Lista e mbi 20 të vrarëve, ushtarë e dëshmitarë / 15 vrasje, gjashtë të plagosur në krimin zinxhiror lidhur me procesin “Grupi i Dukagjinit”!

Aktuale

Lista e mbi 20 të vrarëve, ushtarë e dëshmitarë / 15 vrasje, gjashtë të plagosur në krimin zinxhiror lidhur me procesin “Grupi i Dukagjinit”!

Nga: Idriz Morina Më: 23 qershor 2022 Në ora: 13:25
Pamje nga ceremonia e varrimit të kolonelit Tahir Zemaj, me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin

Rrjedha e kësaj tragjedie siç paralajmëruam dje, e vrasjes së 4 ushtarëve të brigadës ‘Mërgimi”, do të çonte në një numër tragjedish që nuk ndalonin. Por, thuajse të gjitha viktimat do të ishin, mbrojtësit e vijës institucionale në luftë, të ‘Shtetit paralel’, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova.

Duke llogaritur edhe katër vrasjet e mësipërme, dhe të Afrim Osajt, kanë ndodhur edhe 15 vrasje të drejtpërdrejta dhe me viktima të rastit.

Në vitin 2016 një e re, Leotrime Osaj, e kishte publikuar në faqen e saj në Facebook, një listë me ata që janë vrarë, dhe që kishin lidhje të drejtpërdrejt apo indirekte me vrasjen e katër ushtarëve të brigadës “Mërgimi”. Në fakt, lista nuk nënkupton se ishte krijuar nga ajo, por në mungesë të një reference të shënimit të saj, mediat ia kishin atribuuar listën. Një listë e ngjashme gjendet në internet pa emrin e saj.

Këtë listë, e kemi korrigjuar pak nga gabimet që ka pasur, gjatë kërkimeve që gjenden në botime të ndryshme, dhe kanë saktësi. Në këtë listë e kemi korrigjuar të dhënën se me Ilir Selimin është vrarë kunata e tij, e cila ndodhej mbrapa në veturë me dy fëmijët, që po ashtu mbetën të plagosur, dhe po ashtu u plagos Dema, axha i Ilirit, i cili ndodhej para në veturë. Ky ishte shtirë si i vdekur, dhe atentatorët ishin afruar tek vetura, për të konfirmuar vdekjen e Ilirit, dhe të tjerëve. Njëri nga atentatorët kishte refuzuar, më saktë nuk kishte lejuar të ekzekutoheshin fëmijët.

Kështu, që Dema do të mbetej dëshmitar i rastit, dhe do ta denonconte në polici, si atentator Demë Elshanin, për të cilin policia e UNMIK-ut kishte shpallur fletarrest.

Por, edhe Demë Selimaj (Mala) do të vritej në vitin 2010, dhe duke e vlerësuar si dëshmitar e kemi vënë në listë, si pasojë të vrasjeve zinxhirore, për të fshirë dëshmitë.

Lista

-Ismet Musaj i vrarë në vitin 2001 pak para se të thirrej në gjykimin kundër “Grupit të Dukagjinit”.

- Mirth Muriçi i vrarë me armë zjarri në vitin 2002 në Pejë.

- Sadik Muriçi i plagosur në vitin 2002 në Pejë.

- Bekim Mustafa dhe Avni Elezaj të vrarë me armë zjarri në Pejë në vitin 2002.

-Tahir Zemaj vetë i treti, i vrarë në një atentat në hyrje të Pejës së bashku me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin me 4 janar në vitin 2003.

- Ilir Selimaj, dëshmitar kyç, dhe polic, u vra me 14 prill 2003, derisa po kthehej në shtëpi me kunatën Feriden, ku mbetën të plagosur axha i tij, Dema, dhe dy fëmijë në veturë, njëri katër vjeçar.

- Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj polic të njësitit hetimor në regjionin e Pejës të vrarë në një pritë më 24 nëntor më vitin 2003. Ata ishin duke e hetuar rastin Zemaj.

- Sadik Musaj i vrarë me 1 shkurt 2005.

- Gjeladin Musaj i vrarë me 16 qershor 2005.

- Afrim Osaj në vitin 2006.

- Kujtim Berisha i vrarë në një aksident në Podgoricë në vitin 2007.

- Demë Selimaj vritet në vitin 2010, i cili ishte dëshmitarë në vrasjen e Ilirit, pasi i kishte parë me sy vrasësit. Në atentatin ndaj Dëmës plagoset rëndë edhe një kushëri i tij, Shefqeti, i cili do të vritej në vitin 2013.

- Në një atentat në shtëpi, ndaj dëshmitarit Vesel Muriqi, ishte plagosur edhe një vajzë e tij trevjeçare.

Si bilanc i këtyre sulmeve zinxhirore, rezulton se janë mbi 20 të vrarë, përkatësisht rezulton me së paku 22 nëse përfshihet edhe vrasja e Smajl Elezit (2004) përfshirë katër ushtarët e Brigadës “Mërgimi” dhe gjashtë të plagosur. Por, as ky numër nuk është definitiv, pasi mund të ketë pasur edhe raste të tjera që ndërlidhen, përfshirë edhe ndonjë rast të gjakmarrjes.

Vetëm nga katër familje u vranë 12 veta: 4 nga Musajt, 3 Zemaj, 3 Selimaj dhe 2 Osaj.

Edhe vrasja e Bekim Mustafës dhe Avni Elezajt nuk është e qartë, se si është motivuar. Avni Elezi, dyshohej se është përdorur në rastin e vrasjes së katër ushtarëve “Mërgimi”. Edhe ky atentat ishte pasuar nga një vrasje tjetër. Ishte vrarë në vitin 2004, babai i tij Smajl Elezaj.

Rastet me përfundimin më tragjik të këtij zinxhiri vrasjesh janë pa dyshim të familjes Musaj, ku numri i të vrarëve shkon në katër veta, dhe që të gjithë vëllezër. Por, besohet se të paktën në një rast familja Musaj mori hak, për vrasjen e njërit prej anëtarëve të familjes.

Pas vrasjes së Sinan Musajt, këta nuk e ndalën betejën për kërkimin e drejtësisë për vëllain e tyre, të vrarë rëndë, pa gjyq, dhe me sa dihet pa asnjë faj.

I pari që do të vritej, para se të fillonte procesi i gjykimit ndaj “Grupit të Dukagjinit”, ishte vëllai i Sinanit, Ismeti, i vrarë në vitin 2001. Ky besoj se u vra pasi ishte dëshmitar në atë proces, që pritej ta zbardhte vrasjen e vëllait të tij.

Luftëtari Sinani u vra, pas torturimit së bashku me tre ushtarë të tjerë të UÇK-së të brigadës “Mërgimi”, Bashkim Balajn, Rexhë Osajn dhe Ramë Peja (Idrizaj).

Image
Ramush Haradinaj, i plagosur. Sadik Musaj 

Në procesin gjyqësor për këtë rast të njohur si “Grupi i Dukagjinit”, janë dënuar pesë veta, nga 3 deri në 13 vjet, por që të gjithë përfituan nga ulja e dënimit me kusht, ata që ishin dënuar me tre vjet iu ul dënimi me tre muaj, ndërsa i atyre me 5 vjet, nga së paku gjashtë muaj, dhe Idriz Balaj, që u dënua me 13 vjet, i mbajti vetëm 8.5 vjet, dhe dy të tjera ju llogariten nga paraburgimi në Hagë, për tjera akuza.

Daut Haradinaj dhe Bekim Zekaj qenë dënuar me pesë vjet, secili, Ahmet Elshani dhe Ramush Ahmetaj, me nga 3 vjet heqje lirie.

Tragjedia e familjes Selimaj

Rast tjetër i përcjellur me tragjedi të reja është ai i familjes Selimaj. Ilir Selimaj, u vra sepse ishte dëshmitar kyç në procesin “Dukagjini”, pasi në kohën kur kishte ndodhur rrëmbimi i katër ushtarëve të brigadës “Mërgimi”, ai ishte pjesëtar i “Shqiponjave të zeza”, që i komandonin klani Haradinaj, por e kishte ndihmuar të shpëtonte Vesel Muriqin, të rrëmbyerin e pestë, i cili po ashtu ishte rrahur brutalisht.

Ilir Selimaj, ishte ndarë nga ky grup famëkeq, pas atij rasti. Por, nuk ia kishin falur, as ndarjen dhe aq më tepër dëshminë kundër ish-anëtarëve të grupit.

Sipas familjarëve Daut Haradinaj, në gjykim i ishte drejtuar kështu Ilirit: "I ka thonë në gjyq, tana ti fali, jetën nuk ta fali’!

Image
Ilir Selimaj, i vrarë në sulm terrorist

Ilir Selimaj në kohën e vrasjes ka qenë oficer i policisë së Kosovës, që atëherë quhej SHPK.

Edhe i mbijetuari në sulmin ndaj Ilirit, Dema së bashku me Brahim Selimajn, vëllain e tij, e kishin dhënë një intervistë në redaksinë e “Bota sot” në Prishtinë në vitin 2003, ku kishte pohuar se e kishte parë me sytë e vet vrasësin kryesor, por që policia e UNMIK-ut, nuk e kishte arrestuar.

“Unë, Dema, jam dëshmitar i gjallë që e kam pa vrasësin me sytë e mi e ata gjoja ende bëjnë hetime dhe nuk e arrestojnë askënd. Si të kem besim atëherë unë në këto institucione?”, kishte thënë ai.

“Tash po na kërcënojnë e po na vrasin, sepse jemi anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo është e tmerrshme”, thoshin të dy vëllezërit në intervistën për “Bota sot”.

Ndërsa, në një deklarim tjetër, babai i Ilirit të vrarë, Brahimi, ishte shprehur për “Kohën ditore”, se: “i biri i tij është vrarë me urdhër të Haradinajt, ndërsa që aktin sipas tij e kanë kryer disa ish-eprorë të UÇK-së, nën komandën e të cilëve kishte qenë Iliri gjatë veprimtarisë së tij ushtarake në ZO të Dukagjinit”.

Për rastin e vrasjes së Demë Selimajt në vitin 2010, policia e kishte arrestuar një person. “E dimë që është arrestuar sipas policisë. Më shumë s’kem informacione se sa persona janë arrestuar”, ka deklaruar një familjar për “Bota sot”.

Edhe policia aso kohe, e shpjegonte vrasjen me motivin e dëshmisë së Ilirit.

“Policia e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) thotë se një dëshmitar kyç i palës paditëse në një gjyq të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vrarë në perëndim të Kosovës”.

Po të njëjtin vit, tre muaj para vrasjes së Ilirit, në muajin janar, qe ekzekutuar në pritë ish komandanti i FARK-ut, Tahir Zemaj, dëshmitar në gjykimin ndaj “Grupit të Dukagjinit”. Në atë atentat u ekzekutuan edhe biri i tij Enisi dhe kushëriri Hasan Zemaj.

Janë interesante reagimet e asokohshme, të cilat e dënonin rastin e atentatit terrorist, nga më të rëndit, ndaj familjes Selimaj.

Sulme terrorizuese që pengojnë procesin e pavarësimit të Kosovës

Me 15 prill 2003, kishte reaguar Rino Harnish, shefi i Misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, duke e dënuar vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e tre anëtarë tjerë të familjes Selimaj: “Dema (37), Drita (14) dhe Kushtrimi (4)”.

Sipas reagimit dhe informacioneve paraprake për rastin, ambasada amerikane besonte se ishte një sulm i qëllimshëm për të eliminuar dëshmitarët.

"Edhe një herë, në mënyrë të gjakftohtë u vra një dëshmitar i një gjykimi për vrasje. Ende nuk është vërtetuar se a është kjo vrasje e lidhur me gjykimin në të cilin dëshmoi z. Selimaj, por mbetet fakti se vetëm në katër muajt e fundit kjo është hera e dytë që në rajonin e Pejës vriten dëshmitarët e gjykimeve për vrasje, me gjakftohtësi dhe në prita të planifikuara me kujdes".

"Këto vrasje aq të pamëshirshme – ku në cak janë vënë edhe fëmijët, duke shpërfillur jetën njerëzore në mënyrë të pandjenjë – duket se kanë për qëllim terrorizimin e bashkësisë më të gjerë të Kosovës dhe minimin e sundimit të ligjit.

Të jemi të qartë lidhur me këtë. Vrasjet e tilla nuk bëjnë vetëm eliminimin e dëshmitarëve dhe frikësimin e tjerëve që të mos dëshmojnë kundër elementeve kriminale të Kosovës, por ato po ashtu e pengojnë Kosovën në arritjen e standardeve që ajo duhet t’i plotësojë para se të mund të diskutohet për statusin përfundimtar".

"Fakti që vrasës të tillë janë të gatshëm që qëllimisht të sulmojnë edhe fëmijët dhe anëtarët e familjes, pikërisht sikurse në janar kur u vra Tahir Zemaj bashkë me djalin dhe nipin e tij, flet shumë për vlerat të cilat i përfaqësojnë këta vrasës të njerëzve të pafajshëm.

Edhe një herë, është e qartë se në shoqërinë kosovare ka elemente, vlerat e të cilëve përfshijnë dhunën dhe frikësimin si mjete legjitime të të shprehurit në Kosovën e pasluftës".

"Qeveria e SHBA-ve kërkon nga çdokush që ka informata në lidhje me këto vrasje që të paraqitet dhe t'i tregojë policisë atë që din. Ne të gjithë duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të sjellur autorët e krimit para drejtësisë, përmes sistemit ligjor i cili është i lirë nga frikësimet dhe dhuna", kishte deklaruar ndër të tjera Harnish, i cili në fakt ishte në rolin e ambasadorit të SHBA në Kosovë.

Rastin e kishte dënuar edhe presidenti Rugova, duke e quajtur sulm ndaj demokracisë.

"E dënojmë ashpër aktin kriminal të ditës së hënë, që në esencë është akt i drejtuar jo vetëm kundër pjesëtarëve të familjes Selimaj por edhe kundër rendit demokratik, sigurisë, dhe sundimit të ligjit në Kosovë", kishte thënë Rugova ndër të tjera duke kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë.

Komandanti i policisë Riçards, vrasës të njëjtë mund ta kenë vrarë Tahirin dhe Ilirin

Policia e kishte identifikuar një të dyshuar si një nga pjesëmarrësit në vrasjen e dyfishtë në Nabërgjan afër Pejës. Më 17 prill 2003, sipas komandantit rajonal të policisë së UNMIK-ut në Pejë, tashmë ishte identifikuar Adem Elshani, si njëri nga pjesëmarrësit e vrasjes së dyfishtë në Nabërgjan të Pejës.

Komandanti i policisë rajonale Bob Riçards kishte deklaruar asokohe se i dyshuari ka një të kaluar kriminale.

Riçards kishte deklaruar se ekzistonte mundësia që persona të njëjtë të kenë vrarë edhe Tahir Zemajn, pasi që të dy viktimat (Tahir Zemaj dhe Ilir Selimaj) kanë qenë dëshmitarë në procesin gjyqësor kundër "Grupit të Dukagjinit".

Edhe një raport i drejtave të njeriut nga Zyra Amerikane në Kosovë i publikuar në shkurt të vitit 2004 e ndërlidhte vrasjen e Tahir Zemajt dhe gjykimin në të cilën ai kishte qenë dëshmitar kryesor.

Policia e UNMIK-ut, në vitin 2004 ia kishte konfirmuar IWPR-së se fletarrestet ishin lëshuar në rastet e Zemës dhe Selimaj, por të dyshuarit ende gjendeshin në arrati. Polica thotë se dy rastet, së bashku me vrasjet e dy policëve të SHPK-së, janë ende nën hetime.

Ndërsa, kur në vjeshtën e vonë u vranë edhe dy oficerë të policisë, Sebehate Tolajt dhe Isuf Haklajt, të cilët ishin duke e hetuar vrasjen e Tahir Zemajt, kishte reaguar edhe shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, duke akuzuar se vrasjet po bëheshin nga mafia.

“Mafia mbështetet në frikën që krijojnë për të siguruar heshtjen tuaj, ndërsa shoqëritë ku kjo frikë dhe kjo heshtje lejohen të mbizotërojnë, kriminelët asnjëherë nuk mund të munden,” kishte thënë Holker duke e akuzuar edhe shoqërinë tonë se po heshtte ndaj krimit.

Sidoqoftë përveç procesit të mbajtur për katër ushtarët e vrarë të brigadës ‘Mërgimi”, askush tjetër nuk është gjykuar për mbi 15 vrasje dhe mbi 5 plagosje të tjera.

Image
Ilir Selimaj, me shokët e tij, ushtarë

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat