Atentatori i 14 prillit nuk është arrestuar / Dikush manipuloi me provat, dikush po e bllokon drejtësinë

Aktuale

Atentatori i 14 prillit nuk është arrestuar / Dikush manipuloi me provat, dikush po e bllokon drejtësinë

Nga: Idriz Morina Më: 21 qershor 2022 Në ora: 11:09
Pamje nga vendi i atentatit ndaj Gazmend Halilajt

Një sulm i befasishëm, me skena si në filmat aksion, pas një goditje ballore të fortë të veturës së viktimës, me një xhip të punuar në mënyrë speciale, i pasuar me 11 gjuajtje me armë, dështon.

I mbijetuari, i tronditur nga sulmi, por i paprekur në trup nga 11 plumba dhe nga goditja e veturës, sot duhet të përballej sërish në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me atentatorët, që sipas aktakuzës besohet se kanë marrë pjesë në atentatin e dështuar, por me qëllim vrasjen e viktimës dhe shkatërrimin e pronës.

Disa seanca janë mbajtur, por pa arritur t’i definojë se kush ishin autorët e vërtetë të atentatit apo që morën pjesë në organizimin e tij.

Dështimi i paralajmëruar i seancës gjyqësore?

Dy të dyshuarit sot në mëngjes duhej të ishin përballë viktimës së tyre, avokatit Gazmend Halilaj nga Drenasi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por kjo nuk ndodhi.

Por, sipas pamjeve filmike të siguruara nga vendi i ngjarjes dhe me aq sa i kujtohet avokatit, personi i dytë i akuzuar nuk i përgjigjet të dhënave fizike të sulmuesit.

Kjo duket se do të jetë njëra nga pistat e rrjedhës gjyqësore në proces, i cili duhet ta qartësojë se kush ishte personi që shtiu me 11 plumba ndaj Halilajt.

Personi i dytë është Ibrahim Lushtaku, kushëriri i Sami Lushtakut, i cili u bë shkaktar i atentatit.

Sulmi i dyfishtë me armë dhe me një automjet xhip, ndaj avokatit Halilaj, i cili ishte duke u kthyer në shtëpi, dhe gjendej rreth 50 metra larg saj, ndodhi ditën e 14 prillit të vitit 2020, në Drenas.

Reagimet e policisë, prokurorisë dhe gjykatës duket se nuk ishin shumë të ngadalshme, pasi duke disponuar edhe me xhirimet, me kërcënimin telefonik që ia kishte bërë vetë Sami Lushtaku, Halilajt, gjërat nuk do të mund të fshiheshin gjatë.

Dy të dyshuarit Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri që po gjykohen janë arrestuar tetë ditë pas sulmit, më 22 prill.

Por, gjykata kishte vendosur ta ndante, veprën e kërcënimit të komandantit Lushtaku, nga ajo që kishin bërë, siç duket njerëzit e motivuar prej tij.

Sami Lushtaku e kishte pranuar kërcënimin duke u ndëshkuar nga gjykata vetëm me dy mijë euro.

Halilajn nga 11 plumbat e shkrepur, vetëm njëri ia kishte përshkuar rrobat në anën e majtë të trupit, dhe siç thotë ai, flakët e shkrehjes së plumbit në afërsi, ia kishin prekur fytyrën.

Sipas aktakuzës, policia i ka gjetur të gjitha gëzhojat në vendin e ngjarjes. Po ashtu të akuzuarit kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” dhe “Crvena Zasatava”, të kalibrit 9 mm.

Avokati Halilaj, që njihet për shpjegimin e krimit të organizuar, dhe shprehjes së akuzave publike për të dyshuarit, që kanë kryer krime të ndryshme, nga vrasjet deri tek vjedhja e buxhetit, fondeve etj., menjëherë pas atentatit ishte shprehur në media në tv Klan Kosova se “sulmin e kryen maskat e Samiut”.

Sipas bisedës me avokatin, një ditë para datës së mbajtjes së seancës, i dyshuari kryesor është në liri.

“Personi që ka shtënë me armë me 11 plumba nuk është arrestuar”, thotë avokati Halilaj.

Identifikimi i gabuar i autorit të atentatit

Sipas dyshimeve, në vend të atentatorit, besohet se e kanë dërguar ‘organizatorët’ një person krejt tjetër, të akuzuarin Xhelal Zeqiri, ta pranojë fajësinë. Sipas burimeve, ky i akuzuar besohet se është i zhytur në fajde e borxhe.

Autori i atentatit të dështuar me 11 plumba, është i gjatë rreth 1.87 cm.

Po ashtu ai ka precedent të rëndë penal në të kaluarën, pasi ka mbajtur 16 vite burg për një grabitje me armë me ç’rast, e kishte vrarë pronarin.

Është e habitshme, se si ai nuk është bërë pjesë e procesit deri më tash, pasi këto informacione i posedon prokurori i rastit dhe njësia e hetimeve të krimit në Policinë e Kosovës.

Mbetja në liri e autorit kryesor në atentat, përbën rrezik serioz për jetën e avokatit – viktimës. Po ashtu një njeri me precedente të tilla penale, së paku me një vrasje dhe një tentim vrasje, e bëjnë të rrezikshëm për shoqërinë, pasi burgu për të nuk ka rezultuar në përmirësimin e sjelljes!

Sipas Kodit Penal të Kosovës, veprat e tilla, tentim vrasja e rëndë, në bashkëkryerje, parasheh dënime maksimale, jo më pak se 10 vite e deri në burgim të përjetshëm.

Ai beson se procesi nuk po ecën në rrugën e duhur, sepse thuajse është lënë krejtësisht anash nga ana e gjykatës.

Seanca e fundit qe mbajtur rreth 6 muaj më parë, ndërsa e sotmja u anulua, me pretekstin e pushimeve verore.

Sipas viktimës, avokatit Halilaj, nëse procesi vazhdon me këtë tempo, rasti s’do të përfundojë së paku 7 vite.

Përpjekjet e vazhdueshme për dëmtimin e dëshmive

Gjatë gjithë procesit, sipas Halilajt, ndikimi i madh i grupit, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për manipulimin e provave, zhdukjen e atyre më qenësore etj.

“Ka pas tentativa të mëdha që rasti të shtrembërohet edhe duke u munduar ta shlyejnë edhe videoincizimin. Por, fatmirësisht në vend të ngjarjes kanë qenë edhe disa hetues që nuk i shërbejnë krimit, dhe këmbëngulësia e tyre ka bërë që provat të mos dëmtohen”, thotë Halilaj.

Por, gjithashtu ka pasur edhe hetues, që kanë shqelmuar gëzhojat, për t’i humbur nga vendi i ngjarjes.

“Ka pas prej hetuesve që gëzhojat e armës i kanë goditur me këmbë dhe i kanë hedhur në thera si tentativë për të fshehur gjurmët e krimit. Por, e përsëris fatmirësisht ka pas edhe hetues të zot dhe të vendosur për të zbardhur rastin”, thotë ai.

Ai është i shqetësuar për faktin se atentatori kryesor gjendet i lirë, ndërsa, me zvarritjen e proceseve situata bëhet edhe më e padurueshme.

“Mbi të gjitha derisa sulmuesi kryesor në tentim vrasje është krejtësisht i lirë”, thotë ai duke e ritheksuar se mundësia e përsëritjes së veprës gjegjësisht, e realizimit të vrasjes në mënyrë të plotë mbetet në çdo moment”, thotë Halilaj.

Zvarritjen e procesit gjyqësor ai e sheh, edhe si përpjekje të pengimit të tij për të thënë të vërteta të tjera, raste të rënda krimi, që lidhen me gjykatën speciale apo besohet se mund t’i trajtojë vetëm ajo.

“Aq më tepër kur paralajmërimet e mia që do ua dridhë tokën nën këmbë gjatë dëshmive të mia pranë gjykatës speciale, atëherë kjo natyrisht e rrit interesimin edhe më shumë, që të akuzuarit e kësaj gjykate të bëjnë gjithçka është e mundshme për të më eliminuar si mundësi e vetme e zmbrapsjes sime, lidhur me ballafaqimin me të bërat e tyre”, thotë Halilaj.

Sipas Halilaj numri i atyre që kanë marrë pjesë në organizimin dhe kryerjen e atentatit, është rreth 20 veta. Gjykata i ka kapur vetëm dy veta, njërin prej të cilëve po e konteston vetë viktima!

Për dëshmi të rrejshme mund të dënohet veçmas, i akuzuari Zeqiri, por gjithashtu mund të çojë në një proces tjetër hetimor ndaj atyre që u përfshin në këtë mashtrim!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat