Vizita e ministrit turk, ajo e Ramës në Kosovë, Konjufca në Hagë – kryetemat e ditës së djeshme

Aktuale

Vizita e ministrit turk, ajo e Ramës në Kosovë, Konjufca në Hagë – kryetemat e ditës së djeshme

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 08:13
Edi Rama

Dita e vikendit të 19 qershorit, ishte ditë që u karakterizua me vizita.

Shefi i Diplomacisë së Turqisë, Mevlut Çavushoglu, ishte dje për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Edhe pse Turqia mbetet mes shteteve më mike të Kosovës, atmosfera gjatë kësaj vizite nuk e reflektonte miqësinë në fjalë. Shumë gjëra interesante ndodhën gjatë kësaj vizite.

Çavushoglu u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarzin

Turku 53 vjeçar erdhi në vendin tonë pa një bujë të madhe, dhe si duket edhe do të largohet në të njëjtën formë. Sidoqoftë, disa gjëra jo aq të kuptueshme ndodhën, e që mund të kenë ikur nga mbamendja juaj.

Kurti dhe Osmani të bashkuar për të mos thënë asgjë

Në postimin e bërë në Twitter pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Çavushoglu ishte i shkurtër dhe jo aq frymëzues.

“Diskutuam modalitetet për ta çuar përpara bashkëpunimin tonë me kryeministrin Albin Kurti të Kosovës. Theksuam kërcënimin që përbën organizata FETO.” – u shpreh ministri.

Kurti nuk ka publikuar asnjë postim, as në Twitter e as në Facebook, në lidhje me takimin. Madje ai gjeti kohë që të merrte pjesë por edhe të mbante fjalim në pikën e Matiqanit të partisë së tij, Vetëvendosjes, që organizoi zgjedhjet e brendshme.

Në anën tjetër, as Vjosa Osmani nuk dha ndonjë fjalë më të madhe për kryediplomatin e vendit mik të Kosovës.

"Me ministrin Mevlüt Çavuşoğlu zhvilluam një bisedë përmbajtjesore për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, si dhe hapat përpara për t’i nxitur investimet e ndërsjella,”, tha ajo.

E derisa Kurti e Osmani u treguan shumë diplomatikë, çështjet për të cilat Turqia ka qortuar Kosovën shtrihen përtej organizatës Feto dhe Fethullah Gulenit që promovoi libër në Prishtinë para disa javësh.

Konjufca takohet me Thaçin e Veselin

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e tij tek ish-kretët e UÇK-së është takuar me Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Kështu shkruante Klan Kosova, duke u thirrur në burimet e saj pranë kabinetit të Konjufcës.

Kjo është dita e tretë e qëndrimit të Konjufcës në Hagë, teksa pikërisht me ish-krerët e PDK-së ishte takimi i fundit.

Kujtojmë se ditë më parë Nacionale raportoi për takimin e paralajmëruar mes kryetarit aktual të kuvendit dhe dy ish-figurave kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.

Edi Rama në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi dje në Kosovë.

Rama vizitoi disa biznese në Kosovës, e më pas mori rrugë për në vendlindjen e ish-presidenit Hashim Thaçi, për një vizitë te familja e tij.

Teksa u takua me familjen e tij, Rama ndau gëzimin me prindërit për vizitën e tij në Hagë.

“Te formulari para se të futesha, shkrova: Do ta takojë se më ka marrë malli. E kam si vëlla Hashimin”, tha Rama.

Tutje Rama i premtoi babait të ish-presidentit Thaçi se do t’i shkojnë në vizitë se bashku krerëve të UÇK-së.

“Do të shkojmë bashkë t’i vizitojmë”, i drejtohet Rama Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Thaçi

Ndeja anti-Kurti

Pasi vizitoi disa biznese të lidhura me biznesmenë oponentë të kryeministrit Kurti dhe pasi vizitoi familjen e ish kundërshtarit politik, Hashim Thaçit, ai ka mbledhur edhe kritikët më të ashpër të tij.

Kjo ndejë joformale u mbajt në Soma të Gërmisë dhe Nacionale ka shkrepur fotografitë që e dokumentojnë atë

Mes njerëzve të ftuar në këtë ndejë ishin drejtues mediesh si Arben Ahmeti, Ilir Mirena, Astrit Gashi, Valon Syla, Kushtrim Sadiku, e Leonard Kërquki ndër tjerë.

Në këtë ndejë ishte edhe një gazetar i ri i panjohur për publikun e që punon për një medium të drejtuar nga Baton Haxhiu me emrin Lirim Mehmetaj. 

Mediumet e këtyre drejtuesve janë konsideruar nga aktivistët e Vetëvendosjes – ndonjëherë edhe pa të drejtë - si tendencioze kundër kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në anën tjetër, në darkë nuk ishte asnjë drejtues apo gazetar i mediumeve që janë konsideruar si të afërta me Qeverinë Kurti, Kallxo.com ose Grupi Koha. 

Po ashtu, aty ishte parë edhe ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje që kishte dalë nga kjo parti në fillim të vitit 2018, Visar Ymeri.

Edhe ky i fundit është shprehur kritik ndaj Qeverisë Kurti II prej që ajo u formua më 23 mars 2022.

Përveç tyre, në Soma të ftuar nga Edi Rama ishin edhe analistë të ndryshëm që kanë qenë kritik vazhdimisht ndaj Kurtit, si Dukagjin Gorani, Ismajl Tasholli e Agon Maliqi mes tjerësh.

Përplasjet mes Kurtit dhe Ramës muajve të fundit kanë qenë të ndryshme e të shumta, me raportin ndër-personal mes tyre që ka afektuar ndjeshëm edhe raportet ndër-shtetërore.

Kjo darkë besohet të jetë organizuar nga ana e Baton Haxhiut, këshilltarit të kryeministrit Rama dhe njërit prej figurave më të goditura nga ana e Vetëvendosjes. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat