Osmani udhëtoi për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor

Aktuale

Osmani udhëtoi për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 09:39
Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Tajlandë dhe Singapor ku do të takohet me përfaqësues të lartë shtetëror.

Kjo është vizita e parë e një kreu të shtetit të Kosovës në këto dy shtete të Azisë Juglindore, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjatë qëndrimit në Tajlandë, presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri i Tajlandës Prayut Chan-o-cha.

Kurse në Samitin “Global Summit of Women”, presidentja Osmani do të flasë për rolin dhe potencialin e grave në realitetin e ri.

Presidentja Osmani, gjithashtu do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik të organizuar nga Këshilli Diplomatik dhe Oda Ekonomike e Tajlandës ku do të diskutohen mundësitë e tërheqjes së investitorëve nga ky shtet, por edhe mundësive ekonomike që i ofron Kosova.

Pas vizitës në Tajlandë, presidentja Osmani do ta vazhdojë vizitën në Singapor, ku pritet të takohet me homologen e saj, Presidenten Halimah Yacob, kryetarin e Parlamentit Tan Chuan-Jin, ministren e Lartë të Shtetit për Zhvillim Kombëtar dhe Punë të Jashtme, Sim Ann dhe me Ministrin e Lartë të Shtetit, Mohamad Maliki Bin Osman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat