Edi Rama në partneritet me Putinin dhe agjendën ruse / Kërcënimi rus po rritet, NATO-ja po tetëfishon trupat

Aktuale

Edi Rama në partneritet me Putinin dhe agjendën ruse / Kërcënimi rus po rritet, NATO-ja po tetëfishon trupat

Nga: Idriz Morina Më: 27 qershor 2022 Në ora: 19:15
Foto ilustrim Rama dhe Putini

Pas refuzimit të BE-së (Këshillit Evropian), që t’ua heq vizat shqiptarëve, vizitës së Ramës në Kosovë, përplot deklarata kaotike, deri tek përplasjet me bullgarët në Bruksel për sllavomaqedonasit, vështirësive ekonomike, që po i krijon pushtimi rus në Ukrainë, rritjen enorme të çmimeve të shportës elementare për jetë, protestave të veteranëve në shërbim të krimit politik, përpjekjeve të opozitës për ta rrënuar imazhin e qeverisë etj., thuajse u harrua lufta në Ukrainë dhe rreziku rus.

NATO e shqetësuar nga Rusia

Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, sot ka njoftuar se NATO-ja, do ta tetëfishojë forcën e saj ushtarake të reagimit të shpejt, nga 40 mijë në 300 mijë trupa, përcjellë Reuters.

"Ne do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave tona të gatishmërisë së lartë në mbi 300,000”, ka thënë Stoltenberg para samitit të NATO-s në Madrid, që pritet të mbahet këtë javë.

Javë më parë është shkruar, madje duke dhënë edhe propozime nga ekspertë ndërkombëtar, që NATO-ja, ta pranojë Kosovën si anëtare, në mënyrë të papritur për shkak të përpjekjeve ruse për nxitje të krizave.

Por, kjo thuajse s’ka shanse të ndodhë, madje as pranimi i Kosovës si vend partner i NATO-s, edhe pse ne de fakto jemi partner, e madje edhe anëtar të saj, sepse nuk ka thuaja asnjë vend në botë, në të cilin Aleanca është e përfshirë me numër kaq të madh trupash.

Po ashtu edhe me baza serioze, veçanërisht si ajo e Bondsteelit amerikan.

Por, pavarësisht kësaj çështje, rritja e numrit të forcave të reagimit të shpejtë apo të gatishmërisë së lartë, është shqetësuese për të gjitha shtetet europiane, të paktën për ato që mund të cenohen drejtpërdrejt nga Rusia apo nga ndikimi i saj.

Prapë, shtrohet pyetja legjitime, se çfarë është duke bërë Kosova për të rritur forcën e saj mbrojtëse, qoftë fizike, qoftë atë të armatimit.

Rreziku në rritje nga armët bërthamore

Duket se buxheti i krijuar nga Fondi për siguri, që pritej ta ndihmonte diaspora më shumë, dhe bizneset, nuk do të mund të përmbushë objektiva serioze, përveç se në ndonjë fushë të vogël.

Sanksionet dhe lufta e furishme në Ukrainë, ku kanë hasur jo vetëm në rezistencë, por në përjetim të humbjeve thuaja poshtëruese të rusëve, po e çon qeverinë ruse në falimentim. Sipas informacioneve të mediave botërore, për herë të parë, që nga viti 1918 Rusia nuk ka qenë në gjendje të shlyejë borxhet e saj publike ndaj investitorëve, madje pavarësisht se ka pasur para likuiditeti, por kjo është pamundësuar pikërisht nga sanksionet.

Kjo rrethanë e re, sipas ekspertëve financiar edhe shqiptar si Emanuel Bajra, ‘mund ta mbështesë për muri Rusinë’. Kjo mund të nxisë Putinin, për një reagim edhe më agresiv në Ukrainë.

Prandaj, projekti i NATO-s, i rritjes së forcave speciale, tregon qartë se lufta po hyn në një fazë të re kritike, ku rreziku apo kërcënimi i Putinit me përdorim të bombave bërthamore është më i lartë se kurrë më parë, por me shpresë që nuk ia vlen as për Rusinë t’i përdorë ato.

Pra, derisa ende jemi në rrjedhë me prirje të zhvillimeve negative edhe në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor për shkak të ndikimit të madh të Rusisë në Serbi, Edi Rama, si kryeministër i Shqipërisë po vazhdon shumë më shumë të lobojë për çështje të interesit të Serbisë, e edhe të sllavomaqedonasve, dhe aspak thuaja për Kosovën, dhe interesin e përgjithshëm të shqiptarëve, si detyrë kushtetuese që e ka.

Strategjia e munguar shqiptare

Prandaj, shqiptarët duhet të krijojnë një strategji të përbashkët, të përfaqësimit, të identifikimit dhe të vlerësimit të interesave të përbashkëta nacionale.

Por, këto pikëpamje janë të ‘demoluara’, ende pa i ndërtuar pasi qeveria e Shqipërisë është kundër ngjarjeve që mund të çojnë në krijimin e një qendre shqiptare me ndikim.

Edhe Shqipëria ishte në NATO, si para hyrjes së Malit të Zi dhe të Maqedonisë, por nuk ia vendosi asnjë kusht të vetëm atyre, madje as për t’i bërë të barabartë para ligjit, dhe jo më për ngritjen e të drejtave në nivelin meritor, sipas numrit të popullsisë në Maqedoni (duke e kushtëzuar me regjistrim të saktë dhe të vlershëm), dhe autoktonë atje dhe në Mal të Zi.

Image
Vuçiqi i detyruar edhe nha dekorimi nga diktatori Putin, ta realizojë agjendën ruso-serbe

Po ashtu në kuadër të krizës së Ukrainës, nuk vendosi asnjë kusht për NATO-n dhe Perëndimin në tërësi, në mënyrë që t’ua sigurojë disa përfitime Kosovës, që nga liberalizimi i vizave, të cilën mund ta bënte me kërcënim të dhënies së shtetësisë të gjithë shqiptarëve të Kosovës, që e dëshirojnë këtë, apo me kushtëzime të tjera. Po ashtu nuk i vendosi asnjë kusht, që Kosovës mos t’i bëhet trysni nga bashkësia ndërkombëtare, për lëshime të reja, pasi serbët kanë marrë maksimumin e çdo gjëje në Kosovë. Po ashtu për të parandaluar trysninë, mund t’i kërcënonte me padi ndaj Serbisë për shkak të gjenocideve ndaj shqiptarëve.

Në këtë këndvështrim argumenton edhe Eduard Xhozef, profesor i Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, sipas të cilit rrjedha e ngjarjeve në Ballkan, po e favorizon interesin e Rusisë, përkatësisht të autokratit Vladimir Putin.

Madje, ai beson se edhe autokrati i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi edhe anëtari i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, janë të gatshëm ta destabilizojnë rajonin.

Vuçiqi në shërbim të Putinit

Por, sipas tij nuk është vetëm lufta që e favorizon interesin e Rusisë. I mjafton vetë mbajtja e gjendjes tensionuese në rajon.

“...Duke i mbajtur këto tensione në rritje, duke u përpjekur për të krijuar tensione të reja. Pra, as që duhet të jetë një luftë. Nuk duhet të jetë një luftë e re, për shembull në Bosnje dhe Hercegovinë, që ai të përfitojë. Për sa kohë që situata mbetet e tillë, besimi në këtë rajon, në SHBA dhe në Bashkimin Evropian bie...”, ka thënë ai për The Geopost.

Jopseph është eksplicit për raportet e Putinit me Vuçiqin, ai është aleati i diktatorit rus dhe përmbushë agjendën e tij.

“Ai ka një aleat që e ndihmon të realizojë agjendën dhe ai aleat është në Serbi, ai është presidenti Aleksandar Vuçiq që e ka demonstruar atë, edhe para pushtimit. Por, tani pas pushtimit rus e shohim me qartësi, se ai është partner i Vladimir Putinit në të njëjtën agjendë të mbajtjes së këtij rajoni të ndarë dhe përpjekjes për ta ndarë Evropën”, thekson ai.

Në këtë mënyrë, nëpërmjet kësaj agjende, që sipas Xhozefit duket se Perëndimi nuk është duke e kuptuar ose gabimisht duke e toleruar, Vuçiqi, po e realizon projektin “Bota serbe”, e cila hapur e kërcënon sovranitetin e Malit të Zi, dhe është duke e penguar Kosovën.

“Aleksandër Vuçiqi po propozon pikërisht strategjinë që e realizon Dodiku. Ai pretendon se respekton sovranitetin boshnjak, ndërkohë flet për ‘Botën Serbe’ dhe bart politikën tonë botërore serbe duke cenuar sovranitetin e Malit të Zi dhe gjithashtu duke e penguar Kosovën të ecë përpara, duke e bllokuar Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, përfundon ai.

Image
Edi Rama nën ndikimin rus, me Lavrovin

Pavarësisht këtyre mesazheve, dhe me qindra të tjera të thëna në vazhdim prej muajsh, me saktësi, Edi Rama, vazhdon të jetë në krahun e Vuçiqit. Nëse Vuçiqi është partner i Putinit, atëherë edhe Rama rezulton se është në partneritet me Putinin.

Nëse Vuçiqi po e mbështetë agjendën ruse, atëherë edhe Rama, duke e mbështetur Vuçiqin, po e mbështet agjendën ruse!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat