Një ikje që tronditi jetën! / Mjegullnaja e krijuar nga iluzioni se europianët janë suprem!

Aktuale

Një ikje që tronditi jetën! / Mjegullnaja e krijuar nga iluzioni se europianët janë suprem!

Nga: Idriz Morina Më: 29 qershor 2022 Në ora: 13:47
Teki Dervishi

Një mik gjeni në llojin e vet, që pata rastin ta njohë e të punoja me të.

Një kohë thjesht si shef, dhe pa ndonjë afri. Unë një fillestar në gazetari dhe ai në piedestal, në vitet 1999 - 2000.

I njohur në letërsi më shumë me dramën e tij, ndërsa veten e quante mbret në poezi. Një romansier po ashtu i veçantë në letërsinë shqipe.

Disa nga ato që më jepte ti lexoja të rrëmbenin dhe trondisnin, me përshkrimin e gjallë dhe dramatik, mendimin e hapur dhe të përkryer, dhe në fund pasonte pyetja, si po të duket, a po të pëlqen, pyeste Teki Dervishi (19 janar 1943 – 29 qershor 2011)?!

E jashtëzakonshme, i thosha! Ndërsa, ndodhesha në zyrën e tij, të drejtorit të “Bota sot”, dhe më kishte kërkuar të ulesha në kompjuterin e tij, në një qetësi thuaja absolute, ku nuk lëvizte asgjë, përveç shtëllungave të tymit të duhanit, të cilin e pinte thuaja pa pushim, si asnjë tjetër!

Aq dramatik

Ishte viti 2011, pak javë para se të sëmurej rëndë. Një poezi kushtuar motrës së tij, që shpjegonte shpirtin dhe plagën e thellë të një raporti motër-vëlla! Të moszbardhjes së zemrës, dyshimit të mbetur peng se ishte ndarë nga kjo botë pa e kuptuar thellësinë e shpirtit të bardhë të Tekisë!

Të bashkëpunoje nga afër me të ishte një dramë më vete. Aq dramatik në jetë dhe në krijimtari, sa ajo tashmë ishte bërë thuajse pjesë e pandashme e jetës së tij. Si dukej shpesh nuk mund ti shihte njerëzit ndryshe, pos si aktor! Për t’ju menduar ndryshe dhe besuar duhej të ishe një karakter i fortë, që mund të dëshmoje, dije, inteligjencë, dhe burrëri. Patjetër që kërkonte profesionalizmin, pa të nuk mund të kishin kuptim të tjerat.

Ai e ndjente vetën, se ishin në mesin e kalorësve më të mëdhenj të lavdisë kombëtare!

Nuk kishte pardon ndaj asnjë personaliteti! Me të gjithë njihej apo i njihte. I takonte brezit intelektual, shkrimtarëve, publicistëve etj, që e tronditën Jugosllavinë nga viti 1968, e deri në bërjen e Kosovës sovrane! Ai pati fatin ta jetonte këtë çast me një gëzim dhe lumturi që këmbehej me festën e madhe, çmendurake të shqiptarëve, pa shikuar se çfarë sfidash të reja kishte përpara!

Liria ishte kuptimi esencial dhe referencial i jetës së tij. 17 vjeçar i burgosur, i stërvuajtur në Golli Otok, burgun më famëkeq, i rezervuar për të burgosurit politik nga e gjithë ish-Jugosllavia, ku shqiptarët mund të ishin kryesor, së bashku mbase edhe me nacionalistët kroat, nga popujt tjerë mbase edhe nuk gjeje. Supremacia serbe, e mbështetur nga diktatori Tito, kishte krijuar privilegje gjithandej për nacional-fashistët serb. Amnisti, kalim të përnjëhershëm nga çetnik në partizan, vrasës të pandalshëm të shqiptarëve, dhunues e dëbues të tyre për gati një çerekshekull që nga ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore e deri më 1966 në mënyrë sistematike dhe ekstreme, dhunës së cilës Tekiu me zemër djaloshare iu kundërvu.

Ai ishte i habitur se si autoritete të huaja të teatrit Teki Dervishin e konsideronin si një autoritet madhështor në dramë, që sipas tyre, me veprat e tij dramatike, i thoshin se Teatri i Prishtinës, teatri shqiptar, e ka të zgjidhur repertuarin për një shekull!

Këtë nuk ia thoshte asnjë kritik apo dramaturg shqiptar!

Ai konsiderohet, sipas studiueses Ernestina Halilit, e doktoruar në dramën e Kosovës, njëri nga dramaturgët më me ndikim në letërsinë shqipe, me një krijimtari të karakterizuar me simbolizëm, surrealizëm e ekzistencializëm, e të gërshetuar ndërmjet tyre. Ai llogaritet një nga dramaturgët me rol të madh në dramaturgjinë shqipe, së bashku me Beqir Musliun, Anton Pashkun e të tjerë.

Për 20 vite nuk iu mundësua kthimi në Kosovë, në vendlindjen në Gjakovë. Këtë pjesë të jetës e të vuajtjes shpirtërore, e ka rrëfyer, përkatësisht e ka shndërruar në një pjesë të subjektit të romanit “Herezia e Dervish Mallutës”.

Sipas Sabri Hamitit, në këtë roman në të paktën dy kapituj, “e shohim të rrëfejë jetën e vet reale... në moshën katërdhjetëvjeçare, mbas një mungese të gjatë njëzet vjetësh”.

Tekiu konsiderohet po ashtu një nga dramaturgët më të mirë, por edhe si prozator dhe poet, i cili thyen konvencat me procedimet e tij letrare.

Për të tashmen

Duke lexuar vërshimet kritike madje edhe të atyre që nuk dinin t’i thonin veç lep e peqe çdo shteti të Perëndimit europian, deri në tabuizim, Teki Dervishi, më kishte mbështetësin më të madh, për të kritikuar burokracinë europiane, BE-në, misionin e saj EULEX-in, dhe më parë UNMIK-un, si dy misione që duhej ta mbyllnin punën e tyre, dhe t’ia linin zhvillimin e jetës shtetit të pavarur dhe sovran. Në thumb të këtyre kritikave ishte pushteti, drejtuesi e shtetit, që nuk e arrinin ta bënin shtetin vërtetë sovran.

Pra, idetë kritike, të nisura nga premisa të pastra sovraniste, janë rikthyer sot, në debatin e ashpër kritik ndaj BE-së për mosheqjen e vizave. Për rreth katër vite, u munduam që opinionit publik t’ia zhdavarisim mjegullnajën e krijuar nga iluzioni se europianët janë më të mirët, dhe se ne jemi të këqijtë, se ata janë të përkryer dhe se në ishim të paemancipuarit.

Kërkimi për lirinë dhe pavarësinë e plotë ishte një rrugë e vetvetishme mendimi, që sot vjen e stërvonuar, dhe ngjan si e manipuluar, ku në thelb të çështjes është thjesht e drejta e lëvizjes apo mundësia e braktisjes së atdheut, më qartë lektisjes së re shqiptare, dhe sërish mungon qasja atdhetare e ndërtimit të një të ardhme, e shtetit dhe vendit, që thuajse nuk ka nevojë për ndihmën e askujt.

Me shkuarjen e mikut tim Tekiut, mbeta thuajse një zë i vetmuar, në kërkimin e lirisë politike të mendimit shqiptar, që të mos nënshtroheshin në bisedimet e përcaktuara me Rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të cilën e kundërshtova dhe e argumentova si të gabueshme, sepse po na fuste në një spirale diplomatike, që mund të çonte një ditë në ndarje të Kosovës. Si një kundërshtar kundër marrëveshjes së 2013-ës, të 2015-ës, të demarkacionit ku Kosova rezultoi të humbte territor, që përveç se historikisht ishte shqiptar, edhe sipas të drejtës së administrimit etj., kundër përpjekjeve për ndarje të Kosovës, për ndëshkimin e krimit të organizuar, për porositësit dhe autorët e vrasjeve politike...etj!

Por, kjo nuk mund të arrihet pa arsimim të mirëfilltë, pa një përndritje shpirtërore shqiptare!

Tekiu na la, 11 vjet më parë, për ta rigjetur nëpërmjet veprës së tij monumentale, në poezi, prozë, dramë, satirë, humor dhe në publicistikë, si një erudit, dhe krijues i pandalshëm deri në frymën e fundit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat