista Serbe duhet të merret në pyetje, me dhunë

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 08:42
Sylë Hoxha

Refuzimi i ftesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për intervistim, nga kushdo qoftë, nuk është gjë e ligjshme, thotë ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha.

Lista Serbe, partia udhëheqëse serbe e Kosovës, ka konfirmuar më 9 qershor se zyrtarët e saj të lartë i kanë refuzuar ftesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për t’u marrë në pyetje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj prokurorie me pyetjen se cilat janë procedurat dhe hapat ligjorë, që pasojnë rastet kur ftesa e saj për intervistim refuzohet, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje. Prokuroria nuk ka dalë as vetë me ndonjë njoftim për ftesat e pretenduara për intervistim.

Duke folur për REL-in, ish-prokurori Hoxha shpjegon:

“Nëse ftesa refuzohet, atëherë lëshohet urdhëresa që ai të sillet me dhunë. Menjëherë. Vetëm caktohet termini kur ka kohë prokuroria të merret me palën, në bazë të asaj se si e ka radhitjen e intervistave dhe të marrjes në pyetje të njerëzve. Nuk ka ndonjë afat tjetër”.

“Refuzimi mund të sjellë pak vonesa, pak probleme, por patjetër se [intervistimi i individit nga prokuroria] ka për t’u ekzekutuar”, thotë Hoxha.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar në prill se kundër “qytetarëve, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë” në veri të Kosovës janë ndërmarrë procedura “për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.

Atëbotë, ai ka thënë se dyshohet se Prokuroria Speciale po ndjek penalisht më shumë se 70 serbë për pjesëmarrje në protestat e vitit të kaluar, por nuk ka specifikuar se në cilat protesta.

Rakiq, më 9 qershor, ka konfirmuar se ftesa për intervistim nga prokuroria i ka ardhur edhe nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, dhe anëtarit të kryesisë së kësaj partie, Sllavko Simiq.

Rakiq është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa Sllavko Simiq është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Igor Simiq, ndërkaq, është deputet i Kuvendit të Kosovës.

Rakiq ka thënë një ditë më herët se askush që gjendet në listat e pretenduara për intervistim nga Prokuroria e Kosovës, nuk do të përgjigjet. Në rast se arrestohen, sipas tij, do të pasojnë “protesta me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike dhe, madje, edhe mosbindja civile”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat