A ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës vërtetë?! / Pse Albin Kurti po e anashkalon Vjosa Osmanin e Ibrahim Rugoven

Aktuale

A ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës vërtetë?! / Pse Albin Kurti po e anashkalon Vjosa Osmanin e Ibrahim Rugoven

Nga: Idriz Morina Më: 28 qershor 2022 Në ora: 20:02
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Pse ekziston rreziku i ndarjes së Kosovës dhe a ekziston vërtetë?!

Kë po e akuzon Albin Kurti, se ka të gjallë dhe të vdekur se pranonin e pranojnë që të ndahet Kosova, pra të humb territor!?

Ideja e ndarjes së Kosovës, sipas një serbeje të njohur, u dakordua në Nish, diku në vitin 2016. Nga aty, u pranua nga Hashim Thaçi dhe nga Edi Rama.

Ideja e ndarjes mbahej gjallë nga Daçiqi, të paktën që nga viti 2010

Por, në fakt, duke gërmuar vite më parë në shënimet e mia, kam gjetur se kam shkruar një editorial në “Bota sot”, ku i jam kundërvënë kësaj ideje, para më se dhjet vitesh.

Se ai ishte përkrahës apo afirmues i idesë për ndarje të Kosovës, e ka deklaruar para katër vitesh.

“Personalisht mendoj se ndarja është zgjidhje, për këtë gjë flas tash e dhjetë vjet”, deklaronte Daçiq në vitin 2018, duke ia bërë të qartë publikut se për të kishte folur edhe ish-kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiç, dhe ideologu i nacionalizmit serb, Dobrica Qosiq!

Pra, sipas tij, ai është një nga ata politikanë serb, që e ka mbajtur gjallë idenë e ndarjes së Kosovës, që pas Shpalljes së Pavarësisë.

Mbështetjen për ndarje të Kosovës, e kishte thënë si një ide, nga e cila nuk mund të shmangemi në vitin 2019.

Këtë e kishte thënë edhe para tri viteve në një televizion të Serbisë, madje si një ngjarje të parapërcaktuar: “Veriu i Kosovës nuk mund të mbetet nën sovranitetin e Prishtinës dhe pikë”.

Ky madje mund të konsiderohet deklarim i korrigjuar pasi, një vit më parë, pra më 2018 kishte thënë, në detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme, se Serbia është e preokupuar si ta bashkojë një pjesë të jugut të Kosovës, pasi nuk ka lidhje territoriale me serbë. “Nuk është qëllimi që vetëm veriu i Kosovës të mbetet në Serbi... duhet gjetur zgjidhje edhe për jugun, pasi jugu nuk është i lidhur territorialisht me Serbinë”, (pra e ka menduar se nuk ka vazhdimësi të serbëve).

Madje këtë e kishte krijuar nën sloganin: "çdonjëri do të fitonte pak nga ajo që nuk e do".

Po ashtu ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq në një shkrim autorial në gusht të vitit 2017, shkruante se kishte një propozim kompromisi për ndarjen e Kosovës, sipas tij, duke i dhënë serbëve atë që u përkiste atyre, dhe shqiptarëve po ashtu, “me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve dhe shmangies së konfliktit”.

Shtetet perëndimore nuk e lejonin ndarjen

Ndërsa, duke iu referuar udhëheqësve të lartë të Kosovës, ai thoshte se ata e pranojnë ndarjen, po këtë aludonte se po e pengojnë, ata që i këshillojnë dhe drejtojnë shqiptarët, të fuqishmit e Perëndimit.

“Vazhdoj të them, për shembull, se shqiptarët, pa këshilltarët dhe drejtuesit e tyre, pranojnë që ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë edhe për ata. Madje disa liderë shqiptarë këtë ma kanë thënë hapur”, qe shprehur Daçiq.

Po ashtu ai e përsëriste tjetrën postulatën mashtruese serbe: “Shqiptarët të gjitha, e serbët asgjë. Çfarë kuptimi do të kishin negociatat atëherë”, thoshte Daçiq.

Këtë postulatë mashtruese politike të Daçiqit, e shqiptonin fjalë për fjalë analistë e këshilltarë politik si Baton Haxhiu, por edhe Lutfi Haziri nga LDK-ja.

I solla në vëmendje këto informacione e qëndrime të Daçiqit, për t’ua kujtuar shqiptarëve se ato vetëm sa i riafirmoi Vuçiqi, pasi të thëna nga ai dukeshin si të ‘moderuara’, prandaj iu la ajo meritë atij.

Kjo për shkak se të artikuluara nga Daçiqi, që njihet edhe si “Slloba i vogël”, identifikohej si plan B, i para luftës në Kosovë. Pra, duke arsyetuar doktrinën serbe-millosheviçiane, se ‘luftën e bëjnë për ta marrë tërë Kosovën, ndërsa një pjesë të saj, edhe pas luftës nuk shpëton’!

Këtë e bën të mundur të kthehet si çështje në bisedime siç dëshmon koha, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë. Që të dy shpëtuan pa asnjë aktakuzë për tradhti kombëtare. Por, Rama edhe do të mund të justifikohej para një opinioni, që e injoron Kosovën, se nuk e ka shkelur Kushtetutën sepse, ka kërkuar bashkimin e territoreve shqiptare, ndërsa “veriu ishte thjesht një kompromis”, “ku ka fare pa shqiptarë”!

Pra, edhe sipas Daçiqit, ndarja e Kosovës edhe atëherë kur drejtues të Kosovës ishin dakord për ndarje, po pengohej nga shtete të fuqishme perëndimore.

Prandaj, edhe nisur vetëm nga kjo Albin Kurti nuk mund të thotë se ai e shpëtoi Kosovën nga ndarja. As atëherë kur u hoq nga tavolina e bisedimeve, as tash.

Si mund ta shpëtonte, kur ai tashmë ishte një i rrëzuar nga pushtetit, çfarë fuqie kishte më shumë se sa të një udhëheqësi partiak. Pse gjatë gjithë kohës sa ishte në opozitë nuk e bëri një protestë të vetme në Mitrovicë, por vetëm 20-30 veta protestuan vetëm njëherë pa Albinin!

Albin Kurti nuk ishte vetëm në kundërshtimin e ndarjes së Kosovës. Para se të hynte opsion ndarja e Kosovës, kishte dekada që ajo ishte përjashtuar, përveçse nga ata, që e dëmtuan atdheun në të gjitha format e mundshme, me dhunë politike, vrasje, plaçkitje, uzurpime, vjedhje të buxhetit të shtetit, abuzim me detyra...

Pastaj, kur Albin e prezanton veten si kundërshtuesi e penguesi i vetëm në ndarjen e Kosovës, ju po e anashkaloni dhe injoroni partnerin tuaj kryesor në këto vite, Vjosa Osmanin.

Më keq akoma, ju po e injoroni të gjithë atë masë protestuesish, që kurrë nuk ishin vetëm të VV-së, apo as vetëm adhurues të Vjosa Osmanit e tuajt! Ishin patriotë të vërtetë.

Ju po i harroni të gjithë ata gazetarë intelektualë, publicistë dhe të tjerë që dolën kundër ndarjes së Kosovës, dhe ka nga ta që sakrifikuan çdo gjë, karrierë, bukë e shtëpi, por nuk u dorëzuan para fuqisë gati tiranike të hashimiane dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Po ashtu kishte edhe politikanë të partive të ndryshme, po ashtu edhe media sado të pakta që ishin ato, por krijonin kundërshtimin e fuqishëm.

Pra, as ne të gjithë bashkë që ishim kundër ndarjes, nuk e ndaluam atë, por ama i vumë një pengesë shumë të madhe!

Ndarja ishte përjashtuar 30 vjet më parë

Por, ndarja, si opsion ishte përcaktuar të përjashtohej që me qëndrimin e Këshillit Koordinues të partive politike. Sipas koncepteve fundamentale që i parashtruan atëherë ato, Kosova nëse do të bëhej e pavarur, do të mbetej siç ishte, nëse nuk mund të realizohej bashkimi me Shqipërinë.

Rugova e shtronte, dhe këtë e rikonfirmonte në kohën e fillimit të bisedimeve në Vjenë të organizuara nga Ahtisari, si kryetar i Grupit të Unitetit, se kompromisi i dhimbshëm i shqiptarëve ishte “Pavarësia e Kosovës, lënia e shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës Lindore, dhe të Malit të Zi, jashtë zgjidhjes”, përkatësisht ndarja nga çështja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në territoret e tyre etnike.

Pra, mosndarja e Kosovës, ka më shumë se 30 vjet tashmë si doktrinë politike, e udhëheqësve politik të njëmendët, duke përjashtuar ata, që për shkak të dosjeve e shtrembëruan çështjen, dhe sot disa ndodhen në Hagë!

Ndarja mori fund me arrestimin e Thaçit

Përtej kësaj, ndarjen si koncept, e shembi arrestimi i Hashim Thaçit, përkatësisht ndalimi i tij në Vjenë, duke mos e lejuar shkuarjen në SHBA. Unë besoj se ky ishte një bashkëveprim i inteligjencës amerikane dhe gjermane!

Këtu merr fund rrugëtimi i ndarjes së Kosovës nëpërmjet Hashim Thaçit, dhe i të gjithë intrigantëve, që ndihmuan që çështja e copëtimit të Kosovës të kthehej në tavolinë përkohësisht.

Prandaj, ti as nuk e ke shpëtuar nga ndarja Kosovën, dhe as nuk po e shpëton tani, sepse po ju qase atij opsioni rrëzohesh e harrohesh më shpejt se Thaçi! Nuk është në dorën tënde fati i Kosovës, pavarësisht që je kryeministër. Këto shprehje tuaja, po tregojnë se nuk jeni liruar nga kompleksi i madhështisë!

Për ata që ende nuk duan ta besojnë se Hashim Thaçi ishte në anën e gabuar të historisë të ndarjes së Kosovës, po ia sjellim interpretimin nga Eduard Xhozef, profesor i Universitetit “Johns Hopkins”.

“Qëllimi i takimit në Uashington të Ambasadorit Richard Grenell me Presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë ishte diskutimi i një marrëveshje dypalëshe bazuar në parimin e ndarjes së Kosovës”, ka thënë Xhozef, në një bisedë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, në mars të vitit 2020.

Loja tautologjike

Nëse Albini nuk i përmend emrat e politikanëve shqiptarë të gjallë dhe të vdekur, atëherë është e qartë se ai po luan me fjalët, pra me tautologji fjalësh, sikur çka është e keqe për Kosovën është edhe për Shqipërinë, dhe anasjelltas.

Si tautologji qëndron, duke i kundruar nga parimi i interesit ideal nacional. Por, ka me qindra çështje, që kjo thjesht është një tautologji, dhe që nuk ka të bëjë asgjë, me të keqen apo të mirën e ndërsjellë. Shqipëria është shtet i pavarur dhe sovran plotësisht. Nuk është dhe nuk mund ta kontestojë askush, hiq problemin detar, që e kanë krijuar dështakët dhe shërbëtorët e Greqisë. Ky problem është më vete, dhe thuaja aspak as Kosova nuk qëndron më mirë, sa i përket politikanëve që punojnë për shërbime të huaja.

Duke u nisur vetëm nga premisa se Shqipëria nuk e ka asnjë kontestim, që mund ta vë në dyshim sovranitetin dhe funksionalitetin shtetëror, është e mjaftueshme, që hipoteza tautologjike e Kurtit është vetëm retorikë, dhe që edhe ashtu sot më nuk e zgjon interesin e shumicës së njerëzve, sepse njerëzit sot duan prova konkrete për çdo veprim, vendim etj.

Iluzionet më nuk qëndrojnë lehtë, madje me shumë thjeshtësi rrëzohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat