"Vrasësit e familjes Behrami dihet se kush janë" / Familja pret drejtësinë nga gjykata speciale

Aktuale

"Vrasësit e familjes Behrami dihet se kush janë" / Familja pret drejtësinë nga gjykata speciale

Nga: Idriz Morina Më: 12 qershor 2022 Në ora: 20:04
Jetullah Behrami duke qarë tek trupi i nipit Bakiut

Në rrëfimin e djeshëm kemi kujtuar momentet kritike për familjen Behrami, nga sulmi terrorist i 11 qershorit 2000, i kryer nga njerëz të armatosur me porosi për të fuqizuar dhunën ndaj LDK-së, dhe të përcjelljes së mesazhit se askush nga ajo parti nuk do të tolerohej.

Është i habitshëm fakti se si Sami Lushtaku, atëherë komandant i Zonës Operative të Drenicës, që ishte ngutur të shkonte tek familja Behrami në Kotorr dhe meqë e njihte mirë, t’ju kërkonte atyre, që të pajtoheshin, që vrasjet nuk kishte mund t’i bënte tjetër kush veçse serbët.

Madje, nëna Hajrije, asokohe 71 vjeçare, vazhdoi ta besonte atë intrigë derisa ia sqaruan, një vit më pas, se bijtë e saj nuk po sulmoheshin nga serbët, por nga shqiptarët. Ajo këtë e kishte deklaruar për “Bota sot”, në vitin 2001.

Image
Skena e rindërtuar nga policia për rastin e vrasjes në pritë të Xhafer e Baki Behramit dhe plagosjen e Farukut

Strehimi i Sami Lushtakut te familja Behrami në Kotorr

Sami Lushtaku dhe familja Behrami kishin miqësi familjare, vëllai i Xhaferit, Jetullah Behrami është dhëndëri i tij.

“Po jemi miq me ta. Vëllai i Xhaferit, Jetullah Behrami është dhëndër i S.L. Në fakt vëllai i Xhaferit e ka vajzën e axhës të S.L. për grua”, thonë për “Bota sot”, familjarët.

Të pyetur se nëse i kanë vazhduar raportet miqësore, ndërmjet dy familjeve, më tej, thonë se jo, Arsyet ishin politike.

“S. L. u nda pas luftës nga familja Behrami siç dihet për shkaqe politike. Në ishim në LDK dhe ende jemi si familje”, thotë ky burim për “Bota sot”.

I pyetur se sa janë të sakta pohimet se Sami Lushtaku ishte strehuar në fshatin e tyre në Kotor gjatë bombardimeve, dhe se ishte ushqyer në familjen Behrami, deri në përfundim të bombardimeve me një grup ushtarësh, ai pohon se ishin të sakta informacionet e gazetës.

Image
Pamje nga ritet familjare kushtuar të vdekurve

“Po S.L. është strehuar në Kotorr në odën e Xhafer (H) Behramit. Ndërsa, tërë kohën Xhaferi ka raportuar me telefon satelitor për ngjarjet që po ndodhnin në atë kohë. Pasi që në atë kohë gazetarët kishin ikur dhe ai ka mbetur në Kotorr rreth 2 muaj”, thotë ky burim.

Xhafer Behrami në kohën kur u vra, aso kohe ishte drejtor në shkollë fillore “Vëllezërit Frashëri” në Qubrel, ndërsa Jetullahu ishte profesor në shkollën teknike "Anton Çeta" në Skenderaj, dhe që të dy ishin anëtar të kryesisë së Degës së LDK-së në Skenderaj.

Sulmi ndaj Jetullah Behramit

Pa u bërë 14 muaj nga vrasja makabre ndaj familjes Behrami, më 26.07.2001, ndërsa Jetullahu po udhëtonte me vajzën Behijen, nënën Hajrijen dhe mbesën e tij Nazlijen, do të sulmohej me automatik në një pritë.

Nga të shtënat me kallashnikov ishte plagosur vajza Behija, dhe Jetullahu pavarësisht sulmit detyrohet të vozisë drejt Skenderait, dhe e dërgon vajzën në spitalin e qytetit.

“Vajza është plagosur në këmbë, nga sulmi i bërë nga dikush me kallashnikov, në një pritë në dalje të fshatit Kotor, derisa po udhëtonin drejt Skenderajit. Pavarësisht sulmit Jetullahu ka vazhduar udhëtimin, pa u ndalur, por, tashmë për në spital”.

Pas këtij rasti, Policia e UNMIK-ut, e ka marrë në mbrojtje 24 orëshe, ia kanë dhënë dy xhaketa antiplumb dhe një revole me leje.

Por, këto nuk ishin sulmet e fundit, ka pasur edhe disa tentim atentate të tjera.

Në një rast ia kanë bllokuar rrugën duke hedhur pemë, për ndërtimin e një prite në afërsi të fshatit, por për fat në veturën tjetër pas tij, ndodhej njësia speciale amerikane, kështu që atentatorët e kanë shmangur sulmin.

“Njëherë në vitin 2004 apo 2005 ia kishin rrëzuar dy pemë, në rrugë, dhe për fat e kishte një xhip të blinduar. Në atentatin e parë, ka shpëtuar për pak”.

I pyetur nëse kanë dyshime për atentatorët, apo nëse mund të kishte informacione, pasi kishin ndodhur edhe dy vrasje të tjera në familjen Behrami, ai thotë se me shumë gjasë dikush nga fshati ka bashkëpunuar. “Sa i përket atentateve sigurisht se dikush në fshat ka bashkëpunuar”, thotë ai.

Ai e çon edhe më tej shpjegimin, duke theksuar se te gjitha vrasjet në këtë fshat janë të lidhura me vrasjen e Xhafer Behramit.

“Të gjitha vrasjet në Kotorr kanë lidhje me vrasjen e Xhaferit, sepse të gjithë ishin LDK dhe të afërm tonë”, thotë ai.

Pas vrasjes së Xhaferit në vitin 2000, u vra edhe Refki Behrami (2002) dhe më pas edhe Xhevdet Ahmet Behrami (2003). Që të gjithë në atentate dhe prita. Që të gjithë aktivistë të LDK-së dhe familjarë të tyre.

I pyetur nëse për kaq shumë kohë janë gjetur gjurmë apo dëshmi se kush mund të ketë qenë i përfshirë në krime, përgjigja është se institucionet duhet të merren me to.

“Sipas asaj çfarë është folur, disa nga dorasit dihet se kush janë, por i është lënë drejtësisë që të merret me këtë punë, pra Gjykatës Speciale në Hagë”, thotë ky burim për “Bota sot”.

Dihet se pas luftës në Drenicë serb nuk ka pasur dhe sipas familjes këto vrasje janë kryer nga kriminel shqiptar. Që të gjithë e dimë se vrasësit ende po shëtisin të lirë.

Familja Behrami dhe Bekim Kastrati

Kjo familje kishte njohje shumë të mirë me gazetarin e “Bota sot” asokohe Bekim Kastratin, korrespodent në Skenderaj. Bekimi e kishte shkruar artikullin e parë të plotë për atentatin ndaj Jetullah Behramit, të botuar me 2 dhe 3 gusht 2001, pas atentatit të bërë me 26 korrik të atij viti. Pas dy muajve, edhe Bekim Kastrati do të vritej.

“Po familja e ka njohur shumë mirë gazetarin e “Bota sot” Bekim Kastratin. Jetullahu ka punuar bashkë me të në Shkollën e Mesme Teknike në Skenderaj. Dhe përveç se ka shkruar për rastin, vet ka dalur në vendin e ngjarjes dhe sipas asaj çka është thënë, ai për këtë rast, u vra”, thotë ky burim.

Sipas tyre, “për këto vrasje politike, të paktën në Kotorr, ekzistojnë prova dhe dëshmi të mjaftueshme, që vrasësit të dënohen”.

“Ne besojmë se është koha që këto raste të zbardhen pikërisht tani në Gjykatën Speciale në Hagë sepse prokuroria në Hagë ka fakte të mjaftueshme për të gjitha vrasjet e pas luftës në Kotorr etj.”

Image
Jetullaj Behrami gjatë emisionit të policisë "Dosja e krimit"

Nëna Hajrije, 72 vjeçare në vitin 2001, do të kujtonte atë kohë, para 21 vitesh, se dhimbja e saj ishte më vogël, derisa i kishin thënë se djalin Xhaferin dhe nipin Bakiun ia kishin vrarë serbët, por kur e kishte kuptuar që këtë po e bënin shqiptarët ishte mërzitur shumë fort.

“Vjet, kur më thanë se Xhaferin dhe Bakiun i kanë vrarë shkijet, bëja gajret. Po tash që po dihet se këtë e bënë shqiptarët, po mërzitem shumë. I bëra 72 vjet dhe nuk kam dëgjuar për këso vrasjesh. Shqiptari nuk vret pas shpine, nëse vendos me të vra, të del përballë”, i thoshte plaka Hajrije, Bekimit, 21 vjet më parë, por që i mbylli sytë në moshën 91 vjeçare, këtë janar me datën 10, pa i parë në burg, vrasësit e të birit dhe nipit, ata që deshën t’ia faronin familjen.

Edhe vajza e Xhaferit, Nazlije Behrami, të cilës ia vranë babain dhe vëllain, e ia plagosën vëllain tjetër Farukun, pyeste: “Kush deshti të më vriste edhe mua në lulen e rinisë”?

I pyetur nëse kanë dëgjuar edhe për raste të tjera vrasjesh, gjatë luftës dhe pas saj, burimi shprehet se po.

“Kemi dëgjuar edhe për vrasje të tjera, edhe për vrasjen e Xhevat Isufit, dhe sipas Halit Baranit, atë vrasje nuk e kanë kryer serbët”, thotë ai. / FUND

Image
Shkrimi i botuar nga Bekim Kastrati për atentatin ndaj Jetullah Behramit, 3 gusht 2001

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat