Punonjësit shëndetësorë e mësimdhënësit, pak të interesuar për dozën e tretë të vaksinës

Aktuale

Punonjësit shëndetësorë e mësimdhënësit, pak të interesuar për dozën e tretë të vaksinës

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Punonjësit shëndetësorë dhe mësimdhënësit i janë përgjigjur në masë të vogël pozitivisht vaksinimit me dozën e tretë të vaksinës anti-COVID, ka thënë Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Hoti ka thënë në emisionin “SOT” në KTV, të martën, se këto dy kategori do të duhej dhënë shembull edhe për qytetarët e tjerë, por që sipas tij, kjo nuk ka ndodhur.

Krahasuar me interesimin që ka mbizotëruar për dozën e parë dhe të dytë, për dozën e tretë interesimi ka qenë më i ulët. Ajo çka na ka befasuar ka qenë që disa kategori që do të duhej t’i ishin shembuj të mirë të vaksinimit me këtë dozë nuk ka qenë që i janë përgjigjur aq shumë, flas për punonjësit shëndetësorë dhe për mësimdhënësit. Megjithatë ka kategori që janë të interesuar për marrjen e dozës së tretë. Marrja e dozës së tretë ka qenë një proces më i ngadalshëm”, ka thënë Hoti.

Ai ka folur edhe për planet e fillimit të vaksinimit të grupmoshave 5-12 vjeç, duke thënë se tashmë 5,000 vaksina pediatrike kanë mbërritur në Kosovë dhe se po bëhen përgatitjet e nevojshme për ta filluar procesin.

Javën e kaluar kemi pranuar rreth 5,000 doza të vaksinave COVID-19 nga SHBA-ja, përmes mekanizmit COVAX. Pasi të arrijnë shiringat adekuate dhe tretësit për këto doza pediatrike, ne do të mund të fillojmë me procesin e vaksinimit të fëmijëve të moshës 5-12 vjeç. Është me rëndësi që prindërit t’i kenë informatat e sakta. Të dhënat e bazuara në dëshmi tregojnë se efektet anësore kanë qenë jashtëzakonisht të vogla”, është shprehur Hoti.

Sa i përket rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, Hoti ka thënë se deri pak kohësh spitalet kanë qenë me zero raste të hospitalizimeve, derisa siç ka thënë, variantet e reja të Omicronit janë më të lehta dhe po shkaktojnë më pak pneumoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat