Ende ndodhemi në ditët festive të çlirimit. Pavarësisht se forcat e NATO-s filluan të hyjnë me 12 qershor 1999, të parat, forcat britanike nga Shkupi në Prishtinë, qytetet (komunat) e Kosovës nuk u çliruan të njëjtën ditë.
Madje sipas shumë vetave kjo vazhdoi deri më 21 qershor, kur besohet se të gjitha forcat serbe, ushtarake, policore, paramilitare u tërhoqën nga Kosova. Por, Kosova se ka vënë asnjë nga këto ditë në kalendarin e festave zyrtare, si të Lirisë apo të Çlirimit!
Mjaft interesante edhe kjo, veçmas, kur e kujton debatin e ashpër të këtyre ditëve, me shumë fyerje e kërcënime, veçanërisht në adresë të ministres së Jashtme Donika Gërvalla. Aq shumë bëjnë se janë hidhëruar, vetëm pse ajo nuk i përmendi tri shkronjat UÇK në tekst, edhe pse fliste për veprimtarinë e tyre, funksionin, si ‘sakrificë të jashtëzakonshme’!
Pa një ditë të Lirisë!
Hidhërohen për mungesën simbolik të tri shkronjave, por nuk hidhërohen me askë, se pse nuk e kemi një ditë feste apo tri ditë feste për Çlirimin e Kosovës.
Qe 23 vite na thonë se na kanë çliruar, por asnjëherë nuk na e kanë treguar Ditën, madje as që kanë guxuar të kërkojnë llogari se pse nuk festohet në Kosovë, dëbimi i forcave ushtarake, policore dhe kriminale serbe!
Dhe janë pikërisht këta që sot i shtyjnë të flasin e bërtasin, përgjegjës se pse Kosova nuk e ka një ditë të çlirimit, një ditë të Lirisë, një ditë feste!
Mjafton, ti shikojë çdo kush që don sot, qoftë që i ka përjetuar ato ditë, qoftë, që nuk i ka përjetuar, për ta kuptuar se çfarë rëndësie kishte për ne.
Kudo hynin forcat e KFOR-it, nga shqiptarët nuk priteshin vetëm me lule, por me shprehje të gëzimit dhe falënderimit, që nuk mund të përshkruhet vërtetë. Njerëz që qeshnin dhe qanin njëkohësisht nga gëzimi, njerëz që hipnin mbi makinat ushtarake të KFOR-it si të çmendur, që përqafonin dhe puthnin ushtarët e huaj, sikur të ishin vëllezërit e tyre, njerëz që i hidhnin në ajër ushtarët e NATO-s, dhe nuk donin t’i lëshonin asnjëherë në tokë... njerëz që ecnin me kilometra në këmbë nga fshatit në fshat, nga fshati në qytet apo anasjelltas, për ta shprehur gëzimin e tyre, duke u identifikuar me ato forca sikur të ishin pjesë e jona...!
Pse ndodhte kjo?
Këtë mund ta shpjegojnë me rrëfime të sinqerta ata që mbetën në Kosovë gjatë gjithë luftës. Të traumatizuar nga pamjet, lajmet, se çfarë krimesh të rënda kryenin forcat serbe, ditën dhe natën, vrasje të të gjitha moshave, torturime, dhunime, vrasje të fëmijëve dhe djegie të trupave, mungesë të lëvizjes, pamjaftueshmëri të komunikimit, të besimit, të zemërimit, të frikës, pasigurisë, mungesës së ushqimeve, frikës se çdo ditë, çdo natë, apo orë mund të arrinin, po ato forca kriminale, dhe t’ju kapnin të gjallë, dhe t’ua bënin të gjitha ato tmerre në sy tuaj apo të familjarëve të gjitha ato ligësi, kishin bërë, që njerëzit të shprehnin, sikur po vinte një forcë qiellore, shpëtimtare dhe që sikur e bënte të pamundur vdekjen që të na vinte... prandaj, ata u shndërruan papritmas, pavetëdijshëm në heronjtë tanë, në njerëzit më të dashur, edhe pse ata mund të mos ndjenin asgjë fare për ne, përveç se sigurisht mund të kishin urdhrat për sjellje miqësore me ne! Pavarësisht se i kishim pritur shumë gjatë, i kishim thirrur mijëra e miliona herë me thirrje deri në qiell, kurrë se kishim menduar se mund të ndiheshim ashtu dhe të reagonim ashtu!
Pra, ato, pamje falënderime, gëzime, gjunjëzime, fluturime si në ëndrra, a nuk meritojnë të kujtohen të paktën në një ditë të vetme!
Që ta shohim ne se kush ishim, dhe si ndiheshim, që ta shohin fëmijët tanë dhe pasardhësit e tyre, se si ndiheshim ne, dhe pse ndiheshim ashtu?! Vetëm në një ditë feste mund të kujtohen më mirë ato gjëra, meqë pamjet video dhe foto ekzistojnë. Ndërsa, kështu ne nuk kemi një përgjigje të qartë, as një mesazh të qartë, as për fëmijët tanë, se çfarë vërtetë kishte ndodhur!
Kishte njerëz, edhe pse të pakët, që ishin fshehur thellë, për t’mos i gjetur forcat serbe, dhe me javë të tëra nuk e kishin kuptuar se ne jemi çliruar! Se NATO-ja tashmë ishte këtu, dhe se forcat serbe kishin ikur!
Në shumë qytete dhe komuna, ushtarët e UÇK-së, do të futeshin madje jo, atë ditë me KFOR-in, por edhe disa ditë pas.
Në shumë qytete do të kishte viktima, disa ditë pas hyrjes së KFOR-it, pikërisht nga forcat speciale serbe, që vepronin të maskuara, në zona të caktuara, qoftë si civil.
Pse askush nuk vret e pret, nuk flet e bërtet, pse nuk kemi festë për Ditën e Çlirimit!?
Nëse është e vërtetë e plotë si thoni ju, se ju jeni çlirimtarët tanë, pse nuk na e krijuat një ditë feste!? A më e vështirë ishte lufta për ju apo paqja!?
Nëse na çliroi KFOR-i, apo edhe së bashku, çfarë të keqe ka që ta festojmë si një çlirim të përbashkët?! Por, mashtruesit nuk kishin kohë të na bënin asnjë ditë festë, dhe që ne të vazhdojmë të grindemi se kush na çliroi!
Ndërsa, në ditën e çlirimit të Prizrenit, më 14 qershor, familja e komandant ‘Drinit” – Ekrem Rexhës pyeste se pse mungonte, njëri nga njerëzit më meritor të atij gëzimi, në përvjetorin e parë të çlirimit të këtij qyteti?
“Sot është dita e Çlirimit të Prizrenit, Komandant DRININ nuk e kemi në mesin tonë, e vranë ende pa u bë një vit nga kjo ngjarje Historike... Nuk e kemi pasur mundësi ta dëgjojmë tregimin e tij se si ndodhi Çlirimi e shumë gjëra të tjera nga lufta”, shkruan familjarët në faqen e tij të Facebook-ut.
Pse mungonte Ahmet Krasniqi, nëse UÇK-ja është më meritorja për çlirimin e Kosovës, e koloneli ishte më meritori për ndërtimin e strukturave profesionale, organizimin e vërtetë profesional të një ushtrie?
Pse mungonte Ilir Konusheci? Behadin Allaqi? Pse mungonin aq shumë viktima të dhunës politike në vitet në vazhdim, si Xhemail Mustafa, Manaj, Bytyçi, Ramqaj, Rraci, Bekimi, Besimi, Bardhyli, që nuk do të duhej të ishin pjesë e inateve apo viktima që dikush apo një grup të mund të arrinte një ditë më lehtë në pushtet!? Pse nuk janë apo nuk ishin në ato ditë çlirimi në vitet e më pastajme? Sepse sërish duhej të mungonte Dita e çlirimit, kur po miratohej Ligji për Festat!