Katër ushtarët e brigadës “Mërgimi”, i torturuan, ua prenë veshët, thyen brinjët, i hodhën në bunar – Masakrim i paparë!

Aktuale

Katër ushtarët e brigadës “Mërgimi”, i torturuan, ua prenë veshët, thyen brinjët, i hodhën në bunar – Masakrim i paparë!

Nga: Idriz Morina Më: 22 qershor 2022 Në ora: 16:09
Nderohen ushtarët e brigadës "Mërgimi", në mesin e tyre Sinan Musaj

23 vjet më pas kujtohen me dhimbje në mungesë të drejtësisë katër luftëtarë të brigadës “Mërgimi”, ushtarë të UÇK-së të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Rrugëtimi i kësaj brigade ishte kalvar më vete, qindra kilometra rrugëtim, nëpër zona të rrezikshme e malore nga Shqipëria për në Kosovë, ani pse kishte përfunduar lufta.

Urrejtja e një grupi të majtë, sapo kishte nisur të zbrazej. Sikur në përgjim, po e prisnin fundin e marshimit të brigadës “Mërgimi”!

Por, të gjitha mundimet mbase do të ishin harruar, sikur, të mos përmbylleshin me një tragjedi. Dhe kjo tragjedi do të vazhdonte me tragjedi të tjera, në vazhdim.

Rrëmbimi

Katër luftëtarë të denjë që kishin luftuar në beteja të rënda me Serbinë, pas një viti lufte, në ditët e lirisë, kur forcat e KFOR-it tashmë ishin vendosur në Kosovë, dhe thuaja çdo qytet konsiderohej i çliruar, do të rrëmbeheshin me forcë në Pejë, tek Shtëpia e mallrave.

Të rrëmbyerit, që të gjithë ish luftëtarë të sprovuar, por të paarmatosur.

Ishte rreth mesditës, 21 qershor 1999, nën kërcënimin me vrasje, do t’i merrnin nga aty, kinse për t’u paraqitur në Shtabin e Zonës së Dukagjinit, tek Ramush Haradinaj.

Ata ishin, Sinan Musaj, Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Ramë Peja (Idrizaj) dhe Vesel Muriqi.

Ata do t’i nënshtroheshin një dhune të paparë, dhe sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, për herë të parë bëhet e ditur se çfarë torturash kishin pësuar të katër të viktimat, që u ekzekutuan, por nuk ka shpëtuar lehtë as i mbijetuari Vesel Muriqi.

Vrasja e tyre në gurin e varrit është e shënuar 21 qershor, por në procesin gjyqësor të zhvilluar për rastin e tyre ndaj të akuzuarve në grupin e “Dukagjinit”, të filluar në vitin 2002 thuhet se rasti ka ndodhur, ndërmjet 23 dhe 24 qershorit.

Vesel Muriqi, qe shpëtuar nga ndihma e ish-pjesëtarit të “Shqiponjave të zeza”, Ilir Selimit, i cili e kishte njohur atë.

Anëtari më i njohur i këtij grupi ishte Rexhë Osaj (1959 – 1999) nga Deçani, i cili ishte shok i kolonelit Tahir Zemaj.

Rexhë Osaj ishte një nga ushtarët që morën pjesë në luftime në çlirimin e Loxhës, ku i mundën forcat serbe, dhe ka mbetur në histori si Beteja e Loxhës, ndër të paktat beteja të fituara nga UÇK-ja. Ai e kishte tërhequr trupin e ushtarakut të vrarë në betejën e Logjës, Rrustem Bruqit.

Në vitin 2006 iu u vra edhe një bir i familjes Osaj, vëllai i Rexhes, Afrim Osaj, në një lokal në Deçan.

Është e habitshme, se si pas rreth shtatë viteve, me shumë gjasë dorasit apo porositësit e vrasjes së Rexhës, do ta ekzekutonin në një lokal edhe vëllain e tij, Afrim Osajn (1964 -2006).

Që nga atëherë thuaja, familja Osaj u shpërngulë të jetojë në Perëndim. Rexhë Osaj, i vrarë qe 23 vjet dhe biri tjetër Afrimi qe 16 vjet, ndërsa babai, vazhdon të jetojë në moshën 92 vjeçare diku.

Fat i rëndë për prindërit, fat tragjik për pasardhësit.

Bashkim Balaj (1964-1999), e kishte lënë SHBA-në, dhe ishte kthyer në luftë në Kosovë në vitin 1998. Shtëpia e familjes Balaj në Shën Gjin, ishte kthyer në një bazë strehimi dhe pushimi për ushtarakët, si Tahir Zemaj, Ramabaja, pastaj të angazhuar të tjerë për të ndihmuar në organizimin e luftës, si Hysen Gërvalla, zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes shpesh pushonin, para se të ktheheshin në luftime dhe stërvitje, sipas një dëshmie të kësaj familje.

Për personin që dihet më pak është Ramë Peja, siç e quan Tahir Zemaj dhe të tjerë, por që mbiemrin duket se e ka Idrizaj.

Të gjitha rrëfimet e kësaj ngjarje, përfshirë të Tahir Zemajt, konvergjojnë se fillimisht të gjitha viktimat, pesë ta rrëmbyerit, ishin dërguar në zyrën e “Prefektit” të Pejës të emëruar nga Qeveria e Përkohshme, Ethem Çeku.

Sipas atyre pohimeve ai u tha rrëmbyesve që t´ia dorëzonin Ramush Haradinajt. Por, aty gjatë rrahjes u ishin thyer brinjtë!

Kufomat i kishte nxjerrë Isuf Haklaj

Një polic hetues, ish lufëtar i njohur në Koshare dhe në luftimet në Kosovës, pjesë e strukturave institucionale të luftës, Isuf Hakla, ishte njeriu që ua nxori trupat e viktimave.

“Odisejada e brigadës Mërgimi ka filluar nga Mamurasi (Shqipëri) për të vazhduar gjatë rrugëtimit, në Kukës ku janë maltretuar, pastaj në Gjakovë ku janë rrahur brutalisht dhe plaçkitur. Në Pejë pesë ushtarët e kësaj brigade janë arrestuar dhe dërguar në zyrën e prefektit Et'hem Çekut ku janë rrahur brutalisht, u janë thyer brinjët”, rrëfen Saim Tahiraj, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Sali Çekut.

Ai rrëfen, se sipas dëshmive, që ka siguruar, ndodhi një masakër e vërtetë, mbi katër burrat.

“Pas kësaj janë dërguar në drejtim të fshatit Ratishë, ku janë rrahur dhe masakruar me thika. Pasi i masakruan, e i vranë, i hodhën në një bunarë, dëshmi për këtë janë rrobat e heroit të betejës së Logjës Rexhë Osajt”, thotë Tahiraj.

Vulës së këtyre përjetimeve të tmerrshme të katër ushtarëve, ia kishte dhënë dëshmia e oficerit të policisë, Isuf Haklajt.

“Një tregim shumë trishtues rreth kësaj tragjedie të katër ushtarëve të brigadës “Mërgimi” na pat rrëfyer Isuf Haklaj, e të cilin po e rrëfej për herë të parë. Edhe Isufin e vranë bandat e njëjta. “Kur i kam nxjerrë nga bunari, kurrë në jetën time nuk kam parë kufoma më të masakruara, as në luftë. A ishin me veshë të prerë, në fytyrë të prerë, në trup të prerë, të sakatuar”, na tha Isuf Haklaj! Familja e Rexhë Osaj tani e 16 vite jeton jashtë Kosovës për arsye të kërcënimeve që i ka pasur!”, thotë Saim Tahiraj.

Këto viktima u kujtuan dje nga miq dhe të afërm, në një organizim të përvitshëm, por të thjeshtë.

Ata i ka përkujtuar në murin e tij në Fb, edhe ish zëvendësi i kolonelit Tahir Zemaj, Bernard Përlaskaj, i cili jeton jashtë.

“Në 23 vjetorin e vrasjes së bashkëluftëtarëve: Rexhë Osaj, Bashkim Balaj, Sinan Musaj dhe Ramë Peja, i përkujtoj me pietet të lartë njerëzor dhe ushtarak. Lavdi!”, ka shkruar në Fb, ish-zëvendësi i ushtaraku Përlaskaj.

A mund të ishin patriotë, ata luftëtarë që ia bën këto krime, këtyre 4 luftëtarëve, fitimtarë edhe në beteja si ajo e Logjës!?

Procesi gjyqësor

Në dhjetor të vitit 2002 Idriz Balaj i njohur me nofkën “Togeri”, Daut Haradinaj, Bekim Zekaj, Ahmet Elshani dhe Ramush Ahmetaj u dënuan nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, dhe më pas edhe nga Gjykata Supreme, për vrasjen e katër pjesëtarëve të brigadës “Mërgimi”.

Sipas vendimit gjyqësor vetëm trupi i Bashkim Balajt ishte gjetur, ndërsa ai i Sinan Musajt, Rexhë Osajt dhe Ramë Idrizit, jo.

Në aktvendim vetëm përmendej se viktimave u ishin shkaktuar lëndime të rënda trupore, por nuk janë gjetur asnjëherë; kurse Vesel Muriqi kishte arritur të arratisej, e i cili ishte dëshmitari kyç në atë proces.

Të akuzuarit Daut Haradinaj dhe Bekim Zekaj u dënuan me pesë vjet, secili, e dy të tjerët Ahmet Elshani dhe Ramush Ahmetaj, u dënuan me nga 3 vjet heqje lirie.

Daut Haradinaj ishte liruar me kusht, para kohe, në vitin 2006, po ashtu edhe Bekim Zekaj, ishte liruar me kusht.

Ahmet Elshani dhe Ramush Ahmetaj po ashtu ishin liruar para kohe, por këta me tre muaj lirim të parakohshëm.

Më së gjatë mbeti në burg Idriz Balaj, po nga 18 qershori 2002 deri më 28 dhjetor 2012, duke i kaluar vetëm tetë vjet e gjashtë muaj në burg efektiv për rastin “Dukagjinit”. Ndërsa, dy vite të tjera i kishte kaluar në Hagë, i akuzuar për krime lufte, por i shpallur i pafajshëm.

“Viktimat i kishin dërguar tek një gardh. Aty, pasi i kishin zhveshur, i kishin urdhëruar që të shtriheshin në tokë dhe i kishin rrahur me armë, të cilat janë përdorur në vend të kamxhikut. Gjatë rrahjes, Balaj e kishte gërvishtur me thikë në shpinë njërin nga viktimat, Bashkim Balajn. Gjithnjë sipas aktgjykimit, nga rrahjet viktimat kishin humbur ndjenjat, por u sollën në vete me ujë të ftohtë. Aty, Idriz Balaj kishte marrë viktimat te lumi dy nga dy. “Çdo herë që ai ka marrë dy veta, janë dëgjuar të shtëna me armë që kanë ardhur nga drejtimi ku i ka çuar ata”, shkruan në aktgjykim, transmetonte Kallxo.com.

Daut Haradinaj, po ashtu, kishte mohuar akuzat dhe kishte deklaruar se më 21 deri më 25 qershor ndodhej në Shqipëri. Gjykata kishte vërtetuar që ai ndodhej në Shqipëri deri pasditen e 21 qershorit të vitit 1999.

Idriz Balaj është liruar nga Tribunali i Hagës, më 29 nëntor të vitit 2012 së bashku me Ramush Haradinajn.

Por, gjatë kthimit u dërgua në burg, për të vazhduar dënimin e mbetur lidhur me rastin “Dukagjini”.

Në Tribunalin e Hagës, ai akuzohej për vepra të tjera, dhe nuk kishte lidhje mbajtja e tij, sipas evidencave të siguruara nga Jeta në Kosovë, me akuzat dhe dënimin e marrë në Kosovë prej 13 vitesh.

Tribunali e la atë të lirë, ndërsa e kishte akuzuar për krime lufte, ku u mbajt dy vjet në paraburgim.

Zyra për Medie e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi në Hagë, ICTY, i kshte deklaruar gazetës në fjalë se “rastet gjyqësore lokale dhe ndërkombëtare janë raste të ndara të cilat gjykohen nga juridiksione të ndryshme”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat