​LDK kërkon të ndalet politizimi në universitete

Aktuale

​LDK kërkon të ndalet politizimi në universitete

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 20:35
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione, po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura.

LDK thotë se dje në Universitetin e Prishtinës (UP), nën ndikimin e partisë në pushtet, u zgjodhën anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së nga radhët e trupit akademik.

Përzgjedhja në masë të madhe dëshmoi se anëtarët u përzgjodhën me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalancë total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore. Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së. Të përkujtojmë se Këshilli Drejtues i UP-së është organi më i lartë vendimmarrës i Universitetit të Prishtinës, që mbikëqyr punën e Rektorit dhe funksionimin e Universitetit edhe në rrafsh buxhetor. Qeveria e Republikës së Kosovës ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues. Por, jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik. Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional. Kjo është parë me ndërhyrjen e një qeverie të kaluar në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës që rezultoi me përjashtimin e saj prej organizmave relevante evropianë për sigurim të cilësisë në arsimin e lartë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar respektim të autonomisë së Universitetit dhe përjashtim të ndikimit partiak në UP.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat