Përvjetori i Betejës së Kosovës, thirrje pro Rusisë gjatë festimeve

Aktuale

Përvjetori i Betejës së Kosovës, thirrje pro Rusisë gjatë festimeve

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 22:11
Foto ilustrim

Grupe pjesëtarësh të komunitetit serb morën pjesë të martën në manifestimet në Gazimestan afër Prishtinës, me rastin e 633 vjetorit të Betejës së Kosovës. Përgjatë manifestimeve banorët serbët bën thirrje në mbështetje të Rusisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe bënë thirrje për paqe në mes serbëve dhe shqiptarëve.

Me thirrjet në mbështetje të Rusisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës, grupe pjesëtarësh të komunitetit serb u mblodhën në Gazimestan afër Prishtinës për të kremtuar Vidovdanin siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, përkatësisht 633 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Policia e Kosovës që kujdesej për sigurinë nuk lejoi që pjesëmarrësit të mbanin mbishkrime nxitëse.

Më 28 qershor të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtrinë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar osman në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë këtë si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha në liturgjinë e mbajtur në Manastirin e Graçanicës se Kosova është vend i shenjtë për serbët ndërsa bëri thirrje, siç tha për paqe dhe dashuri me shqiptarët.

“Jemi thirrur të jemi vëllezër me të gjithë dhe me shqiptarët sigurisht mbi të gjitha sepse jetojmë këtu me ta. Zoti i krijoi të dy, të gjithë jemi ikona të zotit. Dhe jam i sigurt se edhe ata e dinë nëse besojnë në Zot, një Zot, se edhe në librat të cilët ata më së shumti besojnë, bëhet thirrje për të njëjtën gjë, bëhet thirrje dhe kujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit”, tha ai.

Në vitin 1989 në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti i atëheshëm serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Tridhjetë e tri vjet pas asaj dite Kosova ka hyrë në vitin e 15 të pavarësisë së saj të njohur nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila mbështetet në përkrahjen ruse. Çështja e Kosovës radhitet në mesin e arsyeve që Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për më shumë se njëmbëdhjetë vjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane, por ende pa ndonjë përparim të dukshëm./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat