Pas tensioneve të shumta, protesta përfundon me lule për policët

Aktuale

Pas tensioneve të shumta, protesta përfundon me lule për policët

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 17:36 më 16.06.2022
Pamje nga protesta e veteranëve

​Protesta përfundon me lule për policët

Veteranët kanë përfunduar protestën mbi tetë orëshe në oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke shpërndarë lule për zyrtarët policorë që ishin në barrikadë.

Kështu veproi njëri nga veteranët protestues, duke thënë se zyrtarët policor janë të popullit dhe kanë respekt për ata.

Ndërkohë, me përfundimin e protestës, policët kanë mbledhur mbeturinat në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Veteranët tentojnë të hynë në Kuvend, Klinaku u bën thirrje të qetësohen

Veteranët protestues janë duke tentuar që të hyjnë në Kuvendin e Kosovës teksa aty po vazhdon seanca plenare.

Faton Klinaku nga OVL-ja u ka kërkuar veteranëve që të qetësohen dhe të mos bëjnë presion mbi pjestarët e Policisë së Kosovës.

Tensionimi i protestuesve ka bërë që Policia e Kosovës të mobilizohet dhe të njëjtit të mos i lejoj të hyjnë brenda objektit e Kuvendit.

​Veteranët ftohen në takim nesër në orën 09:00, por protesta vazhdon

Ushtruesi i detyrës së OVL- UÇK-së, Faton Klinaku ka bërë të ditur se ka marrë ftesë zyrtare për takim me kryeministrin.

Ai ka njoftuar se takim është paraparë në orën 09:00, por që Klinaku ka shtuar se do të qëndrojnë në oborr të kuvendit derisa të të merren parasysh kërkesat e tyre.

Klinaku: Derisa të ulemi të bisedojmë, ne do të qëndrojmë këtu

“E morëm një ftesë zyrtare për takim me kryeministrin, ministrin e Financave dhe një anëtar për Buxhet dhe Financa që është, takimi në orën 09:00.

Kjo ishte një kërkesë e jona, sepse ne takimeve nuk ju kemi ikur asnjëherë. Por, kërkesa jonë qysh në mëngjes kur kemi filluar në mëngjes është që të ndërpritet seanca.

Dhe kemi thënë që të mos mbahen kurrfarë seancash, derisa këta e kanë shkelur ligjin.

Derisa të ulemi të bisedojmë ta kthejmë ligjin në vend, ne do të qëndrojmë këtu. Këta duhet ta ndërprerjnë seancën e sotme”, ka deklaruar ai.

Këshilltarja e Kurtit ia dorëzon Klinakut ftesën për takim, po shqyrtohet nga organet e OVL-së

Njëra nga këshilltaret e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ia ka dorëzuar ftesa për dialog ushtruesit të detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Gjatë pranimit të ftesës, Klinaku tha se ftesën do ta shqyrtojnë në organet drejtuese.

“Ne do ta shqyrtojmë ftesën në organet drejtuese. Ne gjithmonë kemi qenë për dialog”, është shprehur Kurti.

Momentalisht ftesa për takim është duke u shqyrtuar nga organet drejtuese të OVL-së së UÇK-së.

Klinaku: Seanca duhet të ndërpritet, bisedimet duhet të bëhen sot, jo nesër

Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku ka ritheksuar se seanca duhet të ndërpritet.

Në një intervistë ai tha se bisedimet duhet të bëhet sot dhe jo nesër.

Tutje, Klinaku u shpreh se protestuesit do të vazhdojnë të qëndrojnë aty, derisa seanca të ndërpritet.

“Duhet të ndërpritet kjo seancë, ska kuptim me mbajtë seancë kur e kanë shkel ligjin. Ftesa për takim në foltore, ftesa duhet të bëhet në formë zyrtare. Nëse ndërpritet seanca për sot, as ne nuk kemi çfarë të qëndrojmë këtu, seanca duhet të ndërpritet, bisedimet duhet të bëhen sot, jo nesër”.

Klinaku: Konjufca po mendon që po na lodhë duke bërë pauzë, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë

Kuvendi i Kosovës ka shkuar sërish në pauzë, ku kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se pauza do të jetë njëorëshe.

E në lidhje me këtë ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i cili tha se ata do të vazhdojnë të qëndrojnë aty.

“Konjufca po mendon që po na lodhë duke bërë pauzë, por ne do të vazhdojmë të qëndrojmë”, është shprehur ai.

Veteranët e duan sot takimin me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se nesër do t’i pres nesër në takim veteranët e UÇK-së, të cilët sot po protestojnë.

Këtyre të fundit, lajmin për takim ua dha Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Mirëpo, veteranët nuk po pranojnë një gjë të tillë, duke kërkuar që takimi të bëhet sot.

​Protestuesit e sindikatës se KEK-ut i bashkohen protestës së veteranëve

Protestuesit e sindikatës se KEK-ut u janë bashkangjitur protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Faton Klinaku thotë se nuk mund të ndryshohet ligji pa pëlqimin e tyre.

“Neve u janë bashkangjitur edhe protestuesit e KEK-ut të cilët po kërkojnë tërheqjen e TRUST-i, të cilën edhe ata si veteranë e përkrahin".

​Klinaku fton protestuesit të qëndrojnë derisa të fillojë seanca

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka ftuar protestuesit të qëndrojnë në oborr të kuvendit, pasi në orën 13:00 vazhdon seanca plenare.

Sipas tij, nuk duhet të mbahet asnjë seancë plenare, derisa shkelen të drejtat e tyre dhe ligji. 

Ai ka bërë të ditur se janë pro edhe tërheqjes së mjeteve të trustit, ndërkohë që punëtorët e KEK-ut kanë kërkuar përmes protestës tërheqjen e kursimeve. 

Klinaku: Nuk duhet të mbahet asnjë seanca derisa shkelet ligji 

“Ne konsiderojmë që nuk duhet të mbahet asnjë seancë e Kuvendit të Kosovës, përderisa shkelet ligji, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nga ky kuvend, përderisa shkelen të drejtat ligjore të veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Ne i kemi në protestë edhe ata që po kërkojnë trustin, edhe ne si protestues jemi që të tërhiqet Trusti. Sepse Trusti është i qytetarëve e jo i pushtetarëve. Prandaj, kërkoj që të qëndroni ju, sepse në orën 13:00 fillon prapë seanca dhe nuk duhet të largohemi. T’i tregojmë këtij pushteti se pa pjesëmarrjen tonë dhe ndryshim të ligjit, nuk është protesta jonë e fundit”, tha Klinaku.

​Policit i vendoset logoja e UÇK-së

Veteranët protestues po vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, ku edhe është krijuar bllokada nga pjesëtarët e Njësisë Speciale. Ndërkohë, është parë një veteran derisa vendoste logon e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, te njëri nga pjesëtarët e Njësisë Speciale.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës po protestojnë para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligji për rritjen e pagës minimale por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.

Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera joshumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.

Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat