Bullgaria miraton propozimin e Presidencës franceze, i hap rrugë integrimit evropian Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Aktuale

Bullgaria miraton propozimin e Presidencës franceze, i hap rrugë integrimit evropian Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 08:08 Përditësuar në ora: 14:37 më 24.06.2022
Pamje nga Samiti në Bruksel

​Shqipëria përshëndet heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut

Tirana zyrtare ka përshëndetur vendimin e parlamentit bullgar për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut.

Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë Edi Rama tha se pati një telefonatë me kreun e opozitës bullgare Boyko Borissov, të cilin e falënderoi për rolin e tij në heqjen e vetos.

Rama shkruan se partia e tij shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe të BE-së, teksa i bëri thirrje kësaj të fundit që të veprojë shpejt.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtoi fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt!”, shkruan Rama në Twitter.

Edhe presidenti në detyrë Ilir Meta, e quan lajm të shumëpritur nga Bullgaria heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ky votim i hapi rrugën edhe Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

“Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Evropian, që vijon ende“, shkruan Meta.

Parlamenti bullgar miratoi sot propozimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. /tch

I hapet rrugë integrimit evropian të Maqedonisë Veriore

Parlamenti bullgar ka miratuar propozimin e Presidencës franceze të Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kjo është bërë përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se, Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të Këshillit për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden popujt e tjerë dhe në kushte të barabarta me këta popuj”.

Miratimi dhe pranimi nga qeveria e shkarkuar e Kiril Petkov mund të çojë në heqjen e vetos për Shkupin, duke mundësuar që BE-ja të hapë negociatat e anëtarësimit edhe me Shqipërinë.

Projektrezolutat konfirmojnë mbështetjen për propozimin francez, por vetëm me këto kushte: të garantohet përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, njësoj si pakicat e tjera; të pasqyrohet qartë fakti se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë; BE-ja të garantojë që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter gjatë procesit të anëtarësimit.

Sakaq, situata në parlamentin e Bullgarisë nuk është e qetë, pasi grupime deputetësh shprehen totalisht kundër propozimit francez dhe miratimin e tij e konsiderojnë një tradhti.

Por aprovimi i planit të Macron nuk pritet të jetë problem pasi pjesa më e madhe e ligjvënësve e mbështesin atë./A2

Samiti vazhdon edhe sot, ky është konkluzioni i vetëm për Kosovën nga dita e djeshme

Sot në Bruksel do të vazhdojë dita e dytë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas agjendës, nga ora 9:00 pritet që pjesëmarrësit të arrijnë, derisa një orë më pa do të fillojë një sesion pune.

Më pas është e planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidenti Michel, Presidentja Von der Leyen dhe Presidenti Macron.

Udhëheqësit do të zhvillojnë një diskutim strategjik se si të përforcojnë marrëdhëniet e BE-së me partnerët e tyre, duke përfshirë mënyrën se si të nxitet dialogu politik dhe të forcohet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit europian.

Më vonë temë diskutimi do të jetë Ukraina. Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë zhvillimet e fundit në lidhje me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë ndikimin e saj në krizën globale të sigurisë ushqimore, si dhe mbështetjen ushtarake, politike dhe humanitare që planifikohet t’i jepet Ukrainës.

Rezultati i ditës së parë të samitit të djeshëm shkaktoi sërish zhgënjim te vendet e Ballkanit Perëndimor meqë nuk u dha asgjë konkrete për liberalizimin e vizave për Kosovën apo hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zëdhënësi i Këshillit Europian, Barend Leyts, ka treguar se cilat janë përfundimet për Ballkanin Perëndimor të nxjerra nga Samiti i BE-së, ku për Kosovën përmendet vetëm përparimi në dialog ndërsa nuk përmendet liberalizimin e vizave.

Në pikat e nxjerra në përfundime, për Kosovën flitet vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë dhe përparimin në dialog. Në këto pika nuk flitet për heqjen e vizave.

Këshilli Europian riafirmon urgjencën e të bërit përparim të qartë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mëdha bilaterale dhe regjionale, veçanërisht dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në pikën 19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat