Rebelohet Këshilli Prokurorial i Kosovës / Nuk do t’ia dijë për ligje e Kushtetutë

Aktuale

Rebelohet Këshilli Prokurorial i Kosovës / Nuk do t’ia dijë për ligje e Kushtetutë

Nga: Idriz Morina Më: 23 qershor 2022 Në ora: 20:17
Foto -ilustrim, protesta për zbatim të ligjit, por Këshilli Prokurorial ka thirrje për mos zbatim të ligjit!

Çfarë mesazhi po na jep Këshilli Prokurorial i Kosovës? Këshilli Prokurorial paralajmëron se nuk do t’i nënshtrohet ligjit të ri që u votua sot në Kuvend për strukturimin e ri të këtij organi të pavarur kushtetues, e të paprekshëm në organizim dhe funksionim.

Deklarata shokuese

Kur një qytetar zgjedhë ta kryejë vetë një problem, mosmarrëveshje apo mosndëshkueshmërinë ligjore për një kriminel, prokuroria ju akuzon rëndë, pavarësisht motiveve dhe nëse ju ndoshta mund të keni pasur ndonjë të drejtë, ndërsa gjykata ju ndëshkon po aq rreptë, sa thuajse kërkon Prokuroria. Këtë e konsideron vetëgjyqësi, dhe për këtë ju pret një dënim maksimal. Vetëgjyqësia në demokraci është e ndaluar, sepse e minon shtetin ligjor.

Por, sot Këshilli Prokurorial i Kosovës, është deklaruar për vetëgjyqësi! Pas miratimit të Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK-në) në Kuvendin e Kosovës.

“Asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore”, thuhet në reagimin e Këshillit (KPK-së).

Sikur kjo deklaratë të dilte nga një parti politike nuk është normale, por të dalë nga një organ ligjzbatues, është e frikshme.

Këshilli Prokuroria, do të ishte shumë më mirë, edhe në këtë rast, por edhe në të tjera, të kërkojë ruajtjen e rendit kushtetues, sigurisë së përgjithshme dhe ligjore. Këshilli Prokurorial nuk ka denjuar ta hetojë asnjë politikan, asnjë përfaqësue shteti, zyrtar të lartë shtetëror, edhe kur ata kanë provuar se janë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.

Të gjithëve ju kujtohet, se Hashim Thaçi për një pjesë të veriut të Kosovës, Leposaviçin dhe Leshakun, deklaronte se ‘janë dhuratë e Rankoviçit’!

Pastaj tentativat e pandalshme të tij, me konceptet si ‘korrigjim kufijsh’ etj., ai e kishte konsumuar çdo vepër penale të mundshme, që lidhet me Kushtetutën detyrimin për territorin. Në këtë ndërmarrje ai nuk ishte vetëm.

Po ashtu prokuroria nuk është interesuar fare se me çfarë motivesh u përcaktua që marrëveshjet në Vjenë për delimitimin e kufirit të lidheshin me regjistrin kadastral, kur ai nuk ishte i përfunduar as në Kosovë, por as në Mal të Zi. Pse u ndryshua objekti i marrëveshjes nga delimitim, në përcaktim të ri kufiri për nga funksioni! Kosova humbi 8.228 hektarë tokë, nga kufijt e saj administrativë, që ka pasur, së paku prej vendosjes së tyre në kohën e autonomisë, me 1974.

Ekzistojnë me qindra dosje, që i fajësojnë politikanët e lartë, e pak prej tyre tashmë ndodhen në burgje, këta se zbatuan as Kushtetutën as ligjin, prandaj u vranë edhe nga vetëm një rast vrasje me dhjetëra veta të tjerë.

Çdo vit besohet se 20-30 % e GDP-së, ‘firon’ nëpërmjet tregut të zi, dhe buxheti humb minimalisht 500 milionë euro çdo vit, por mund të shkojë edhe deri në 1.5 miliard e më shumë!

Deklarimi i Këshillit (KPK-së) se do t’i kundërvihen në rrugë ligjore (kujt?), nuk ka kuptim, pasi në rrugë ligjore, ligjet e miratuara nga Kuvendi nuk mund të kundërshtohen nga asnjë palë, por vetëm në rrugë kushtetuese, duke e dërguar kundërshtimin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nëse e ka këtë mundësi ta bëjë Këshilli.

Por, nëse lexohet deklarimi i KPK-së, vetëm si kundërshtim i veçantë ligjor, kjo nënkupton një hetim ndaj autoritetit që e ka nxjerrë ligjin, në këtë rast Kuvendit të Kosovës. Por, në këto raste deputetët është vështirë të hetohen, sepse funksioni i tyre është ligjvënës. E të hetohen interesat e tyre në këtë rast specifik, është e paimagjinueshme të gjeshë argumente se përbën interes personal apo interes për qëllime përfitimi të ndonjë grupi. Prandaj, kjo i bie si një përpjekje për të ushtruar presion apo frikësim, me kërcënimin e ligjit-zbatimit! Por, pyetja është se ndaj kujt?

Letra nuk i është drejtuar Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila para se ai të hyjë në fuqi, është kompetentja e vetme, që mund ta kthejë mbrapsht në Kuvend një ligj, duke gjetur arsye të pranueshme, se mund të ketë shkelje apo dëme. Por, edhe këtë të drejt Presidenti (-ja), mund ta përdorë njëherë, dhe nëse sërish Kuvendi e miraton, me ndryshime ose jo, ligji hyn në fuqi, vetvetiu me përmbushjen e afatit kushtetues.

Por, ky Këshill ka zgjedhur ta injorojë edhe Presidenten, pasi në komunikatë nuk e përmend as si mundësi.

Image
Këshilli Prokurorial i Kosovës

"Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me anë të kësaj deklarate për media, shpreh shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në në Kuvendin e Kosovës...”

“Meqenëse me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, Këshilli njofton se përveçse do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij ligji, gjithashtu, asnjë anëtar i Këshillit nuk do t’i nënshtrohet kërkesave kundërkushtetuese dhe antiligjore që janë edhe kundër standardeve ndërkombëtare, por edhe kundër dy rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias", thuhet në këtë reagim të KPK-së.

Ky kërcënim i KPK-së duhet të hetohet

Pra, ku ultimatum dhe ky kërcënim i Këshillit Prokurorial duhet të jetë objekt i hetimit dhe duhet të dërgohet menjëherë në gjykatë, për shkak të thirrjes për moszbatim të ligjit, pavarësisht pritjes, se ai do të hyjë në fuqi!

Anëtarët e Këshillit Prokurorial nuk janë organizim jashtë institucional, por organ i pavarur kushtetues, dhe që nuk mund të sillet jashtë rolit të tij primar.

Mesazhet e KPK-së janë të qarta, nuk duhet të zbatohet ligji, dhe kjo nënkupton se sa herë të kenë shans njerëzit në Kosovë, duhet të sillen arbitrarisht, mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën!

Ky Këshill nuk mund të sillet sikurse ajo pjesë e veteranëve, të vërtetë dhe të rrejshëm, që të manipuluar nga struktura të caktuara politike dhe të krimit të organizuar, që ishin të gatshëm me deklarimet e tyre ta rrëzonin qeverinë dhe shtetin, në emër të mos rritjes së menjëhershme të pensionit për 80 euro!

Kjo mënyrë e deklarimit të tyre të paligjshëm është dëshmi, se anëtarë apo shumica e këtij Këshilli janë të kapur dhe në shërbim të strukturave mafioze të krimit dhe të politikës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat