Familja Balliste Behrami nga Kotori, me 16 ushtarë të UÇK-së/veteran, me qindra ushtarë që i kishte ushqyer e strehuar gjatë luftës, përfshirë Sami Lushtakun, dhe mijëra civlëve të zhvendosurve që u jepte ushqim, ende pa u bërë një vit nga çlirimi do të goditej me sulme terroriste nga një bandë shqiptarësh. Mëkati i vetëm, sepse nuk po tërhiqeshin nga mbështetja për Rugovën dhe LDK-në.
Ishte 11 qershori i vitit 2000, një familje që jetonte në një fshat kodrinoro-malor në Drenicë, burrat e shtëpisë, sipas zakonit, kishin shkuar të merrnin dru në malin e tyre, me leje. Por, ato dru atë ditë do të bëheshin kobi i kësaj familje, që tashmë ishte kthyer në cak, për ta zhdukur, pasi kishte refuzuar nënshtrimin, konvertimin në majtist, nga djathtist.
Sikurse e përcaktuar nga kodi kanunor, burrat nuk e thyenin fjalën-besën e dhënë. Për një dekadë kishin punuar për institucionet e Kosovës, bërjen e shtetit paralel, gjatë luftës ishin nën armë, dhe disa prej tyre, më kryesorët Xhafer Behrami dhe Jetullah Behrami, do të ishin të angazhuar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila ishte e vendosur në Tiranë, nga të cilët më i njohuri ka mbetur ministri Ahmet Krasniqi, si ndjekës i fuqishëm i linjës institucionale. Po ashtu i vrarë, në luftë, sepse nuk iu nënshtrua një grupi të së majtës.
Xhaferi dhe Jetullahu, ishin nga intelektualët e pakët të zonës, të cilët mund të argumentonin dhe kuptonin më shumë se shumë të tjerë në zonë. Babi i tyre Hajriz Behrami kishte qenë bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, një ballisti të palëkundshëm, që nuk mund të pajtohej me komunizmin. Në këtë frymë u edukuan edhe familja, pasardhësit e tij.
Krijimi i LDK-së, ishte një rizgjim i të djathtës, kthimi në besimin e vlerave tradicionale shqiptare, por edhe elitare, i vazhdimësisë nga Rilindja Kombëtare e deri në Pavarësimin e vendit. Por, pas një dekade puna atdhetare po ndëshkohej me vrasje.
Fotot me pamjet e trupave të shtrirë në shtëpi, pasi ishin sjellur nga morgu, dhe për rreth tyre duke qarë nëna, gratë dhe e gjithë familja, janë tmerruese, që më së miri sot sjellin në kujtesë dhimbjet që shkaktuan vrasjet dhe plagosjet e 11 qershorit të vitit 2000.
Për të përkujtuar atë ditë tmerri, dhe përpjekjet kriminale për zhdukjen e një familje, kemi biseduar me anëtar të familjes Behrami, që për arsye sigurie, nuk do ta bëjmë të ditur identitetin. Po ashtu familja na ka dhënë fotografitë me pamjet e të vrarëve, pasi e ka siguruar më parë të drejtën për këtë.
Vrasja e dyfishtë dhe plagosja
“Tragjedia ka ndodhur në mesin e ditës të datës 11 qershor 2000, ku në vend janë vrarë Xhaferi, djali i tij Bakija dhe janë plagosur Faruku djali tjetër i Xhaferit dhe i vëllai Jetullahu”, thonë familjarët.
I pyetur nëse e mbajnë mend, se nga çfarë largësie kishte ndodhur sulmi me armë, sipas dëshmitarëve, ai kanë ndodhur jo më larg se 20 metra.
“Të shtënat kanë ardhur nga largësia rreth 20 metra dhe sipas dëshmitarëve kanë qenë 3 persona!”, thotë burimi.
Në një ditë të vetme ishte zgjedhur momenti për ta shuar thuajse plotësisht një familje të tërë. Por, dy nga katër vetat, që atë ditë po ktheheshin nga mali, me drutë ngarkuar në kerrin e gomës, që po e tërhiqte traktori, nuk do të arrinin më kurrë të gjallë në shtëpi. Xhaferi me të birin Bakiun, që të dy ish-luftëtarë.
Bakiu do të vritej pa mundur t’i mbijetojë plagëve asnjë minutë. Xhferi do të binte në tokë nga plagët, dhe do të jepte shpirt, pa e ditur nëse i biri Bakiu ishte qëlluar!
“Një plumb e ka goditur në fyt Bakiun dhe ia ka këputur boshtin kurrizor në qafë. Xhaferi është qëlluar nga tre plumba, një në anën e majtë, në zemër një në krah dhe tjetri në gju të majtë, dhe ia kishte këputur këmbën”, thotë burimi ynë.
I treti Faruku, do të plagosej, mjaft rëndë, duke e përshkuar një plumb nga pjesa e poshtme e trupit nën gjoks në anën e djathtë duke i dalur pas në shpatullën e majtë. Kjo dëshmon se njëri nga sulmuesit ka qenë në një pozicion dukshëm më poshtë dhe ka qëlluar sapo viktimat e kanë kaluar, dhe mjaft afër traktorit në lëvizje, duke qëlluar mbi Farukun, që së bashku me babain Xhaferin dhe Jetullahun, ndodheshin sipër druve në kerr. Ose ai ka vazhduar të qëllojë, pasi ka goditur Xhaferin,
Bakiu, që vetëm pak minuta më parë e kishte marrë ta drejtonte traktorin, nga xhaxhai Jetullahu, duket të jetë qëlluar nga një sulmues tjetër më i avancuar, që me shumë gjasë sipas informacioneve duhej ta vriste Jetullahun, meqë atë e kishte parë dikush ta ngiste traktorin.
Kjo mund të çojë te mendimi, se së paku edhe një person i katërt ka qenë pjesëmarrës në vrasje, i cili ofronte informacion për lëvizjet fillestare, dhe që më pas nuk ka mundur ta shoh, ndërrimin e shoferëve, ose që vrasësit më nuk kishin kohë për ndryshim pozicionesh, sepse mund të ishin të vendosur t’i vrisnin të gjithë.
Nëse katër veta rezulton që ishin pjesëmarrës deri më tani, duhet të ketë qenë edhe një i pestë, që ka qenë i obliguar për të siguruar rrugën e tërheqjes së vrasësve, dhe njëkohësisht për t’i informuar.
Lidhur me këtë vrasje ka pasur edhe një emision special, madje me përpjekje për rindërtimin e vendit të krimit, nga policia e Kosovës SHPK-ja, që kontrollohej nga UNMIK-u. Emisioni udhëhiqej nga oficeri i policisë Refki Morina.
Dëshmitë dhe motivet
Në ditën e vrasjes, 22 vjet më parë, në afërsi të vendit të krimit, meqë ishte ditë, shumë veta e kanë parë ngjarjen nga afër. Më pas disa prej tyre do të pranonin të rrëfenin.
“Ditën kur ka ndodhur vrasja afër të vrarëve ka pasur shumë njerëz, shqiptar, që e kanë pa rastin se si ka ndodhur. Ka edhe dëshmitar që kanë dëshmuar”, thotë burimi ynë.
Sipas këtij burimi, motivi i atentatit ishte shuarja e LDK-së, në ato anë.
“Me vrasjen e Xhaferit me të birin Bakiun dhe plagosjen e vëllait të tij Jetullahut dhe djalit të Xhaferit Farukut LDK-ja në dy bashkësi lokale në Klinë të Epërme dhe bashkësinë e Çubrelit është shuar totalisht nga frika se mund të pësojnë edhe më keq se familja Behrami”, argumenton ky burim.
Për atentatorët dhe porositësit e tyre, nuk kishte asnjë rëndësi, nëse po i sulmonin dhe vritnin luftëtarët e lirisë.
“Familja e Xhafer (H) Behramit ka qenë e armatosur gjatë luftës. 16 anëtarë të saj kanë qenë nën armë të angazhuar në luftë kundër okupatorit serb, ndër ta: Enver Behrami, Xhafer (H) Behrami, Jetullah Behrami, Baki Behrami, Abdullah Behrami dhe Haki Behrami, pra të gjithë këta nga familja jonë e ngushtë ishim në UÇK, dhe të tjerët kushëri pak më të largët”.
Për këtë pjesëmarrje në luftë të familjes së gjerë Behrami dëshmohet edhe në një libër me autor Hasan Bajraktarin, i shtypur në Tiranë pas luftës.
Vëllezërit Behrami, Xhaferi dhe Jetullahu si dhe Beqir Fazliu, kanë qenë anëtar të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. “Për këto, të dhënat familja edhe sot i ka të ruajtura shënimet, që nga viti 1992”, thonë familjarët.
Madje, sipas tyre, ishte pikërisht kjo veprimtari institucionale, rreshtimi me institucionet shtetërore dhe respektimi i Ibrahim Rugovës president i Republikës, që i kanë nxitur t’i vrasin.
“Pikërisht për këtë shkak ka ndodhur vrasja, sepse njerëz të LPK-së nuk mund ta duronin Dr.Rugovën, kur dihet se për disa njerëz në Drenicë sidomos, Rugova ishte shpallur tradhtar”, thotë ky anëtar i familjes Behrami.
Kjo familje, përveç se mori pjesë me tre anëtar, ajo ushqeu dhe strehoi qindra ushtarë, dhe qindra civil, të ikur nga lufta gjatë bombardimeve 78 ditore, kur forcat serbe po hakmerreshin tmerrësisht edhe ndaj shqiptarëve civil. As buka, dhe uji, që ia dhanë nuk ia shoi helmin e urrejtjes.
“Familja e Xhaferit ka qenë mjaft e njohur, e edhe forcat e UÇK-së në këto anë kanë gjet strehim, përveç me armë edhe pa armë, aty kanë ngrënë bukë. Familja jonë ishte mjaft e pasur në atë kohë. Xhaferi e kishte vendosur në oborrin e tij një mulli, i cili funksiononte me anë të një rrypi të traktorit dhe 24 orë në ditë ka bluar grurë e misër për mijëra të zhvendosur. Por, ja që më në fund kjo u kthye në një tragjedi familjare dhe u munduan, që ta shfarosin këtë familje, ia vranë katër anëtar, e ia plagosin tre, vetëm pse ishin në LDK dhe përkrahës të Ibrahim Rugovës”, thotë në fund ky familjar.
Familja e Hajriz dhe Hajrie Behramit, kishte tre djem, Enverin, Xhaferin dhe Jetullahin, si dhe 6 vajza. / VIJON