'Ai është shkaktari që ka humbur vajza ime', rrëfimi i nënës së kërcimtares së zhdukur në Pejë

Aktuale

'Ai është shkaktari që ka humbur vajza ime', rrëfimi i nënës së kërcimtares së zhdukur në Pejë

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 19:33
Konxhe Ramazani

Për më shumë se 1 muaj që nga zhdukja e shtetases shqiptare në Kosovë, nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Konxhe Ramazani e njohur si “Xheni” punonte si kërcimtare në një klub nate që ndodhet në fshatin Orllat.

Gazeta sjell rrëfimin e nënës dhe vajzës së saj, ku tregojnë ditën kur morën mesazhin se Xheni kishte humbur gjurmët dhe detaje tjera rreth kësaj historie.

Shtetasja nga Shqipëria, Konxhe Ramazani që nga 21 maji i këtij viti rezulton e zhdukur në Kosovë. Ajo punonte si kërcimtare në një klub nate, ndërsa prej disa viteve jetonte në qytetin e Pejës.

Gazeta mëson se klubi ku punonte Konxhe Ramazani, e që njihej si Xheni quhet ‘Te Didi’. Është një klub me muzikë live që gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë, përkatësisht në fshatin Orllat.

Xheni, është nënë e dy fëmijëve, por për fati e saj familjarët nuk kanë asnjë informacion deri tash.

Vajza e Xheni, në një intervistë ka treguar se si e mori lajmin se nëna e saj nuk gjendet askund.

15 vjeçarja tha se ditën e 19 majit nëna e saj nuk kishte ardhur fare në shtëpi. Më pas kishte marrë disa mesazhe në rrjetet sociale, ku shkruanin se “mama të ka vdekur”.

Ajo tregon se edhe i dashuri i nënës së saj i kishte thënë të njëjtën gjë, që kishte dëgjuar se nëna i kishte vdekur.

“Atë natë nëna nuk ka ardhur në shtëpi fare. Lajmi për herë të parë e kam marrë nga mesazhet në Tiktok dhe Facebook, ku më kanë shkruar se të ka vdekur nëna, dhe se gjithëkund është përhapur si lajm. Pastaj, Shkëlqimi (I dashuri I Xhenit) më ka thënë se kemi marrë vesh që ka vdekur nëna yte. Unë i kam thirrë shoqet e nënës dhe i kam pyetur se ku e kanë parë për herë të fundit, krejtë më kanë thanë pas përfundimit të punës”, tha vajza e Xhenit.

Po ashtu, edhe një person i panjohur i ishte lajmëruar në emër të nënës së saj duke i shkruar “Merre nanën (gjyshën) në telefon dhe ikni për në Shqipëri se unë nuk vi më..”

Pasi kishte marrë mesazhet për vdekjen e nënës, vajza kishte telefonuar gjyshën në Elbasan.

“Pasi i kam marrë mesazhet, mas dy dite i kom tregu gjyshë. Sepse në fillim nuk doja ta shqetësoja”, tha më tej ajo.

Gazeta ka biseduar edhe me nënën e Xhenit, Hurma Ramazani e cila ka rrëfyer ditën kur mori telefonatën nga mbesa për zhdukjen e vajzës së saj.

Ajo ishte nisur menjëherë nga Shqipëria për në Kosovës, ku edhe e kishte lajmëruar rastin në Policinë e Pejës.

“Më ka telefonuar mbesa e më ka thënë që mami (Xheni) është zhdukur dhe unë kam marrë rrugën nga Shqipëria për në Kosovë dhe kam ikur direkt në polici”, tha Ramazani.

Ramazani tregon se si kishte marrë qindra mesazhe se vajza e saj është gjendur e vrarë në një pyll në Kosovë.

Mua më kanë ardhur qindra mesazhe nga numrat e Kosovës që Xheni gjendet e vrarë në pyll”, tha ajo.

Nëna e Xhenit, hedh dyshime se i dashuri i të bijës mund të jetë shkaktar i zhdukjes së saj. Sipas saj, Shkëlqimi (i dashuri i Xhenit) i di të gjitha pasi kanë jetuar bashkë për gati dy vite.

“Shkëlqimi ka bashkëjetuar me Xhenin një vitë e gjysem, ai e dinte ku punonte dhe çfarë bënte vajza ime pasi kanë jetuar bashkë.Shkëlqimin duhet ta gjejë atë. Ai është shkaktari që ka humbur vajza ime, ai e di të gjithë ngjarjen”, thotë Ramazani për Insajderin.

Ndonëse, raportet me të dashurin e Xhenit kishin qenë në rregull më parë, sipas Hurma Ramazanit ai pas zhdukjes së të bijes nuk lajmërohet më.

“Më herët kemi pasur kontaktet të mirë, kam folur si është Xheni si shkon punë. Ditën kur është zhdukur  më tha se në orën 3:20 e kishte marrë në telefon dhe se ishte duke ardhur te shtëpia dhe iku tha u fikë telefoni. Ai tani është tërhequr dhe nuk përgjigjet më në telefonatat e mia”, tha Ramazani më tej.

Nga klubi i natës ku kishte punuar Xheni, B.B dhe A.B ju kishin lajmëruar Ramazanit, pasi kjo e fundit kishte bërë denoncimin në polici,

Dy burrat i kishin thënë se vajza e saj nuk kishte pasur probleme me askënd dhe se dy ditët e fundit kishte qenë e sëmurë.

“Pas kam bërë denoncimin ka ardhur B.B së bashku me A.B dhe më thanë se vajza juaj nuk ka pasur probleme me askën në punë dhe se dy ditë nuk ka pirë sepse ka qenë sëmur”, tha Ramazani.

Lidhur me zhdukjen e vajzën, Hurma Ramazani kishte kërkuar ndihmën dhe nga shoqet e Xhenit, po që të njëjtat i kishin thënë se për herë të fundit e kishin parë kur ishte nisur për te banesa e saj pas punës .

“Shoqet e saj të punës thonë se për herë të fundit e kanë parë pasi kanë dalur nga puna dhe janë nisur për në shtëpit e tyre në Pejë, dhe më pas asgjë”, tha në fund Ramazani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat