Droga dhe vrasësit po e mbajnë në pushtet Edi Ramën

Aktuale

Droga dhe vrasësit po e mbajnë në pushtet Edi Ramën

Nga: Idriz Morina Më: 13 qershor 2022 Në ora: 12:27
Edi Rama me priftin grek në fshatin Kosinë, i njohur për skandalin e Greqisë të zhvarrosjes të dhjetëra varreve shqiptare, por që u rivarrosën si eshtra të ushtarëve grekë në vitin 2004.

Kush po e mban në pushtet kaq gjatë Edi Ramën? Cilët janë faktorët apo rrethanat që i vijnë në ndihmë?!

Tradicionalisht, e majta pas demokratizimit të Shqipërisë, ka vazhduar të përbëjë shumicën në numër, madje edhe në rastet kur ka fituar PD-ja (e mundëson sistemi zgjedhor), përveç në zgjedhjet e para të pluralizmit të rikthyer, me rënien e demokracisë.

Nga një vend dhe një popull, që kryesisht besonte tek e djathta, pavarësisht varfërisë së rëndë dhe të skajshme, u bë dominant nga e majta. Si dhe pse?

Përkundrazi në Kosovë ndodhi e kundërta. Edhe për shkak të rrethanave, sepse me krijimin e LDK-së, thuajse e gjithë popullata u bë anëtare e saj. Por, ajo gjeti shtratin e saj, sepse djathtizmi nuk ishte shuar asnjëherë, pavarësisht dhunës barbare serbe dhe jugosllave, e shprehur me gjenocid menjëherë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht shtypjes, dëbimeve, torturave, burgosjeve. Madje, ka edhe studiues dhe edhe vetë lideri i LDK-së, Rugova asokohe këtë e shihte si vazhduese të NDSH-së, partisë së djathtë që për disa vite pas përfundimit të LDB bëri rezistencë edhe të armatosur, ndërsa atë politike ilegale e vazhdoi deri në vitet e ‘80-ta.

Por, pse Shqipëria sillet ndryshe, është lehtë e kuptueshme për njerëzit e mirinformuar për dhunën sistematike që kishte përdorur regjimi diktatorial në Shqipëri, për gati 50 vjet ndaj personaliteteve atdhetare, të shkencës, letërsisë, kulturës dhe dijes përgjithësisht, duke lënë vetëm një shteg të vogël minimal mbijetese, shpesh edhe aksidental.

Kjo njihet në psikologji si shpëlarje e trurit, e cila ka prodhuar pasojat e veta, në shoqëri, familje dhe në krizën e identitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kufijtë londinez.

Rindërtimi i shpirtit shqiptar ishte i vështirë. Në demokraci, forcat e errëta që kishin ushtruar gjithë atë aparat represiv, nuk u ndëshkuan në mënyrë meritore sipas ligjeve edhe ndërkombëtare. Krimet e komunizmit kaluan thuajse të pandëshkuara.

Pse mund të ketë ndodhur kjo?

Me shumë gjasë, me rënien e komunizmit, shteti shqiptar mezi mbijetonte, me ekonomi të rrënuar, infrastrukturë thuaja mesjetare, sidomos nëpër fshatra, varfëri ekstreme, dhe kushte të tjera negative ishte vend i përshtatshëm që shërbimet armiqësore shqiptare, si ai serb, grek, rus e të tjerë, të gjenin terren të fuqishëm për të vepruar. Investimet e tyre në personalitete, grupe, parti, do të ishin të sigurta, sepse do t’ua jepnin në masë të madhe rezultatet e pritura.

Image
Edi Rama në miqësi të përherdhme me Rusinë, ministrin e Putinit Sergej Lavrov

Partia më e sigurt për investime sërish mbetej PS-ja, ish Partia e Punës e Shqipërisë, që vetëm emrin e ndryshoi në vitin 1991, me të njëjtën strukturë njerëzish.

Ish-Partia Komuniste e themeluar nga Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviçi, kurrë nuk u shkëput nga ndikimi serioz i Beogradit, madje as gjatë gjithë kohës së izolimit të rëndë.

Partia Demokratike, të cilës iu bashkuan në masë të djathtit, ish-pronarë, ish-të burgosur politikë të djathtë, intelektualë me pikëpamje demokratike dhe që dëshironin ta çonin Shqipërinë drejt, lirisë dhe demokracive perëndimore, po ashtu për shkak të rrethanave, dosjeve, kushteve të rënda ekonomike, gjithmonë kishte në mesin e saj, njerëz të manipuluar dhe që manipuloheshin lehtë, por mbeti shpresa kryesore e të djathtës dhe shqiptarizmit.

Të paktën asnjëherë nuk mund të kishte guxim të bënte kompromise të hapëta, siç bëri Nano me Millosheviçin në Kretë, apo siç bën sot Edi Rama në vazhdimësi në raport me Kosovën.

Si u bë që Rama të bëhet për herë të tretë kryeministër!?

Për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar, e dhashë një imazh të përshpejtuar, me të cilin shumëkush mund të mos pajtohet, por që disa nga linjat-konturat e tij, besoj janë të parrëzueshme.

Pra, Rama, është një produkt i drejtpërdrejt i frymës së ndikimit në PS të shërbimeve serbe dhe greke. Kjo e dyta është konfirmuar me “Urdhrin e Kalorësit të Ortodoksisë Greke”, por që lufton për të gjithë ortodoksinë, me qëllim, që qendra ‘e botës’ të jetë Greqia, njëlloj “Omfallosi” grek i nënkuptuar!

Raportin me Serbinë e ka argumentuar, që kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe siç pata shkruar aso kohe, nuk meriton të zgjidhej (kryetar bashkie, aq më pak kryeministër) një politikan që i jep “Çelësin e Tiranës”, një figure të apasionuar pas Sllobodan Millosheviçit dhe mbështetës i tij nëpërmjet artit të angazhuar – këngës, Goran Bregoviçit, ndërsa Kosova ende vuante nga traumat e luftës të shkaktuara nga gjenocidi serb.

Image
Edi Rama në miqësi të pandashme me presidentin e Serbisë dhe ish-kryeministrin e saj, Vuçiqin, dorën e djathtë të Millosheviçit

Edhe vetëm sikur asgjë tjetër të mos kishte gabuar më në jetë, në raport me shqiptarët e Kosovës, Rama kurrë nuk do të duhej ta meritonte simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, por as të Shqipërisë. Ndërsa, ajo që po bën veçanërisht nga viti 2018 e këndej, në përpjekjet e tij për ta copëtuar Kosovën, fillimisht me Hashim Thaçin, që është produkt po i shkollës së majtë të Tiranës, dhe tashmë dy vjet me “Ballkanin e hapur”, janë përpjekje antishqiptare të pashembullta në histori. Kaq botërisht, vetëm Enver Hoxha ka vepruar e deklaruar, dhe më pas kur ka dështuar është tërhequr.

Gjykuar nga këto imazhe e mesazhe, Edi Rama është produkt i asaj pjese, por më të fuqishme, të shërbimit inteligjent në Shqipëri, që bashkëjeton me përfaqësimin e interesave të Serbisë dhe Greqisë (Marrëveshja për kufirin detar), dhe duke i nënrenditur pas tyre, interesat e Shqipërisë, dhe të aleatëve të tjerë.

Si arrihet kjo?

Shërbimet inteligjente apo të sigurisë, si në Beograd, Moskë apo Tiranë, e kanë thuaja të njëjtin model dhe shpjegim.

Ato e mbajnë pushtetin nëpërmjet sigurimit të paligjshmërisë së gjatë në shoqëri dhe mosndëshkimit të krimit. Kjo krijon pasiguri dhe ankth të përgjithshëm, ndërsa duke krijuar një shoqëri (në institucione, politikë, parti) të komprometuar nga shkelja e ligjeve, ata shërbejnë për kreun, nga kërcënimi që ju vjen nga kthimi në ligjshmëri. Kështu mbrohet me përkushtim Edi Rama. Kështu ka ndodhur në Kosovë, dhe po vazhdon të ndodhë. Të komprometuarit, inkriminuarit janë në gjendje ta kallin Kosovën, për të mbrojtur interesat që i kanë arritur, dhe të mbrohen nga ndëshkimi i ligjit.

Por, ka edhe forca të tjera me të cilat po mbrohet Rama

Rama gjatë gjithë qeverisjes së tij e shndërroi Shqipërinë në arenë vrasjesh dhe vrasësish. Vrasjet e ndodhura kudo, në çdo qytet thuaja, dhe tronditshëm pa i kapur fare, janë shembulli më tipik, i asaj, që njihet si pandëshkueshmëri. Vrasësit dhe grupet kriminale, nëse nuk bashkëpunonin me policinë, sigurisht se liheshin të lirë prej saj.

Vrasjet u rritën, pikërisht për shkak të lejimit të kultivimit të drogës, ligjërisht e ndaluar. Një argument tjetër i paligjshmërisë së lejuar.

Droga, vrasjet, korrupsioni, thuajse i shkatërruan institucionet, aq sa vetëm krijimi i SPAK-ut, ka krijuar pak shpresë për ndëshkim, siç ishte rasti i kapjes së vrasësit Dumani dhe një pjese të rrjetit të tij!

Pra, droga dhe vrasjet, janë ato, që ia dhanë fuqinë kryesore Edi Ramës, droga si mjet, dhe vrasësit si subjekt. Pa, vrasësit Rama nuk do të ishte askushi, sepse vrasësit ishin ata që mund të kontrollonin, policët, prokurorët e gjykatësit.

Kështu ka ndodhur edhe në Kosovë, derisa vendi qeverisej nga klanet Thaçi dhe Haradinaj etj. Këta arritën ta kontrollin edhe LDK-në, arritën deri tek drejtuesit e saj. Fillimisht ta përçajnë, ta ndajnë dhe ta sundojnë! Kështu ia doli edhe PS-ja dhe Rama në Shqipëri, që ta dëmtonin, ndanin dhe gjymtonin PD-në!

Është koha për të ndryshuar andej dhe këndej, me ndryshimet e nisura në Kosovë!

Një imazh, të kontrollimit të shoqërisë, pushtetit të korruptuar e komprometuar e jep, letra që një qytetar shumë i informuar, ia ka dërguar Dr.Berishës, e cila e përshkruan qartazi, funksionimin e pushtetit të komprometuar, Qeveri-Polici-Prokurori-Pushtet Lokal, të gjithë në varësi të drogës, krimit dhe korrupsionit.

Letra

Kjo është letra në pika të shkurtra e publikuar sot.

“Do të doja të ju informoja për një ngjarje që ka ndodhur në Lezhë, ishte koncerti i artistëve Shqiptarë dhe të huaj në Shëngjin tek zona “Rana e hedhun”.

Te “Rana e hedhun” është zhvilluar aktiviteti prej datës 01 qershor deri me datën 5 qershor dhe çdo natë ka patur rreth 10 -20 mijë të rinj, të gjithë përdorues drogash të forta e të buta...!

Këtë koncert e kanë kundërshtuar dhe nuk e pranojnë asnjë vend i Evropës dhe Ballkanit, por vetëm Ministria e Kulturës Shqiptare dhe Bashkia Lezhë kanë marrë përsipër për ta zhvilluar dhe te “Rana e hedhur”, Shëngjin - Lezhë...!

Ajo çka është për tu shqetësuar është se:

Autoritetet Shtetërore me dashje pranojnë shpërndarjen dhe shitjen e të gjitha drogave në një ambient me pjesëmarrje masive të rinisë shqiptare dhe të huaj...!

Me datën 4 qershor është kapur në Shëngjin nga Policia djali i Dash Pezës me shumë doza droge heroinë dhe peshore duke shitur drogë të rinjve dhe kjo është dokumentuar nga Policia por me urdhër te kryeministrit Rama, menjëherë ka ndërhyrë Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe ka bërë të mundur lirimin e tij brenda ditës....!

Kjo është ngjarje shumë e rëndë dhe Ulsi Manja ka lënë dhe gjurmë se ju ka dërguar sms nga telefoni Drejtuesve të Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë për lirimin e djalit të Dash Pezës..!

Këtë e flas me përgjegjësi pasi e ka lexuar një oficer (burim shumë i besuar sms e Ulsi Manes dërguar me urdhër të Edi Rames në telefonin e Drejtorit të Policisë Lezhë, Vehbi Bushati!

Për këtë është angazhuar maksimalisht dhe Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, shok dhe mik i ngushtë i Vehbi Bushatit..!”

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat